Kryesore

Transferimi i studimeve në nivelin bachelor, procedura që duhet të ndjekin kandidatët

18:20 - 08.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë studentët që dëshirojnë të transferojnë studimet në nivelin bachelor kanë të drejtë të aplikojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë, në datat e përcaktuara. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, i cili ka hyrë në fuqi dy ditë më parë, pas publikimit në Fletoren Zyrtare. “Kandidatët që aplikojnë në IAL për program të dytë studimi apo transferim studimesh kanë të drejtë të aplikojnë deri në 5 programe studimi përpara fillimit të vitit akademik dhe sipas afateve të përcaktuara në shtojcën nr. 10 të këtij udhëzimi. Kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin përkatës akademik”, – thuhet në udhëzim. Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se në rastet e transferimit të studimeve nga brenda ose jashtë vendit në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim.




Kriteret
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit bëhet me dije se nuk mund të pranohen aplikime për transferime gjatë vitit akademik. Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve apo për program të dytë studimi duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë për programet e studimit për të cilët aplikojnë. Kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjetër program studimi. Aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë ose i ngjashëm i të njëjtit cikël edhe lloj, të ndjekur nga kandidati në IAL-të publike ose në IAL-të jopublike të licencuara dhe të akredituara për programin përkatës të studimit, vendëse apo të huaja. Nuk mund të kryhen transferime studimesh nga një nivel cikli studimesh apo të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve në një tjetër. Në këtë kuadër nuk mund të kryhen transferime studimesh nga programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional në programe të ciklit të parë “Bachelor” dhe në programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”.

Dokumentacioni
Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë për transferim të studimeve paraqesin pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimeve, dokumentet si: kërkesën drejtuar IAL-së për programin e studimit, në të cilin do të transferojë studimet; planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe sylabuset përkatëse, vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur; studentët që transferojnë studimet e tyre nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe sylabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer duhet t’i dorëzojnë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin; fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme (kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011).

Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës se mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar/zyrën vendore të arsimit parauniversitar (DRAP/ZVAP) përkatëse, ose listën e notave të shkollës se mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Gjithashtu, kandidati duhet të paraqesë një fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë), dy fotografi personale si dhe një kopje të mandatpagesës. “Në momentin e regjistrimit përfundimtar me dokumentacion në IAL (pas shpalljes fitues), kandidati paraqet edhe dokumentin origjinal të çregjistrimit, nga IAL-ja nga ku transferohet, i cili përmban: i. emrin, atësinë, mbiemrin; ii. datëlindjen: iii. Vendlindjen, iv. shtetësinë: v. numrin e matrikullimit që ka pasur në IAL-në përcjellëse, vi. emrin e shkollës së mesme/IAL-së ku ka kryer shkollën/studimet përpara ndjekjes së këtij programi studimi, vii. ID-në e Maturës Shtetërore/nr. Regj. të veçantë1, viii. numrin personal të identitetit, ix. datën e regjistrimit në programin e studimit të ofruar nga IAL-ja; x. emërtimin e programit të studimit dhe fakultetit përkatës, xi. ciklin dhe formën e studimit, xii. datën e ndërprerjes së studimeve: thuhet në udhëzim.

Ndërkohë IAL-ja shpall listat e kandidatëve që kanë aplikuar për transferim studimesh dhe ato të kandidatëve që kanë aplikuar për program të dytë studimi në vende të dukshme brenda datës së përcaktuar në shtojcën nr. 10, të këtij udhëzimi. Aplikimet për transferimin e studimeve dhe për program të dytë studimi shqyrtohen nga komisioni/komisionet i/e ngritur/a për këtë qëllim nga IAL-ja brenda datës së përcaktuar. Komisionet kryejnë vlerësimin e dosjeve në zbatim të kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi, si dhe të kritereve të tjera të shpallura para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, bazuar në pikëzimin për çdo kriter vlerësimi, e cila shpallet nga dekani përkatës në mjediset e fakultetit të IAL-së, si dhe në faqet ueb përkatëse. IAL-të për çdo program studimi që ofrojnë, publikojnë listat me renditjen e kandidatëve brenda datës së përcaktuar në. Në listën e publikuar nga ana e IAL-ve, fituesi i fundit përcaktohet me vijë të kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin përkatës të studimit. Në këtë listë bëhen me dije pikët vlerësuese për çdo kriter vlerësimi.

Ankimimi
Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në IAL, brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. IAL-të detyrohen të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave. IAL-të shpallin listat përfundimtare me renditjen e kandidatëve, në faqet elektronike zyrtare dhe në mjediset e tyre, brenda datës së përcaktuar në shtojcën nr. 10, të këtij udhëzimi. Regjistrimi i kandidatit, i cili paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij kryhet pranë sekretarive mësimore në datat e përcaktuara, sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e aplikimit. Kuotat e paplotësuara plotësohen me kandidatët e renditur sipas pikëve të fituara mbas vijës së kuqe, brenda datës së përcaktuar. IAL-të dërgojnë pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar, me qëllim pajisjen me numër matrikullimi, sipas programit të studimit dhe tipologjisë së kandidatit. Për të gjithë emrat e studentëve të dërguar pas kësaj date nuk do të procedohet me dhënien e numrave të matrikullimit dhe QSHA-ja të kërkojë nga IAL-ja çregjistrimin tyre. Në të gjitha rastet, kandidati duhet të nënshkruajë deklaratën sipas udhëzimit.

Dokumentacioni

a) Kërkesa drejtuar IAL-së për programin e studimit, në të cilin do të transferojë studimet (ose formulari i aplikimit).
b) Plani i plotë të programit të studimit përfshirë dhe sylabuset përkatëse.
c) Vërtetim i listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur.
d) Studentët që transferojnë studimet e tyre nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe sylabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer duhet t’i dorëzojnë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin; fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme (kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011).
*Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës se mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar/ zyrën vendore të arsimit parauniversitar (DRAP/ZVAP) përkatëse, ose listën e notave të shkollës se mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
e) Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
f) Dy fotografi personale.
g) Kopje të mandatpagesës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.