Intervista

Alban Beqiri, boksieri 25-vjeçar që nuk njeh humbje

14:25 - 29.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Për vite me radhë, Shqipëria ka spikatur në arenën e sporteve luftarake, duke u përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare e duke shënuar fitore të njëpasnjëshme. Një prej sportistëve është edhe 25 vjeçari Alban Beqiri, boksieri shqiptar, i cili ka përfaqësuar vendin tonë denjësisht. Për 8 vite ai ka qenë kampion kombëtar, për 3 vite kampion Ballkani dhe madje ka marrë titullin si boksieri më i mirë shqiptar në lojërat europiane Minsk 2019. Në një sport individual dhe luftarak si boksi, ku rrugëtimi për të marrë titullin kampion nuk është gjithmonë i lehtë, Beqiri ka arritur t’ia dalë me sukses. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, ai tregon fillimet e tij në boks, sfidat dhe synimet e së ardhmes. Ai tregon se pasioni për boksin ka lindur që në fëmijëri dhe ka arritur të korrë sukses falë përkushtimit e sakrificave për këtë sport. Beqiri thotë më tej për “GSH” se momenti më emocionues për të është përfaqësimi i flamurit kombëtar në kompeticionet ndërkombëtare, ndërkohë që shton se suksesin ia dedikon të gjithë personave që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij. Në vitin 2018-tëm në ndeshjet e turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”, turne që zhvillohet prej vitesh në Mitrovicë; Kombëtarja Shqiptare, nën drejtimin e trajnerit shkodran Zef Gjoni, ka arritur të fitojë 1 medalje ari dhe 2 argjendi. Heroi i kuqezinjve ishte Alban Beqiri, i cili mori medaljen e artë.




Kur ka nisur pasioni juaj për boksin?
Pasioni për boksin ka nisur që në fëmijëri dhe që nga ajo ditë janë bërë plot 12 vite. Këto vite kanë qenë vite të mbushura me sakrifica, përkushtim dhe pasion, sigurisht dhe shumë medalje dhe tituj në këtë sport.(qesh)

Si ka lindur pasioni juaj për boksin dhe si arrini ta kujtoni që prej fëmijërisë?
Që në fëmijëri kur fillova të angazhohesha me boks pata një lidhje shumë të veçantë me këtë sport. Por kur je fëmijë asnjëherë nuk mund t’ia dalësh pa suportin e familjes. Babai im ka qenë ai që më ka mbështetur moralisht dhe fizikisht duke qenë shtysa ime kryesore për të mos u dorëzuar asnjëherë dhe për të arritur deri këtu ku jam sot.

67221276_471811296952269_6037036748863700992_n 67271078_2268850900094406_6742921525973745664_n 67293121_723872154739187_3785025300664942592_n 67302316_2276590486004601_2466722927819620352_n 67512907_399107930712573_6737692669578838016_n 67533688_328305924786673_1872355773959372800_n
<
>

Mund të na përmendni disa prej arritjeve tuaja gjatë këtyre viteve? Cilat janë disa prej titujve që mbani sot?
Çdo përballje është e rëndësishme. Kur ti je përballë kundërshtarit qëllimi i vetëm është të fitosh pavarësisht rëndësisë që ka kompeticioni. Por normalisht si titujt më të rëndësishëm ia vlen të përmenden: 8 vite resht kampion kombëtar, kampionatet ballkanike ku kam fituar 3 vite, si dhe 4 vite arrita të mbaj titullin si boksieri më I mirë në lojërat europiane.

Përgjatë gjithë karrierës suaj, mund të ndani me lexuesit, momentin tuaj më emocionues?
Mund të them se momente emocionuese për mua veçanërisht janë ato kur përfaqësoj flamurin e vendit tonë në gara ndërkombëtare.
Nëse ju ofrohet një mundësi më e mirë jashtë Shqipërisë, a do të merrnit vendimin të largoheshit?
Ëndrra më e madhe e çdo sportisti është të përfaqësojë vendin e tij, por, nëse do të më vinte një ofertë që do të më pëlqente pse jo. Në Shqipëri, jo gjithmonë është e lehtë të merresh me sport.

Kujt ia dedikoni suksesin tuaj dhe a ka një person që iu motivon?
Suksesin ia dedikoj atyre që më kanë mbështetur dhe më mbështesin çdo ditë. Dua të përmend këtu trajnerin tim dhe boksierin legjendar Jetmir Kuçi.
Cila ishte gara juaj e fundit dhe çfarë mund të zbuloni për sfidën tuaj të radhës?
Gara e fundit ishte në datën 20 korrik në një ndeshje profesioniste ku fitova ndaj boksierit turk. Ndërkohë, sfida ime e radhës është në shtator ku sigurisht do të fitoj!

Cila është kupa që ëndërroni të fitoni?
Kampion bote është maksimumi, dhe do e kem!
Si do e përkufizonit veten me një fjalë?
Forca dhe vullneti! Këto janë dy fjalët që më përkufizojnë dhe gjej vetveten. Një fjalë është pak. (qesh)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.