AKTUALITET

Ishte koha kur meshkujt dhuronin lule…

09:11 - 19.07.19 Nga Kujtim Xhaja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot do të shkruaj për ato, të cilat shpesh e zbukurojnë ditën tonë, i japin asaj ngjyra, aromë edhe jetë. Do të shkruaj për ato, të cilat gjenden kudo…në shtëpi, në ballkon, tek ai bari ku pijmë kafen e mëngjesit, apo edhe në zyrë, aty në një qoshe të tavolinës së punës. Do të shkruaj për lulet, të bukurat lule!




Mbrëmjen e djeshme isha rehatuar për shtatë palë qejfe në shtëpi dhe po shijoja një film të vjetër klasik italian. Bëhej fjalë për dy të rinj të dashuruar. Djali, një zeshkan tipik italian me ato cullufet e lëpira, i krekosur sa më s’ka, kish blerë një buqetë të freskët lulesh dhe po ngjiste shkallët nxitimthi me një vrap të shpejtë djaloshar për të shkuar fill tek e dashura e zemrës. Ajo i hap derën e përmalluar dhe sa sheh buqetën me lule shkrihet e tëra! Habitet, kënaqet, lumturohet gati-gati turbullohet e gjitha nga kjo dhuratë e përzemërt! Aq është gëzuar sa i jep një përqafim të ngrohtë si shpërblim çunakut të ëmbël.

“Sa gjest i bukur!”, them me vete… Vallë ditët e sotme gëzohet njeri kaq shumë, kur i dhuron thjesht një buqetë me lule? Femrat e kohërave moderne ua ndiejnë lezetin ende? Së fundmi në radio ma ka vrarë veshin një refren kënge shqiptare e cila ndër të tjera thotë: “Ajo s’don lule, ajo don çanta dhe pare në bank”…Se sa e vërtëtë është kjo në këto kohë, mbetet për t’u diskutuar… Duket sikur lulet e kanë humbur origjinalitetin dhe freskinë e një gjesti krejt të natyrshëm…

Dhuratat sa po vijnë e po bëhen më ” hard” . Tendencat e fundit iu diktojnë femrave të preferojnë më shumë bizhuteritë. Dita-ditës ato bëhen më të dhëna drejt sendeve të luksit, ajo çka është vanitoze, që të ketë më shumë dukje, pamje dhe kosto materiale. Meshkujt nga ana tjetër po i llastojnë akoma më shumë me dhuratat e kripura që janë mësuar t’ua bëjnë. Thellë, duke e pleqëruar këtë mendim me vete mu kujtua një episod nga jeta ime…

8 Mars, festa e nënës… Sapo kisha kryer turnin e tretë në punë dhe ashtu pa gjumë në sy, nxitimthi më erdhi në mendje t’i bëja dhuratë të shtrenjtës time një buqetë të freskët lulesh. Në atë ditë të shënuar sheshet, rrugicat, trotuaret e Tiranës gëlojnë nga shitësit e luleve shumëllojshe. Sytë më mbetën tek një buqetë me karafila të bardhë dhe të kuq! Ishin kompozuar aq natyrshëm! Nuk e mendova shumë, atë zgjodha! Shitësi i sjellshëm mi zbukuroi sipas dëshirës. I mora dhe përshkova gjithë distancën në këmbë deri në shtëpi.

Ç’të të tregoj! Ato pak metra rrugë që përshkova, m’u dukën si të ishin kilometra, nga të gjitha ato shikime të çuditshme, vështrime që hasa rrugës! Burra që vinin përballë meje, lehtë hidhnin ndonjë shikim dhe me nje ngërdheshje në buzë, se çfarë i thoshin bashkëshoqërueses në krahë. Të tjerë me një vështrim tallës vinin buzën në gaz teksa më shihnin me buqetën në dore! Djem të moshës time më kundronin të çuditur, sikur në vend të kish zbritur vetë mesia! Nuk arrija ta kuptoja çfarë kish të çuditshme aty?!

Kaq të vështirë e kemi ne, meshkujt shqiptarë, sikur një ditë nga jeta jonë ta heqim, të zhvishemi nga ajo ego e lartë e sëmurë mashkullore, që na ka shoqëruar një jetë të tërë dhe të rrëmbejmë një buqetë me lule…të mos kemi turp nga njëri-tjetri, të mos intimidohemi se ç’do thonë lagjia, shoku, shoqja. Ta rrëmbejmë atë buqetë dhe ashtu të dalim, të shëtisim dhe të kemi kënaqësi, që ajo gjë që po mbajmë në duar me aq dashuri do bëjë një person të lumtur, do të suprizojë dikë dhe do t’ia bëjë pse jo, ditën edhe më të bukur!

E dini pse ndodh kjo? Sepse ne, meshkujve shqiptarë na duket vetja të femërizuar nëse do të mbajmë me vete gjatë një buqetë me lule… na duket sikur burrëria na ka shkuar, na ka ikur… sikur bëhemi më të ndjeshëm, më të butë, delikatë dhe të dobët. Edhe këtë nuk e përtypim dot! Ne harrojmë që ndonjëherë këto gjeste na bëjnë xhentëllmena të vërtetë! Shumë syresh “shfajësohen” duke pretenduar se nuk janë mësuar me këto gjeste telenovelash, ca të tjerë e mendojnë se kjo nuk ka qenë kurrë pjesë e ritualeve të kulturës tonë… Unë nga ana tjetër, s’e vura fare “ujin në zjarr” atë ditë… ashtu serbes-serbes ecja rrugës dhe mbaja drejt, fort buqetën, si një trofe, i cili dukej sikur kish marrë vëmendjen e të gjithëve! Shkova drejt e në shtëpi i gëzuar dhe iu drejtova nënës sime me duart përpara dhe me urimin në majë të gjuhës, kur si përgjigje marr: “Po pse ke harxhuar lekët mor bir! Të kanë kushtuar shumë!”

Edhe pse kujdesi i tepruar dhe meraku i nënës do jetë përherë i pranishëm në çdo situatë, me këtë suprizë të vogël arrita ta beja atë të qeshte e të qante bashkë! Po sa vlenë gjithë ato shikime tinëzare e tallëse rrugës, kur unë në fund të fundit bëra njeriun më të rëndësishëm të jetës të buzëqeshte? Sigurisht që nuk vlenë një hiç…Këtë duhet të mendojmë përherë ne, meshkujt e pazbutur shqiptarë, kur na vjen zor, turp, marre, kur marrim një buqetë lulesh ndër duar…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.