KULTURË

Zbrazet Teatri Kombëtar? Aktorët: Bastisje, mund t’i vënë flakën

18:00 - 19.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli – Nuk është ende e qartë nëse ka nisur gjatë natës apo paraditen e djeshme, dalja nga godina e mbyllur e Teatrit Kombëtar e disa pakove. Lëvizjet pranë ndërtesës së braktisur, që kur qeveria ka marrë vendimin për ta shembur që përmes një PPP-je ia jep privatit truallin për të ndërtuar mes të tjerash edhe një teatër, janë dukur të dyshimta. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që prej më shumë se një viti mban protesta të përnatshme ka ngritur alarmin, ndërsa në qarqet artistike flitet se së shpejti edhe Teatrit Eksperimental  do t’i shkojë një urdhër për të lënë ambientet, sipas bisedave paraprake dhe kërkesave të pashkruara që i janë bërë më herët gojarisht. Duke qenë në dijeni të të gjitha bisedave, duke qene prej më shumë se 380 ditësh në protestë, edhe kur ishin të gjithë, edhe kur e braktisën shumica, edhe në të nxehtin e verës, edhe në ngricën e dimrit, edhe kur iu hoqën shkronjat, edhe kur vetë ata ia rivunë shkronjat, pjesëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit mbërritën edhe dje mes dy teatrove që kërkohet të sakrifikohen për një. Në vijim, ata nxorën edhe një deklaratë.

“Sot në mëngjes, Ministria e Kulturës ka urdhëruar zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Duket se dyshja Rama-Veliaj po hedhin hapat e parë konkret për shembjen e kompleksit teatror dhe grabitjes së truallit publik.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka deklaruar prej kohës qëndrimin e saj të prerë në lidhje më këto hapa: TEATRI NUK DO TË SHEMBET!!! Pushteti politik mund t’i trimërojë hajdutët, por nuk ka për t’i shpëtuar përgjithmonë. Teatri do mbrohet, edhe me gjak po të jetë nevoja, dhe kushdo që do guxojë të ngrejë dorën ndaj tij do të gjykohet e do të paguajë shumë shpejt pasojat e vendimeve të marra sot. Hiqni dorë nga kjo marrëzi para se te jetë vonë për Ju!”

Sipas Aleancës, shteti kapet sërish në mënyrë flagrante në vjedhje. “Burracakërisht tentuan sot ta zbrazin Teatrin Kombëtar, por u zmbrapsën sërish për sa kohë ka njerëz që reagojnë. Ne e dimë që beteja do jetë e vështirë, por e dimë që në fund do ta fitojmë ne jo vetëm Teatrin, por edhe luftën për demokracinë!”

Regjisori, Edmond Budina ka reaguar menjëherë pas lajmit se ka lëvizje nga teatri e prej aty po dalin pako kartoni. Si shumë të tjerë e ka cilësuar si një paralajmërim për shembjen e tij. Budina e pa këtë si ky provokim dhe vuri në dukej se media u ndalua të xhirojë nga brenda godinës.

“Duan të vjedhin truallin dhe Teatrin Kombëtar për të pastruar paratë e pista. Por le ta ndërmarrin këtë hap dhe do ta shohin reagimin që do të marrin, ne do të jemi këtu. Dikush tha që ky urdhër ka ardhur nga ministria por nuk kemi parë një dokument për këtë gjë. Është kthyer dy herë nga Presidenti i Republikës ky ligj që në mënyrë më kriminale dhe mafioze po tenton të shemb Teatrin. Kjo hipokrizi në këtë vend në këtë formë duhet të marri fund dhe qytetarët e Tiranës duhet të reagojnë dhe t’i japin përgjigje”, tha regjisori.

Për Kastriot Çipin, ish-drejtor Teatri, shembja nuk mund të bëhet deri në shtator, por mund të ketë një ‘zjarr aksidental’ siç ndodh shpesh për zhvillimin e biznesit. “Por zjarrvënësit duhet të dinë se nëse bie zjarr aksidentalisht në Teatër, mund të bie gjithandej edhe në ndonjë shtëpi në Surrel. Përvoja tregon se zjarri bie aty ku nuk ka njerëz që punojnë, kështu ka ndodhur edhe në disa qytete të tjera, kështu mund të ndodhi edhe me Teatrin Kombëtar”, tha Çipi. Regjisori Çipi, tha se për shkak të mbylljes së sesionit parlamentar nuk mund të ketë lëvizje para muajit shtator.

Më tej, aktorja Adriana Tolka tha se sa më shumë “këmbëngulin ata, aq më tepër më shtohet urrejtja për këtë akt që po ndërmerr qeveria. Është koha të veprojmë, ata me plane konkrete ne me reagime konkrete. Mund të bëjmë gjithçka, e kemi thënë edhe më parë, do të përplasemi trup me trup me ta”.

 

67442428_567233667139869_4166375618675474432_n 66861772_638365053315841_640689235141066752_n 67301677_647304509117321_4507346307731423232_n 67247417_2398502430231022_8473796945444339712_n 66599633_389473568374705_8104035686148997120_n
<
>

Elma Doresi: Godina po qan…

Nga Elma Doresi

Kështu e nisi rrëfimin djali i fshatit për qendrën kulturore.

Kur hyra brenda ai si i ndjerë me turp më tha : Shiko, do të të tregoj pas skenës dhomën por… E ndalova duke i thënë: E di çfarë do shoh…Dhe në fakt nuk gabova. Mu duk sikur hyra në një ambient që kisha qenë më parë: atë të skenës dhe pas saj.

Mure të rëna.

Myk.

Ambient i vjetëruar.

Pa ngrohje.

Lagështirë.

Isha në Teatër!

“Nuk di nëse të ngushëllon fakti se kështu janë sallat edhe ne Tiranë” i them djalit të ri.

“Por është gjynah” vazhdoj ai.

Mua më dhembi shumë. Të gjithëve na dhembin këto godina, përveç atyre: Politikaneve. Ata na shohin si kllounate. Vijnë të argëtohen aty dy orë, të japin ato ndjesitë momentale, ndoshta dhe një koment në Facebook (ndoshta) dhe pastaj zhduken e ashtu zhdukemi edhe ne për ta bashkë me godinën.

“Godina po qan”.. Me preku shumë kjo fjali dhe mu kujtua se vërtetë një godinë po qan: Ajo e Teatrit Kombëtar. E braktisur prej një viti. Çdo natë, qoftë dimri kur ne qëndrojmë në shtëpi sepse është ftohte apo në verë kemi zgjedhur detin pasi bën shumë vapë, aty qëndrojnë QËNDRESTARET për ta mbrojtur… Por përsëri, godina po qan. Buzëqeshjen ajo mund ta marrë vetëm nga artistët, ashtu siç e ka marr përherë dhe pse i sakatuar dhe çalaman, përherë brenda tij kemi marr “ushqimin” dhe kur kemi dal pas tij kemi thënë: U kënaqëm!

M’u kujtua një artiste në prag pensioni kur ju drejtua një politikani i cili kishte ardhur në takim (si të gjithë) për t’i bindur se ai ishte ndryshe (si të gjithë dhe ky). Zonja mori mikrofonin dhe tha:

– A na doni vërtetë djalë? Pasi për pak ditë dal në pension dhe këtë fjali e kam dëgjuar përherë, por në fund, ka rezultuar se i vetmi që na do, që na pret pas shfaqjes këtu jashtë ka qenë: Publiku!

Godina po qan për ty që luajte Hamletin, për ty që luajte Ofelinë, për ty që bërë diplomën aty, për ty që shërbeu si trampolinë, për ty që të dha mundësinë e rolit të parë, për ty që erdhe për herë të parë, për ty që u realizove aty, për ty që hëngre aty.. Godina po qan, e vetëm ti mund t’ia ndalosh lotët e t’i sjellësh buzëqeshjen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.