OPINION

Jo më bixhoz me të ardhmen tonë!

07:32 - 19.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeshantazhi mbaroi me zhvillimin e qetë të zgjedhjeve më të deformuara dhe të trishta në historinë e pluralizmit tonë politik këta 29 vjet, atyre të 30 qershorit 2019. Tensioni i ngritur në kupë të qiellit edhe në vatrat tona familjare u shkri si kripa në ujë nga qetësia e atyre që shkuan të votojnë dhe po qetësia e atyre që i injoruan këto votime. Tani që ujërat u qetësuan jo pak, si qytetarë nuk pranojmë asnjë blof të ri turbullimi të tyre përsëri. Në emër të disa idealeve që politikanët tanë kallpë na i përsërisin e na i përsërisin. Dhe sa më shumë na i thonë, aq më të pabesueshëm bëhen. Nuk është lojë datash dhe as zgjedhjesh. Si shqiptarë zgjedhjet problematike nuk është se i kemi të keqen më të madhe. Ato kanë qenë gjithnjë të tilla, me blerje votash dhe ndërhyrje abuzive e gati edhe me dënim penal nga të gjitha partitë kryesore te ne. Vendi problemin madhor e ka te mosndërshkimi në dekada tashmë i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin dhe me pronën private e publike bashkë. Duhet në një mënyrë ose tjetër t’i themi ‘jo’ këtij bixhozi të pamoralshëm blofesh dhe datash zgjedhjesh. Të shohim biznesin tonë kryesor e madhor për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Ai është një dhe quhet reforma në drejtësi. “Po pse një dhe jo dy?”, mund të pyesë dikush. “Ku e lë integrimin evropian?”.




Sepse integrimi evropian i Shqipërisë është bërë njësh, bashkuar me reformën në drejtësi. Në vendet e Bashkimit Evropian do të duan të na i hapin bisedimet për anëtarësim, do ta bëjnë këtë tetor vetëm nëse reforma në drejtësi përparon më tej. Deri tani, në një vit veting (kontrolli për aftësitë profesionale dhe origjinën e burimeve të jetesës) të 141 gjyqtarëve dhe prokurorëve (nga 800 syresh që kemi), 52 gjyqtarë dhe prokurorë janë përjashtuar nga sistemi si të paaftë, ose ngaqë nuk kanë arritur të justifikojnë pasurinë e krijuar. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Evropës, madje edhe te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Disa syresh po shohin nga shembulli shqiptar i vetingut, për të larë hesapet me gjykatësit e tyre të paaftë dhe të korruptuar. Sistemi ynë gjyqësor ka qenë deri tani emblema e korrupsionit dhe e Shqipërisë së kapur e të vjetër. Gjyqtarët e korruptuar kanë shpëtuar politikanët e korruptuar, në këmbim të lirisë së tyre për të abuzuar me drejtësinë dhe për t’u pasuruar duke shitur vendimet gjyqësore. I kanë shpëtuar edhe në rastet më flagrante të abuzimeve dhe të vjedhjeve të pushtetarëve. Duke e vendosur dhe madje betonuar antikulturën e mosdënimit. Duke shkurajuar fort kësisoj shpresat e shumicës së qytetarëve të këtij vendi se Shqipëria jonë bëhet.

Kjo tashmë është ngulitur thellë edhe në besimin e të rinjve dhe përbën ndoshta krimin më të rëndë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Shoqëria jonë e ka me ta (të korruptuarit mes tyre) vetëm nga kjo mynxyrë që i kanë dhënë vendit. Jo! Nuk është vetëm dhe thjesht ana ekonomike pse duam të ikim sa hap e mbyll sytë nga vendi ynë. Nga vendi po largohen edhe sipërmarrës të suksesshëm. Gjyqësori i korruptuar ka plagosur rëndë shpresën e drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës tek të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi. Por, sikurse thotë me të drejtë latini, shpresa është ajo gjë sa e brishtë, aq edhe e fortë dhe rezistente.

Ajo është e fundit që vdes. Prandaj edhe Shqipëria nuk është dorëzuar akoma. U desh ambasadori Lu tri vite më parë të na e ngjallte shpresën e venitur. Ai pishtar me ndryshimet kushtetuese për reformën e drejtësisë që ai ndezi (Lu i detyroi deputetët mosbesues t’i miratonin kokulur ndryshimet) bën dritë akoma. Kjo dritë do të na afrojë me Bashkimin Evropian. Është e vetmja. Ka nisur të na afrojë. Deri tani është konsideruar një histori suksesi. Duhet thjesht vetingu të vazhdojë i patrazuar dhe sikurse e theksoi pardje zëvendësndihmës sekretari i Shtetit në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën dhe Azinë, Filip Riker, asnjë kompromis politik nuk duhet të ngjizet në dëm të reformës në drejtësi. Ajo është margaritari ynë, ylli i veriut. Dhe duhet ta mbrojmë fort nga çdo tentativë për bixhoz e blofe politike, që do të rinisin furishëm nga shtatori e këtej.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.