Ekonomi

Sigurimi nga zjarri, AMF: Tregu shënoi rënie me 28% gjatë këtij viti

20:30 - 19.07.19 Gazeta Shqiptare

Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti shqiptarët po sigurohen edhe më pak për dëmet nga zjarri dhe nga forcat e tjera të natyrës. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për pesë muajt e parë të vitit, primet e sigurimit për këtë kategori ranë në vlerën e 464 milionë lekëve, 28% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.



Klasa më e rëndësishme e sigurimeve vullnetare zë një peshë mjaft të ulët në strukturën e të ardhurave të siguruesve shqiptare, me vetëm 7% të primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave nga AMF në shumicën dërrmuese, primet vijnë nga sigurimet e detyrueshme, si sigurimet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta apo sigurimet e jetës dhe pronës, të kërkuara nga institucionet e kredidhënies. Rritja e sigurimeve të mirëfillta vullnetare ngelet e vështirë, për shkak të kulturës modeste të sigurimeve, por edhe përpjekjeve të pamjaftueshme të kompanive për ta zhvendosur fokusin e biznesit të tyre te sigurimet vullnetare. Për 5-mujorin e këtij viti, raporti mes dëmeve dhe primeve në sigurimin ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës ishte 20%, ndjeshëm më i ulët krahasuar me sigurimet e detyrueshme motorike. Në afatin e gjatë, edhe për vetë kompanitë do të ishte shumë e leverdishme një rritje e peshës së sigurimeve vullnetare në strukturën e primeve, sepse gjasat për të pësuar një dëm janë më të ulëta krahasuar me sigurimin e automjeteve.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *