DOSSIER

Kur parlamenti i Zogut hartoi projektligjin që deputetët të mbanin borsalino

18:00 - 05.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Uvil Zajmi – Historia e kapelës së famshme, me një stil të bukur, tejet e preferuar edhe në kohët moderne e ka zanafillën 160 vite kur Xhiuzepe Borsalino është krijuesi dhe themeluesi i markës së njohur dhe i modelit të veçantë që morri emrin e tij. I lindur më 1934 në Venecia, në një familje të varfër, emigron në Paris, fillon punë si nxënës rrobaqepës e pak vite më vonë merr diplomën e mjeshtrit për kapele, pasioni i tij. Kthehet në Itali, dhe me 4 prill 1857, nisur si një kapele alpine historia famëmadhe e kësaj marke, nis kur ai 23-vjeç, hap në Aleksandri të parin sektor artizanal për prodhimin e kapeleve, dhe më pas ndërton një më të specializuar (shtatë javë duhej për të bërë një të tillë), për ta transformuar më vonë në një manifaturë gjigande, duke qëndruar 43-vite në krye të asaj që ai krijoi. Gjatë një udhëtimi në Zelandën e re, ai arrin një marrëveshje me rritësit vendas të lepurit, për të marrë lëkurën me vlerë të tyre, më e lirë se në Itali, që i premtonin produkt me çmim të ulët, duke ruajtur kualitetin. Sipërmarrës i jashtëzakonshëm, inteligjent,ai gjeti mundësitë që ofronte tregu ndërkombëtare, një zinxhir me vlerë globale. Në vitin 1888, kompania arriti një prodhim deri 2500 kapele në ditë, ndërsa në 1900, ajo ishte firma më e përhapur e që eksportonte në mbarë botën, për ta bërë Borsalinon leader të kapeleve të luksit. Pas vdekjes (1900) trashëgiminë, një ndërmarrje me 1000 punëtorë ai ia la djalit Terezio, i cili tregoi se e njihte mirë zanatin e marrë nga i ati, duke e shtuar në mbi 2,500 punonjës dhe deri ditën kur shpërthen Lufta e Parë Botërore, Borsalino arrin një prodhim në 2.000.000 kapele. Për ta rikujtuar, me nismën e Bashkisë së Aleksandrisë dhe Borsalino S.p.A. u përurua një muze me fazat e ndryshme historike që karakterizonin industrinë e kapelës Borsalino, përfshirë mostrat e të gjitha llojeve të prodhuara nga krijimi, një vendosje kronologjike në një katalog (1857-2000), duke i ofruar vizitorëve rreth 2,000 kapele të formave e ngjyrave të ndryshme të paraqitura në veshjet e stilit që kanë shënuar fazat e saj, cilat ishin përzgjedhur për të mbrojtur historinë dhe trashëgiminë estetiko-kulturore.




Kapelja për burra e gra dhe ligji i ashpër i modës
Borsalino është një kapelë dimri e bërë, shoqëruar nga një kupolë në formë koni e prerë, si dhe buza e butë me gjerësi të mesme e shtrirë në rrethin e saj si një kurorë. Fillimisht një modë e grave të shekullit të njëzetë, Borsalino u përdor rreth vitit 1920 si një aksesor nga burrat e klasës së pasur, te çdo ngjyrë, por e zezë, kafe dhe e kuqe për gratë ishin më të zakonshmet. Prodhimi i kapeleve të cilësisë së lartë kërkonte përdorimin ekskluziv të lëkurës së lepurit. Popullariteti i saj u rrit në mënyrë dramatike jashtë Italisë, kjo markë u përhap gjithandej, duke pushtuar tregjet më të rëndësishme: Nga qyteti tradicional i Londrës, për të zëvendësuar Lobabin, (1930) një kapelë të ngjashme në formë, por sidomos SHBA, ku kapelet e prodhuara në Aleksandri, ishin objekt i përdorimit, frekuentimit edhe nga yjet e Hollivudit. Ndonëse dy konfliktet botërore të luftës, krizat e madhe ekonomike, patën efekte negative në drejtim të volumit të prodhimit ajo mbeti një ndërmarrje e fuqishme. Me vdekjen e Terezio Borsalinos, moda e kapeles filloi të “perëndojë” dhe numri i kapeleve të shituar në Itali e Amerikë pati rënie, që i detyroi pasuesit të reduktojnë punëtorët, të zvogëlojnë ndërmarrjen dhe ta spostojnë atë në Spineta Marengo. Nga fundvitet ’50-të në fillim të ’60-tës, Borsalino humb popullaritetin e nuk ka interesin si më parë, kryesisht në Amerikën Perëndimore e njohur për përdorimin e saj. Hollimi i lidhjeve e nyjeve, duke krijuar kapele me tehe te shkurtra, dhe për më tepër, reduktimi i madhësisë së makinave në mesin e viteve 50-të e bëri të vështirë mbajtjen e saj gjatë udhëtimit. Në fillim të viteve ’70 Borsalino u konsiderua një kapitull i mbyllur, e përdorur vetëm nga burrat e vjetër, ato nostalgjikë. Por, jo e lënë në harresë, ajo do të ringjallej e rifituar popullaritetin, edhe nga fakti se pasuesit e Xhuzepe Borsalinos, ruajtën traditën, antikitetin e saj, si pjesë e pandarë e look-ut për gra e burra, ndonëse e transformuar me ngjyra, forma, modele nga më të zakonshmet deri tek ato me shirita të zinj, me vija të bardha, verore, dimërore, moderne etj. me shifra nga 1300 deri në 1500 euro një e tillë.

ahmet-zogu-geraldina Al Kapone churchill- Clint Eastwood Depuete 1937 Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia (far right).Gani Xhengo G. Cako Giuseppe_Borsalino gjergj 4 humphrey_bogart_ingrid_bergman_ Prosi Siatra
<
>

E preferuar nga Papa, Musolini, Çurçill e Al Kapone
Kapelja Borsalino ka periudhat e shkëlqimit të saj, falë personaliteteve të mëdha, të njohur e me famë në politikë, art, sport, në veçanti aktorët dhe admiruesit e modës që e kanë mbajtur. Ndër klientët të kepeles aleksandrine, ka qenë edhe një shënjtor, Xhiovani XXIII, nga një kardinal në fillim, pastaj një Papë, mbante gjithmonë një Borsalino. Por edhe Musolini, Çurçill shoqëruar me një puro, Eduardi VIII, apo novelisti Heminguei. Por edhe nga kriminelët e njohur historisë, Al Kapone, të cilit nuk i mungonte asnjëherë kapelja mbi kokë, e cila e shoqëronte gjithmonë bosin mafioz përtej oqeanit, një dëshirë dhe kapricio e tij për ta blerë e shëtitur në Neu York me të. Në një farë mënyre kapelja Borselino, sihet kthyer në një simbol, një aureolë për personazhe që kanë kërkuar famë, në aspektin poztiv por dhe atë negativ.

Borsalino, ikona e Hollivudit, nga Al Paçino te Çaplini
Kapelja Borsaliono morri famë edhe si ikonë e kinemasë, duke qenë një pjesë e rëndësishme e saj dhe në epokën e artë të Hollivudit të gjithë përdornin Borsalinon. E preferuar dhe e adaptuar, futur në zhanrin, imazhin e gangsterit, policit, të investiguesve privatë, pasi ishte pikërisht Borsalino, hija e të cilës krijonte një personazh enigmatik. Në filmat hollivudianë të viteve 40-të, ajo është përdorur në rolet me karaktere të tilla, për të mbuluar fytyrën e mundësuar në realizimin me shumë lehtësi të aventurave më të rrezikshme. Ajo ishte e frekuentuar nga aktorë e njohur të kinematografisë të viteve 30-40-50, si Al Capone, madje i famshmi Padrino nuk mund të mos e kompletonte veshjen e tij pa Borsalinon italiane. Po kështu aktorët H. Bogart, G. Pek, K. Gebëll, aktoret G. Garbo, I. Bergman, etj. Borsalino është e lidhur edhe me Çarli Çaplinin, komikun me famë botërore, e cila e shoqëron në të gjithë filmat fantastikë xhiruar në vitet 20-të të shekullit të kaluar. Në Itali, nga Toto te Mastroiani, që në filmin 8 e 2/2 me regjisorin F. Fellini (1963), aktori italian mban një Borsalino, që pas suksesit, do ta përdorte jo vetëm në filmat e tjerë pore dhe në jetën e përditshme. Pastaj J. P. Belmondo, në filmin “Deri në frymën e fundit”, ku aktori francez në shumë pjesë mban kapelen ikonë. Për të ardhur tek ato modernë, L. Di Kaprio në filmin “Shutter Island”, të regjisorit M. Skorceze (1910), bashkë me M. Ruffalo, ku kapelja është simbol i dy detektivëve federalë. Herrison Ford, në rolin e një arkelogu tek “Indian Johns”, pas të cilës Ford nuk do ta braktisë më Borsalinon e tij. Edhe R. De Niro në filmin “Të paprekshmit” (1987), interpreton bosin mafioz Al Capone, me të përhershmen Borsalino në kokë. Po kështu edhe Roberto Beninji, në mjaft role e skena është me një Borsalino. Edhe në botën futbollistike, flokët me brilantinë bashkë me “Borsalinon”, shoqëronin emrin, famën, preferencat dhe dashuritë e bujshme të grave me sportistët e njohur.

Nga western, tek dashuritë romantike deri tek filmat e Kinostudios
Borsalino ka qenë elementi kryesor në historinë e filmave të këtij profili pra western, xhiruar apo që i referohen kohës së kaubojsave (1865-1890), dhe ajo është prezente në shumicën e tyre. Tipikë janë ato serialë të regjisorit italian S. Leone, “Për një grusht me dollarë”, “Për një dollar më shumë”, “Na ishte një herë West”, me aktorët Klint Insvud e Li Van Klif. Apo prodhimet klasike amerikane në këtë zhaner me Xhon Uein, Gregori Peck, Çarls Bronson, K. Kardinale, etj. Shumë e preferuar Borsalino ka qenë edhe për aktorin Alen Delon, i cili është protagonist ne disa filma që kanë referencë të qartë për borsalinon edhe në titull: “Borsalino”, filmi vitit 1970 me Delon e J. P. Belmondo; “Klani i dy Borsalinove”, (1971); “Borsalino & Co” (1974) sërish me me A. Delon; “Clouzot&C.kundër Borsalino &C.(1977)”. Madje për realizimin e këtyre filmave, Delon me Borsalinon është vendosur në reklamat e filmave, pas një marrëveshje të aktorit me ndërmarrjen e prodhimit të tyre. Një pjesë emocionale romantike të saj Borsalina e ka si një dëshmitare unikale e skenave e dashurive të mëdha. Në filmin “Casablanca” (1940), skena e lamumirës në aeroport midis Ingrid Bergman dhe Hamprye Bogard, ka mbetur në historin edhe për faktin që të dy protagonistët e dashuruar mbajnë Borsalino. Ishte edhe ky një moment që ja shtoi famën botërore kapeles. Pa harruar filmat e dashurive klasike, me protagonistë yjet e Hollivudit Klar Gebël në “Rruga e erës”, apo një Marlond Brando me kapelen e njohur. Borsalino ka shoqëruar gjithashtu edhe këngëtarët e Rock &Roll, ato të muzikës botërore nga Frank Sinatra, grupin Blues Brothers me Xh. Belushin, A. Çelentanon, deri te Majkëll Xhekson në “Smoth Criminal”, (1987) ku Mbreti i muzikës Pop paraqitet me një Borsalino të bardhë duke regjistruar një sukses të madh edhe te fansat me moshë të re. Deri edhe në filmat artistikë shqiptarë, Borsalino është përdorur kryesisht nga aktorë në rolet episodike, kryesisht për të mbuluar e maskuar fytyrën e heroit, shoqëruar me një pardesy të gjatë, një palë syze të errëta gjatë një aksioni, atentati, apo nga ata që ndiqnin ilegalët në filmat e luftës. Por, edhe nga zyrtarë, tregtarë të lidhur me fashizmin e pushtetin, që simbolizonin borgjezin, të pasurin në ngjarjet e kohës. Borsalino ka qenë e mbajtur jo vetëm në filma por dhe në jetën përditshme nga regjizorë e aktorët S. Prosi, S. Pitarka, P. Mima, M. Luarasi, Ll. Sërbo, etj.

Nga Mbreti Zog, tek intelektualët, të diplomuarit e kthyer në Shqipëri.
Gjatë periudhës së mbretërimit, Ahmet Zogu e ka përdorur “Borsalinon”, në evenimente ceremoniale, data festive, siç shihet në fotot e kohës. Në veçanti Mbretëresha, shumë moderne, thuajse çdo dalje në publik, apo pritje, në krah të Mbretit e ka shoqëruar me një kapele sigurisht me Borsalino, kapelen e elitës. Por, jo vetëm familja mbretërore, në vitet 30-të, Borsalino është frekuentuar kryesisht zyrtarë, tregtarë, artistë, funksionarë, drejtues bankash, punonjës të administratës, italianë të huaj, gratë e tyre etj., ndërsa qeleshja ishte më masive, e shoqëruar me borzilokun, lulen me erë që vendosej tek veshi dhe që zëvendësonte parfumin e kohës. Në mërgim, Borsalino është mbajtur nga personalitete, midis tyre F. Konica në SHBA, pastaj nga ata që erdhën nga perëndimi, vendet e lindjes pas përfundimit të studimeve, si mjekë, profesorë, artistë, shkrimtarë, regjisorë, inxhinierë, piktorë të njohur, si O. Paskali, N. Zajmi, e të tjerë, por edhe akademikët S. Spase, A. Budo, E. Çabej kanë qenë disa nga përdoruesit e Borsalinos. Preferohej ajo e zezë, por edhe ngjyra kafe ishte e modës. Në Shqipëri, frekuentimi i saj vijoi deri më 1960-të, pastaj duke u reduktuar e kufizuar, për t’u mbajtur nga byroistë, udhëheqës, ministra, disa intelektualë të njohur, artistë, pensionistë, pasi influenca kineze edhe në veshje, kishte ndikimin e saj, duke e zëvendësuar kapelen italiane me kasketën, e përdorur masivisht në popull, udhëheqje, si dhe nga punonjësit e Sigurimit në vitet 70-të.

Në “Kursal”, teatër, stadium me Borsalino!
Ka qenë traditë, sjellje e detyruar, sidomos nga aristokratët, ata me kulturë e formim perëndimor, apo një pjesë e vogël e popullsisë në qytetet kryesore të Shqipërisë, që në lokalet e preferuara, në stadiume, evenimente kulturore, artistike, nuk mund të hyje pa Borsalinon që shoqëronte kostumin kompletonin veshjen e tij. Në ato të Tiranës, si në ‘Kursal’, lokal në qendër i njohur dhe me famë, apo në Pastiçeri Venecia, Internacional, Kafe Durrësi, apo në Kafen e Madhe në Shkodër, fotot e kohës na e ofrojnë këtë fakt. Po kështu edhe në disa qytete të tjera, është përdorur nga burrat, sidomos ato të elitës. Ka një fakt shumë interesant: Ndonëse me popullaritet dhe përdorur, pas viteve 45-së ajo nuk shitej, apo tregtohej në Shqipëri, as edhe në dyqanet e njohura e të famshme të Tiranës, si Zingoni, ajo me valutë apo me Komision. Ajo vinte nga të afërm që jetonin jashtë, kryesisht në perëndim, nga njerëz që udhëtonin zakonisht në Bashkimi Sovjetik, dhe shtete të tjera të Lindjes, ose të mbetura në familje nga koha e Italisë.

Te “Sporti”, një foto provokuese.
Në Tiranën e viteve 50-60-të, për të nxitur meshkujt, pasionet e tyre me pozicione e qëndrime provokuese, duke imituar aktorët, personazhet e njohur të filmave, fotografët kryeqytetas të ofronin të pozoje edhe një foto me kapelen “Borsalino”, që ata e mbanin në dyqan, apo në vitrinë. I famshëm ka qenë Veseli, fotografi te “Foto Sport”, në hyrje të Rrugës së Barrikadave, nga ana jugore, madje edhe sot, brezat e të atyre viteve, ruajnë fotot me Borsalino (6×6), me stampën tradicionale të tij. Në ndonjë rast, ajo mbahej edhe nga ndonjë lustraxhi, të cilit i mjaftonte një Borsalino e vjetër, mustaqet spic të holla përmbi buzë, për të imituar personazhin e njohur Raxh Kapuri, me kapelen që shoqëronte veshjen ditor të tij. Pa harruar mitikun Ali Pazari, kur sistemonte biçikletat në stadium e pallatin e sportit, gjithmonë me Borsalino, për t’i dhënë rëndësi evenimentit, duke tërhequr edhe vëmendjen e atyre pak të huajve që vinin në Tiranë.

Kapelja për udhëheqësit dhe byroistët.
Një Borsalino ka qenë e preferuar edhe nga drejtues shteti, apo presidentë. Në historinë e atyre të Shtëpisë së Bardhë, sidomos nga Ronald Regan si ish-aktor Hollivudi, një frekuntues sistematik i saj. Në Bashkimin Sovjetik, është mbajtur nga udhëheqësit historikë, madje Nikita Krushovi gjatë vizitës në Tiranë, zbriti nga avioni me një Borsalino të bardhë. Por jo vetëm ai edhe pasuesit deri te Mikail Gorbaçov. Në Shqipëri, ka qenë pjesë shoqëruese e veshjeve zyrtare të udhëheqësve, të anëtarëve të Byrosë Politike, kryesisht të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, në daljet publike, tribunat e parakalimeve, pritje zyrtare, përvjetorë, etj. Borsalino nuk ka qenë e preferuar nga udhëheqësit kinezë, Mao Ce Dun, Çu En Lai, por as Stalini, Hitleri, pak nga Tito. Edhe pse në kohët moderne, gjithmonë e më shumë ajo duket e “braktisur” nga Hollivudi, presidentë, e në lokale, teatër, opera, shfaqje, stadium, mund të futesh edhe pa “Borsalino-n”, madje sot të tërheq vëmendjen kur dikush e përdor, shëtit, apo shkon në zyrë, parlament me një të tillë, Borsalino nuk ishte vetëm e atij që e ideoi, apo ndërmarrjes në Alesandria që e prodhoi, por kapelja e famshme ishte dhe mbetet një histori, e bërë me pasion, kurajë dhe talent.

Bisedimet në Parlament

Projekt Ligja për ndalimin e mbulimit të grave dhe për kapelën e nëpunësve, e dalë nga komisioni, u votua me duartrokitje. Dje Parlamenti ka mbajtur një mbledhje shumë të shkurtër e në ballë të rendit të ditës ishte projekt-ligja për zbulimin e grave dhe rrëzimin e qeleshes, që doli jashtë jo vetëm nga komisioni, por krejt nga Parlamenti jashtë. Dhe me të vërtetë është një kënaqësi e posaçme të admirosh simpatikun deputet të Dibrës, Hafiz Xhemali, me një kapele “Borsalino”, kafe të mbyllur, ultramoderne si format e ngjyrë. Gjithashtu, fare bukur i ri kapela Hafiz Naipit, deputet i Shkodrës…Shumë elegant, me një kapelë gri të mbyllur mbi krye, zbret nga automobili z. Abdurrahman Mati…Deputeti i Kosovës, z. Salih Vuçiterni, me një “bombë” të zezë mbi krye, duket si personalitet evropian. Dje ka qenë dita e parë që deputetët erdhën në Dhomë me kapela. Por, asëll, demonstracioni i kapelës u bë qysh pardje, të diel, kur 20-25 personalitetet nga jeta jonë politike, deri atëherë konservatorë, dolën nëpër Tiranë me kapela në krye, në një mënyrë pak a shumë demonstrative…(Drita, v.1 nr. 82, 9 mars, 1937, f.1)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.