BLUETOOTH

Gerona Hyska: Dua që në muzikë të arrij gjithçka me forcat e mia dhe ashtu siç duhet

16:16 - 19.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ajo ka hyrë në botën e muzikës që në moshë të vogël, megjithatë pasi u rrit profesionalisht, vendosi të vinte pranë publikut me projekte të punuara mjaft mirë artistikisht. Debutimi muzikor ka qenë me këngën “Të ndjej” në “Top Fest 12”, që rezultoi shumë e pëlqyer asokohe. Një nga kulmet e rrugëtimit të saj padyshim është dhe prekja e skenës së Eurovizionit, si ‘backvokal’ me Elhaidën, ku përfaqësuan denjësisht Shqipërinë. E kemi fjalën për Gerona Hyskën. Këngëtarja që aktualisht jeton në SHBA, vjen në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta shqiptare”, për të ndarë me ne hapat e sigurt drejt pasionit të saj më të madh, si dhe detaje të tjera përtej muzikës. “Je t’aime”, prodhuar nga Apollo dhe me tekst të Fifit, është projekti i saj i fundit, që është pritur mjaft mirë nga dëgjuesit. “Para së gjithash është shpirti” – kësaj shprehjeje i mëshon Gerona. Thjeshtësia që e karakterizon e bën më të lehtë gjithçka. Duket se Hyska ka arritur të gjejë çelësin e suksesit ngado dhe ne shpresojmë që kjo të zgjasë përgjithmonë.




Gerona, nga rrjedh ky zë kaq i bukur?
Nga shpirti, ndoshta mund ta kem edhe të trashëguar, pasi edhe babai im këndon pak. Por, për mua është vërtetë një dhuratë e veçantë dhe ndihem me fat që e kam.
Edhe emri është po kaq i veçantë dhe i bukur. Të tillë e ka edhe kuptimin?
Faleminderit! Emri im është bashkimi i shkronjave të para të emrit të mamit dhe shkronjave të para të emrit të babit dhe unë kam marrë pak nga të dy jo vetëm në emër, por edhe në karakter dhe në mënyrën si jam formuar.
Vjen me “Je t’aime”, një këngë simpatike, me titull francez dhe klip në Amerikë, pak nga të gjitha këtë herë. Më trego diçka interesante nga realizimi i këngës dhe i klipit?
Pak nga të gjitha për të sjellë më të mirën. Titulli është në frëngjisht sepse kënga është shkruar gjatë kohës kur unë jetoja në Francë, vazhdoja studimet atje dhe mendoja se duhej diçka ndryshe, pasi anglishtja është ajo që dëgjojmë pothuajse në çdo këngë, ndërkohë që frëngjishtja është një gjuhë shumë e bukur dhe e veçantë dhe më përshtatej më se miri. Kënga është krijuar para një viti, ndërkohë që klipi u realizua këtë vit në Nju Jork, pasi unë për momentin jetoj këtu. Më pëlqen që te krijimet e mia të sjell pjesë të vetes sime dhe gjërave që jetoj dhe kjo është një mënyrë.
Pse vendose që klipin e ri ta realizoje në SHBA?
Jo vetëm sepse jetoj këtu, por sepse njerëzit këtej janë më profesioniste dhe çdo gjë ndryshon.
Si duken pritshmëritë e “Je t’aime”, e do publiku siç ka edhe titullin plot dashuri?
Jam shumë e kënaqur deri tani, ndihem shumë e lumtur kur shikoj dhe dëgjoj se publikut i ka pëlqyer kënga ime. Këtë e shikoj te mesazhet dhe videot e shumta që më vijnë çdo ditë dhe kjo më mbush me dashuri dhe më jep kurajë për të vazhduar përpara, për të sjellë këngë akoma dhe më të bukura.
Ndërkohë je një nga zërat e rinj në muzikë, por jo pak e njohur, me disa klipe në treg, ke qenë si ‘backvokal’ me Elhaidën kur përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, pra ke një ‘background’ të plotë dhe me hapa të sigurt. Gerona, çfarë synon në karrierën tënde?
Dua që çdo gjë ta arrij me forcat e mia dhe ashtu siç duhet, që do të thotë më mirë me hapa të vegjël, por të sigurt.
Kujt ia dedikon triumfin tënd në muzikë, pasi ti ke realizuar ëndrrën tënde dhe ky është një triumf?
Sigurisht që familjes sime, ata më kanë përkrahur gjithmonë në çdo aspekt dhe kanë qenë mbështetja ime kryesore. Është gjëja më e rëndësishme në jetën dhe karrierën time.
Kanë mbetur shumë tipare të “Geronës fëmijë” te “Gerona e rritur”?
Përveçse jam rritur fizikisht, brenda meje ekziston akoma një Piter Pan, i cili në disa pjesë nuk më lejon të rritem.
Përveç zërit dhe performancës tënde, çfarë mendon se pëlqen publiku te ti?
Mendoj se pëlqen lirshmërinë time, që do të thotë se unë vij tek ata kështu si jam në të vërtetë, e thjeshtë dhe sa më afër tyre për t’ju plotësuar çdo dëshirë dhe për t’i bërë të ndjehen mirë.
Mendon se ka qenë edhe bukuria jote, ajo që e ka elektrizuar publikun dhe skenën?
Mendoj se bukuria ime më e madhe është shpirti im dhe zëri kjo ndoshta më bën që të dukem e bukur edhe në paraqitje, është thjesht një plus dhe një element i nevojshëm, por jo i domosdoshëm për të plotësuar profilin tim si artiste.
Cila është rryma jote muzikore e preferuar?
Unë i pëlqej të gjitha rrymat. E preferuara ime është muzika popullore, më përshtatet shumë dhe mendoj se një nga projektet e ardhshme do jetë një këngë e kësaj rryme, e përshtatur dhe me ritme pak moderne. Më pëlqejnë edhe rrymat e tjera sigurisht dhe i këndoj të gjitha.
Cili është personi më i rëndësishëm në jetën tënde?
Nuk mund të them se kam vetëm një, kam 3 dhe ata janë familja ime, mami, babi dhe vëllai. Pa ata, unë nuk do të arrija asgjë.
Një mesazh për të gjithë ata që besojnë te ti dhe te muzika jote?
Do të përpiqem gjithmonë që të vij te ju me këngë të bukura, t’ju përcjell vetëm dashuri, pozitivitet, t’ju bëj të kërceni dhe në ato 3 apo 4 minuta që do të dëgjoni muzikën time, të harroni çdo gjë dhe të jeni njerëzit më të lumtur në botë. Muzika është qetësi për shpirtin dhe unë dua t’ju bëj të ndjeheni mirë gjithmonë. Me mbështetjen tuaj, unë do të eci gjithmonë përpara.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.