KULTURË

Akademia i kërkon Metës të rishqyrtojë Gjinushin, zëra kundër

21:00 - 20.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Saga e Akademisë së Shkencave ka vazhduar edhe këtë të premte në institucionin më të lartë të shkencës në vend. Ajo që duhej të ishte godina prej ku u jepet zgjidhje çështjeve me rëndësi madhore për kombin e shtetin, ia ka mbërritur të kthejë veten në vatër kaosi, që prodhon situata qesharake deri në dhimbje.
I zgjedhur pa pasur kundërshtar në zgjedhjet e 24 majit, në kundërshtim me ligjin pasi ishte edhe akademiku kandidat ishte ende kryetar partie, Skënder Gjinushi refuzon të pranojë dekretin e presidentit Ilir Meta që refuzon emërimin e tij në krye të ASH-së. Kësisoj, një javë më parë, ai mblodhi këshillin ekzekutiv ku bën pjesë dhe është kryetar dhe vendosi të mbledhë asamblenë e akademisë dje, për të kërkuar qëndrimin e tij në ASH përkundër vendimit të Metës. Por duket se e premtja nuk ka qenë e lehtë për të.




Në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Asamblesë së Akademisë së Shkencave (me dyer të mbyllura), mbajtur pas dekretit të Presidentit të Republikës, nënkryetari i ASH (nga kryesia e re), Vasil Tole, në një deklaratë për mediat njoftoi se akademia do t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare institucionit të presidentit, për të rishqyrtuar qëndrimin sa i përket emërimit të kryetarit të zgjedhur, akademik Skënder Gjinushit. “Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pasi u njoh me propozimin e Këshillit Ekzekutiv, vendosi të mbështesë propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit të Republikës të rimarrë në shqyrtim qëndrimin e tij, duke dekretuar emërimin e akad. Skënder Gjinushi”, u tha në njoftim duke shtuar se zgjedhjet “janë kryer në përputhje të plotë me të gjitha rregullat e procedurat ligjore e statutore dhe si gjatë procesit e më pas, nuk ka pasur asnjë ankimim ligjor, as pranë Asamblesë, as pranë Gjykatës Administrative, të vetmet organe që kanë kompetencën për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimit të Asamblesë, çka ka bërë që prej datës 24 qershor 2019, vendimi nr. 7 të marrë formën e prerë dhe të bëhet i pacenueshëm”.

Por, përtej këtij njoftimi të thatë, që anashkalon argumentin kryesor të presidentit që ishte Gjinushi akademik i rregullt dhe kryetar partie, e Gjinushi kryetar akademie e kryetar partie, sa i përket argumentit kryesor që Presidenca ka theksuar gjatë mosdekretimit të kryetarit të Akademisë, Skënder Gjinushi, i zgjedhur nga Asambleja, Vasil Tole tha se: “Nuk flas dot si jurist, por mund të them se institucioni i Presidencës ishte kujdesur që të theksonte faktin për arsyen e vetme ligjore, që ishte mospërputhshmëria e mandateve në të njëjtën kohë. Pra, në atë kohë pretendohet që Gjinishi kishte edhe statusin e Akademik i Rregullt edhe statusin e kryetarit të partisë. Përmes dokumentacionit që u rishqyrtua edhe një herë në mbledhjen e asamblesë, ne jemi të bindur, që nuk ka qenë kryetar partie prandaj i kërkojmë Presidentit që të rishqyrtojë këtë vendim”.

Tole shton se ligji i ri jep zgjidhje, nëse Presidenti nuk e dekreton as pas kësaj kërkese, kryetarin e zgjedhur nga asambleja. “Në ligjin e ri të Akademisë ka zgjidhje se si veprohet në raste të tilla. Ligji i ri akoma nuk ka hyrë në fuqi, por nëse nuk gaboj, nëse do të ketë edhe një dekret refuzimi lihet në dorë të Asamblesë shqyrtimi i kësaj. Nëse Asambleja i qëndron vendimit të parë, atëherë kryetari i zgjedhur vazhdon detyrën”.

Gjatë këtij takimi i pranishëm ishte edhe akademiku Artan Fuga, i cili përpos që u kërkoi medieve që të jenë prezent në këtë mbledhje gjithashtu ka këmbëngulur, që mos t’i dërgohet një tjetër kërkesë Presidentit të Republikës, Ilir Metës, për rishqyrtim të dekretit. Burimet thonë se në mbledhjen që zgjati për rreth 2 orë morën pjesë 22 akademikë, nga 44. Në mbledhje pati katër zëra të ndryshëm për si mund të procedohet më tej me ngërçin e Akademisë, ndaj ajo që deklarata nuk e thotë është se vendimi për t’i ripropozuar Metës emrin e Gjinushit, nuk ka qenë një vendim unanim. Burimet shtojnë se edhe me votim të hapur u aprovua me një votë kundër vendimi për rishqyrtimin e kryetarit të zgjedhur. Ndërsa gjatë mbledhjes, ka pasur disa debate e propozime. Propozimi i parë i diskutuar në mbledhje ishte: që të ngarkohet njëri nga akademikët që të bëjë rolin e kryetarit në detyrë, pasi në kushtet e dhëna, kryetari aktual nuk mund të jetë më në detyrë. Ka pasur akademikë që nuk kanë qenë dakord që presidentit t’i kërkohet rikonsiderimi i Gjinushit. Akademikët kanë pranuar se Akademia nuk është gjykatë dhe nuk mund të shqyrtojë një dekret. Ka qenë vetë Skënder Gjinushi, thonë burimet, që ka kërkuar të dilet me termin “rikonsiderim”, duke e konsideruar dekretin e presidentit një lapsus të këshilltarëve të presidentit. Një tjetër zë brenda akademisë është shprehur se mbledhja është e paligjshme dhe koncepti rikonsiderim nuk ekziston në jurisprudencën shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.