DOSSIER

VILSON BLLOSHMI E GENC LEKA/ Homazh për poetët e Librazhdit, 42 vjet nga vrasja

18:00 - 18.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në rrethana kam shkruar poezinë:
Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur




Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur
Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit

(Nga Dosja e Vilson Blloshmit).
Është mbajtur dje në Librazhd një homazh para “monumentit të poetëve martirë e të dëlirë Genc Leka e Vilson Blloshmi, të pushkatuar me nga diktatura komuniste në mesnatën e 17 korrikut 1977 në vendin e quajtur ‘Përroi i firarit”. Kryetari i Institutit të Studimit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, njofton se pati pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të Librazhdit pa dallim bindjesh politike. Me ç’rast, u dhanë mesazhe nga kreu i ISKK, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, Kryetari i PD-së së Librazhdit Bujar Vreto dhe Kryetari i Bashkisë Kastriot Gura.
Pushkatimi i dy poetëve të rinj të Bërzeshtës të Librazhdit, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, u bë me pretekstin e disa poezive lirike, që u quajtën reaksionare nga regjimi diktatorial komunist. Poetët u damkosën si armiq dhe u pushkatuan, duke ua fshehur edhe varret.
Në korrik të 2017, me krijimin e tij, ekipi i Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i shoqëruar nga përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve Nebil Cika dhe në komunikim me pushtetin lokal, Bashkia Librazhd, vizitoi fshati Bërzeshtë të Librazhdit, ku 40 vjet më parë, mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977 u pushkatuan poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, me akuza të stisura politikisht. Dje, në vitin e tretë të funksionimit të tij, AIDSSH përkujton me nderim figurën e dy poetëve të ekzekutuar dhe hedh dritë në dokumentet arkivore në emër të tyre, në total 2145 faqe të deklasifikuara dhe digjitalizuara, tashmë në dispozicion të studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, të cilët mund të njihen me ta në përputhje me ligjin 45/2015.
Ata i vranë me një akuzë të stisur më 17 korrik 1977 në një përrua të thellë, të thatë e të fshehtë të quajtur me një emër po aq të çuditshëm “Përroi i Firarit” Dosja operative” e Vilsonit, tregon se ndjekja kishte filluar qysh në vitin 1963, kur vazhdonte shkollën në Elbasan deri më datën 5 gusht, kur i hodhën prangat tek ura e Librazhdit. I hedhin hekurat, e mbulojnë me një batanije ku herë pas here e zbulonin, i vendosin një palë syze dielli e mbas disa orësh e plasin në birucën Nr. 20 tek “Mine Peza”, në Tiranë. Mbas shumë kohe torturash nga disa hetues, por dhe personalisht nga xhelati Kadri Hazbiu e kthejnë në birucat e Librazhdit, me një krah të gjymtuar.

Në vitin 1959 Genc Lekës i hapën kartelën dhe e ndiqnin këmba-këmbës. Kjo dosje ka vazhduar deri më datën 31 gusht 1976, kur Genc Lekës i hodhën prangat për të mos ia hequr më kurrë.

Dënimi me vdekje për dy poetët librazhdas, Vilson Blloshmi e Genci Leka, i sapo kumtuar në sallën e kinemasë së qytetit, mes një auditori të përzgjedhur që duartrokiste “Rroftë Partia”, “Poshtë armiqtë!”, atë mesditë të 13 qershorit 1977 sapo është dhënë. Tashmë, në qeli të veçanta (birucat) ku rrinin, atyre u lidhen këmbë e duar, u vendoset helmeta në kokë dhe u dyfishohen rojet. Ditë-net-javë të tëra në një gjendje të tillë të tmerrshme. Edhe e drejta për të përtypur dy kafshatë bukë, megjithëse ata nuk kishin uri e etje, nuk mund të realizohej. Edhe këtë shërbim ua kryenin policët e dubluar… Poetët, e jo vetëm ata, e kanë kuptuar se shpresa për falje jete, tashmë do të ishte vetëm një shpresë. Thuhet për çdo rast e për çdo rrethanë se, shpresa vdes e fundit…
Kështu që të dënuarit me vdekje atë mesvit të trishtë të 1977-ës, bëjnë ankimimin në Këshillin Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kërkojnë t’u falet jeta, duke bërë dhe argumentimin se përse e kërkojnë një gjë të tillë…

Ja çfarë thuhet mes të tjerave në kërkesën e të dënuarit Vilson Blloshmi drejtuar Gjykatës së Lartë për zbutje dënimi:
“Si në hetuesi, edhe në gjyq unë e kam mohuar akuzën, nuk kam sabotuar, nuk kam agjituar për të përmbysur pushtetin…
Dënimi kapital, mendoj se nuk duhet të zbatohet kundër meje, sepse jam ende djalë i ri, me çdo mundësi për t’u edukuar nëse gjykata e shkallës së dytë do ta gjejë të provuar fajësinë time, qoftë edhe duke ndenjur për një kohë të gjatë i izoluar nga jeta e lirë, me çdo mundësi për të punuar dhe për t’i shërbyer më gjatë shoqërisë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.