AKTUALITET

Ervin Demirxhiu: Faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të qirave në kryeqytet

20:00 - 19.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Edhe pse tashmë është periudha më e mirë për të gjetur një apartament apo shtëpi me qira, çmimet vazhdojnë të jenë të larta për standardin e jetesës në Shqipëri. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme dhe broker në një prej agjencive “Real Estate” tregon se qiratë kanë pësuar rritje nga viti në vit në Tiranë, e çmimet kryesisht fillojnë nga 250 euro. Ai shpjegon se një nga faktorët që ka sjellë rritjen e çmimeve të qirave është dhe rritja e çmimeve të shitjeve dhe si rrjedhojë në pamundësi për të blerë, individët preferojnë të akomodohen në apartamente me qira. Demirxhiu shpjegon më tej se zona më e shtrenjtë vazhdon të jetë zona e ish-Bllokut, por edhe apartamentet apo shtëpitë me qira që jepen brenda perimetrit të ‘Unazës’, apo zona në “Komunën e Parisit”, në Tiranë këto vitet e fundit kanë marrë goxha vlerë. Sipas vlerësuesit të pasurive të paluajtshme, çmimet e qirave në Tiranë nuk përputhen me standardin e jetesës duke iu referuar të ardhurave të familjeve shqiptare.




Si paraqiten çmimet e qirave të apartamenteve në Tiranë, krahasuar me një vit më parë?

Çmimet e apartamenteve në Tiranë nga viti në vit kanë pësuar rritje. Vlen të theksoj se sidomos këto vitet e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme edhe në apartamentet me çmime ekonomike.

Po çmimet e vilave apo edhe të shtëpive private a kanë pësuar rritje nga 2018-ta?
Për sa u përket çmimeve të vilave apo shtëpive private nuk mund të themi se ka një rritje të dukshme, duke qenë se kërkesa për to është relativisht më e vogël. Rrjedhimisht edhe çmimet nuk kanë rritje krahasuar me një vit më parë.

Sa variojnë çmimet e qirave dhe cilat janë zonat më të shtrenjta në kryeqytet?
Çmimet e qirave kryesisht në agjencinë tonë fillojnë mbi 250 euro për një muaj me apartamentet 1+1 deri 2000 euro në muaj. Ndërkohë një çmim qiraje mund të arrijë edhe deri në 4000 euro në muaj kur bëhet fjalë për vila luksoze në rezidencat më të mira të banimit në Tiranë.

Sakaq, mund të themi se zona më e shtrenjtë për apartamentet me qira sigurisht që është zona e Bllokut. Por edhe apartamentet apo shtëpitë me qira që jepen brenda perimetrit të “Unazës”, apo në “Komunën e Parisit” në Tiranë këto vitet e fundit kanë marrë goxha vlerë dhe normalisht jepen me qira kundrejt një çmimi më të lartë se zonat e tjera.

Sipas mendimit tuaj si vlerësues i pasurive të paluajtshme, cilët janë faktorët që kanë sjellë rritjen e çmimit të qirave?
Në gjykimin tim, një nga faktorët që ka sjellë rritjen e çmimeve të qirave është dhe rritja e çmimeve të shitjeve. Me këtë dua të shpjegoj se si rrjedhojë në pamundësi për të blerë, individët preferojnë të akomodohen në apartamente me qira.

Kur është periudha më favorizuese gjatë vitit, për të gjetur apartamente me çmime më të lira?
Mendoj që periudha më e mirë për të kapur çmime sa më të mira e të përballueshme për buxhetin e kujtdo është periudha kur ka edhe më pak kërkesa, e cila përkon me stinën e verës, pra nga gjysma e dytë e qershorit deri nga fundi i gushtit, si dhe në periudhën e dimrit në muajt janar dhe shkurt.

A përputhen këto çmime me standardin e jetesës në Shqipëri, duke marrë parasysh faktin që qiraja e apartamentit 1+1 apo dhe një gasioniere mund të shkojë sa vetë paga mujore e individit apo dhe më shumë?
Kjo është një pyetje me vend me të cilën ne hasim vështirësi çdo ditë, sepse paraqiten klientët në zyrën tonë dhe kur u tregojmë çmimet; ata stepen, herë pas here dhe na akuzojnë ne për këto çmime, por kur i argumentojmë, e kuptojnë që ne jemi vetëm ndërmjetësues dhe jo qiradhënës apo shitës. Realisht janë çmime të cilat nuk përputhen me standardin tonë të jetës, duke iu referuar të ardhurave të familjeve shqiptare.

Sa respektohen kontratat mes qiradhënësit dhe qiramarrësit?
Kontratat kryesisht respektohen, sepse edhe qiradhënësit, edhe qiramarrësit janë bërë më të ndërgjegjshëm dhe po kërkojnë kontrata më të specifikuara, duke parashikuar problematikat e hasura ndër vite. Dua të bëj me dije se dhe ata që janë për herë të parë marrin sugjerimet tona për bazë, në mënyrë që të mbrohen dhe të kenë edhe një marrëdhënie sa më korrekte ndërmjet tyre. Sigurisht që ka dhe raste problematike nga të dyja palët, ku përballja e parë bëhet në zyrat tona si ndërmjetës i kësaj marrëdhënieje, por në këto raste jemi të pafuqishëm sepse puna jonë mbaron në lidhjen e kontratës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.