Kosova

Ikën Haradinaj, DASH: Mirëpresim bashkëpunimin me prokurorinë

08:10 - 20.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë të shkurtër për Zërin e Amerikës se ka mësuar që Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës.




“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e tij të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.

Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.

Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.

Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.

Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë cdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tash i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.

Dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarrisë edhe më tej përpjekjet për ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.