DOSSIER

“Si u zbulua lidhja e fshehtë me diplomatin e huaj”, mjeku i Enver: Agjentët përgjonin nusen e Bashkim Shehut

15:13 - 19.07.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në përshkrimin që i bën Isuf Kalo profilit të Marjetës, gruas së djalit të Mehmet Shehut në librin “Blloku”, ai thotë se nusja e ardhur nga provinca, qysh në fillimet e bashkëjetesës theu tabutë e Bllokut.Ajo, thotë Kalo, kishte ardhur në atë mjedis të ndaluar jo si një e re militante, por për të shkëlqyer e triumfuar me freskinë dhe hiret e saj ndaj shoqeve dhe banorëve të atyshëm, si nuse, si femër dhe mbase edhe në ëndrrën e “Miss Bllokut”.




Një “tronditje” e rregullave dhe e normave skrupuloze për veshjen, sjelljen, paraqitjen dhe imazhin e të rinjve u ndie një ditë brenda Bllokut. Atë e krijoi M., një vajzë e re e sapomartuar me djalin e vogël të Mehmetit. Ajo erdhi me një temperament të zjarrtë në mjedisin elitar të Bllokut, me gardhe e mure paragjykimesh, të dukshëm e të padukshëm. Vajzë vetëm 16-17-vjeçare, që rridhte nga një familje e thjeshtë me banim në Durrës, fizikisht tërheqëse, me arsimim të paplotësuar, me dinamizëm rinor dhe gjeste prej adoleshenteje pa komplekse, ajo demonstronte një krenari dhe siguri autentike, sikur gjithçka e pëlqyeshme dhe e dëshiruar prej saj ishte e lejuar dhe e arritshme.

Dukej sikur kishte ardhur nga provinca në atë mjedis të ndaluar për njerëzit e zakonshëm, jo si një e re militante, as si “e re shembullore komuniste”, siç trumbetohej në kësi rastesh nga propaganda partiake, por për të shkëlqyer e triumfuar me freskinë dhe hiret e saj ndaj shoqeve dhe banorëve të atyshëm si nuse, si femër dhe mbase edhe me ëndrrën e “Miss Bllokut”. Spontanisht, në kontekstin e adoleshencës disi të përndezur të saj, ose për të sfiduar moralizimin e sertë dhe tabutë erotike e sentimentale të regjimit, e veçanërisht ato brenda Bllokut, ajo guxoi të “paimagjinueshmen”.

Ndërkohë që ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ajo krijoi lidhje, takime e flirte të fshehta në parqe e lokale nate me një të huaj, i quajtur A., punonjës i Ambasadës Franceze në Tiranë. Agjentët e Sigurimit nuk u besonin syve tek i shihnin bashkë, por ishin të detyruar t’iu raportonin shefave “hatanë” që po ndodhte. Këta, të trembur se kjo ndodhi e pabesueshme mund të interpretohej në instancat e larta si gënjeshtër apo shpifje ndaj Kryeministrit famëmadh të vendit, preferonin heshtjen dhe e fshehën disa kohë gjithçka si të mos kish ekzistuar. Por “gazeta gojore”, që përhapej gratis me shpejtësi te njerëzit, zhurmonte. Nga një takim që kam pasur me Bashkimin në atë kohë, dukej që ai ishte tërësisht i dashuruar me atë vajzë bukuroshe. Ishte i dominuar dhe i dorëzuar shpirtërisht ndaj saj. Ai dukej Romeo i sinqertë, i vërtetë. Bashkimi njihej atëherë si një prej “juniorëve rebelë” të Bllokut. Ai e adhuronte thellësisht Kadarenë dhe, falë talentit letrar që kishte, ëndërronte, madje kishte filluar që t’i ngjante atij, duke shkruar jo konform formës e stilit letrar që predikohej e dominonte asokohe.

Mbase edhe përzgjedhja e M. si shoqe jete me atë temperament rebel e sfidues, nuk ishte e rastit, por i shkonte për shtat linjës, shijeve dhe parimeve individuale liberale, jokonvencionale të tij. Duke e gjykuar retrospektivisht, në kahun tjetër lidhjen e tyre dhe fundin dramatik të saj, është vështirë ta thuash, se po aq e thellë ishte e dashuruar nga ana e saj edhe M.

E kam takuar atë rrallëherë, por nuk pretendoj se e kam njohur. Fillimisht, M. besoj të jetë ndier me shumë fat dhe e lumturuar, si në qiellin e shtatë, për lidhjen me një djalë të tillë, simpatik, i ndjeshëm e romantik nga Blloku, me prindër të famshëm e të fuqishëm, madje dhe ai vetë djalë i talentuar dhe i pasur shpirtërisht. Megjithatë, binin në sy tek ajo shenja narcisizmi, një kurajë befasuese dhe mënyrë komunikimi pa droje. Ajo ishte e ndërgjegjshme për hiret femërore të saj, çka e bënte të sillej e shpenguar dhe dominuese. Ndërkohë, vështirë të pikasje tek ajo brishtësi, butësi e ndjeshmëri prej Zhuliete. Ngjarjet më pas treguan se ajo ndoshta u vel nga martesa, pasi e pat “konsumuar” atë, ose sepse në rrethanat e reja që iu krijuan pas vetëvrasjes së Mehmetit, rënies së familjes Shehu në fatkeqësi dhe burgosjes së të shoqit, martesa me të iu bë pengesë për mbijetesën e vetë asaj dhe sidomos të dy fëmijëve ende të mitur që kishin bashkë e që duheshin rritur.

E them këtë bazuar në mënyrën pragmatike, por disi të vrazhdë, me të cilën ajo u divorcua me të shoqin, me kërkesë të njëanshme të saj. Kërkesa u bë ndërkohë që Bashkimi përjetonte gjendjen e fatkeqësisë pas vetëvrasjes së të atit, duke qenë edhe vetë i prangosur në Burgun e Burrelit. Gjyqi i divorcit të tyre ishte unikal për nga lloji. Ai u zhvillua në mjediset e trishta të burgut. Bashkimi nuk e dëshironte divorcin.

Kur u pyet nga gjykatësi, ai tha se “e kishte dashur dhe e dashuronte gjithmonë të shoqen dhe se përveç saj dhe dy fëmijëve që kishin bashkë, nuk kishte të tjerë njerëz të dashur në jetë. E dua M., sepse me të më ka lidhur dashuria dhe vetëm dashuria. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk mendojmë kështu të dy”. “E thënë ndryshe,- vijoi ai,- unë nuk mund të figuroj formalisht i martuar me një grua që nuk më do më”. M., me sinqeritet apo më shumë e detyruar nga rrethanat, dëshmoi se nuk e donte më.

Ajo, e palëkundur, iu përmbajt kërkesës së depozituar për ndarje me shkrim në Gjykatë dhe u largua vrullshëm pas legalizimit të ndarjes, sikur kish frikë se mos pendohej. Iku pa i dhënë dorën të shoqit dhe as të atit, i pranishëm edhe ai aty, por jo miratues i atij divorci. Sidoqoftë, askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë vendimin e dhimbshëm, dramatik të saj në dualitetin mizor të zgjedhjes mes burrit, i burgosur politik, me gjasa të kalbej aty për disa dekada, dhe dy fëmijëve të vegjël që prisnin prej saj t’i ushqente dhe t’i rriste e vetme, pa të. E vetmja gjë që mund të thuash është se askush nuk i parashikon dot lodrat e çuditshme e të befta të fatit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.