KULTURË

“Za Fest” kthehet në Theth me 2 gusht, një log kënge e mendimi

17:00 - 19.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në një vend të cilin koha e ka izoluar gjatë dhe që sot përmban në vetvete pasurinë e thesareve të harruara. Vendi ku frymojnë humbur thellë këngët legjendare, tregimet e Orëve, flokët e Zanave, të cilat jetojnë në shpirtin e erës. Era që vallëzon majave të maleve, për t’u ulur më pas mbi kryet e njerëzve të këtij vendi me zemër të madhe. Është pikërisht Thethi, vendi ku merr jetë “Zâ-Festival”.




Festivali do të zhvillohet në datat 2-3 dhe 4 gusht në Theth.

risia kryesore e këtij festivali është takimi, Logu i ‘Za-Fest’,  ku njerëzit mes bisedave të shkëmbejnë eksperienca edhe ide, duke qenë aktiv për të ndryshuar diçka në jetën e përditshme, ku mbase njerëzit që janë shumë të lodhur, nuk kanë më forcë fizike që të reagojnë.

Një festival që ka si qëllim rizgjimin e shpirtit të këtij vendi, rikthimin e vëmendjes drejt kësaj perle të veriut të Shqipërisë dhe shndërrimin e saj në pikën e takimit të kulturave të ndryshme përmes artit si gjuhë e përbashkët “Zâ- Festival” vjen dhe si një përgjigje kundërshtuese ndaj harresës me të cilën janë përcjellë banorët e këtij vendi për shumë kohë, duke i ofruar kështu këtij vendi, për herë të parë, një përfaqësim të këtyre përmasave.

‘Zâ Fest’ është krijuar nga Vlashent Sata në gusht të 2017 me idenë e krijimit të një strukture që rizgjon vlerat shqiptare, kultivon artin i cili bashkon njerëzit në gjuhët e tij universale; ndihmon popullatën vendase në pikëpamje sociale; zhvillon ekonominë lokale, rajonale dhe kombëtare; ruan natyrën dhe përgjegjëson në raport me të.
“Dëshira për realizimin e këtij festivali ka lindur e frymëzuar nga artistë të tjerë, që kanë dashur përherë që të jenë të angazhuar për të bërë diçka për Shqipërinë. ‘Za-fest’ ka lindur vetëm me idenë për të pastruar Thethin, ku arti të ishte një formë përbashkuese për të pastruar natyrën. Ky ka qenë çelësi i parë, që ne të bëjmë diçka për vendin, që të pastrohet nga mbeturinat, por në të njëjtën kohë ka qenë që të sillnim diçka kulturore, që ne e shikojmë në të gjitha vendet e botës, duke bashkuar artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Por edhe njerëzit që janë në Theth, t’i trajtojmë jo si njerëz të izoluar, por me njerëz, që kanë shumë vlera, sikundër është edhe mikpritja”, tha drejtori Artistik i Festivalit, Vlashent Sata.

‘Za-Fest’ është një festival që bashkon artistët nga mbarë bota për të bërë bashkë artin në një dimension tjetër. Në këtë edicion kemi të ftuar artistë shumë të njohur, si Elina Duni, Arben Bajraktaraj apo edhe Vlashent Sata, Bob Berkey Clown, që do të jenë me performancat e tyre në festival. ‘Za-Fest’ është krijuar për të shkrirë kufijtë, edhe i gjendur në një terror mes Alpeve,  edhe një vendi që është i lënë pas dore nga infrastruktura edhe zhvillimi social, dëshira e Satës është që ky festival të shkojë pikërisht atje. Pasi ne kërkojmë që t’i bëjmë vendasit që të kuptojnë se me artin ka zhvillim. Veriu i Shqipërisë ka nevojë për më shumë aktivitete, sepse ‘Za-Fest’ është i vetmi që zhvillohet atje”, shprehet Arbana Rica, organizatore e festivalit.  Kush jemi ne? Çfarë bëjmë edhe ku do të shkojmë? Në datën 4 gusht do të bëhet një bisedë e hapur në Logun e Kishës, ku do të diskutohet për rininë.

“Ku është rinia shqiptare sot? Si është raporti i saj me tokën? Për këtë do të jenë prezentë antropolog edhe filozofë, së bashku me publikun e thjeshtë”,-shton Rica.

Ky festival synon të ndihmojë në bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë vendas, fqinjë e nga vende të ndryshme të botës duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor. Dhe ku mund të ndodhë kjo më mirë sesa në një “skenografi” përrallore e që ofron një energji magjike?! Jo më kot i quajtur Zâ (gegnisht za, zani, zeri) një nga pikat më të forta të “Zâ- Festival” është muzika. Zëra magjepsës që kumbojnë mes maleve madhështore të Thethit, duke përcjellë një emocion e ndjesi të pa provuar më pare. Një tjetër veçanti e këtij festivali është rizgjimi i kulturës shqiptare përmes gojëdhënave, tregimeve, legjendave dhe përrallave të moçme. Një udhëtim në kohë i shoqëruar nga interpretimi emocionues i Arben Bajraktaraj, një nga aktorët shqiptarë më në zë në Francë e më gjerë.

QËLLIMI

Në pesë vitet e ardhshme është që ‘Zâ Fest’ të jetë një nga festivalet pilot në rajon e që numri i frenkuetuesve të festivalit të dyshifohet për çdo vit, duke krijuar një traditë mbarëkombëtare të shqiptarëve të gjithë rajonit që mirëpret edhe me fqinjët tanë; sikurse edhe më shumë të huaj nga mbarë Bota që vijnë në Shqipëri posaçërisht për këtë ngjarje e që i shërbehet jo vetëm natyra e bukur, por edhe ngjarje që prezantojnë Shqipërinë në mënyrë dinjitoze. ‘Zâ Fest’ kërkon të jetë i shumë-anshëm; kulturor, social, politik, dritëdhënës e mbi të gjitha përbashkues. Dukë u vendosur rreth rrafshit të Shkodrës ‘Zâ Fest’ kërkon të zhvillojë më shumë aktivitetet e tij në veri të Shqipërisë duke pasur parasysh që kjo zonë ka më shumë nevojë për zhvillim në të gjitha drejtimet e sidomos artistik, si një krahinë që ka exportuar shumë artistë e talente edhe jashtë vendit. Sigurisht ‘Zâ Fest’ në bazë është krijuar për të qenë pilot dhe mund të zhvendoset në të gjithë Shqipërinë dhe në vende si Kosova, Mali i Zi, Maqedoni, apo edhe më tej. Një  kombinim i muzikës, arteve pamore dhe aktiviteteve sportive me natyrën e bukur të Thethit! Në bazë ‘Zâ Fest’ ka muzikën, gojëdhanat dhe shëtitjet në natyrë, i janë shtuar poezia, joga dhe kinemaja verore. Ftesa e artistëve të huaj të njohur në rajon dhe në Botë është qëllimi më i madh për ti dhënë Shqipërisë njohje dhe hapësirë mikpritëse. Dëshira është që grupe si Bjork apo Radiohead të mund të shkelin Shqipërinë nëpërmjet ‘Zâ Fest’ dhe kauzave që ky festival mbron siç është ajo ambientaliste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.