KULTURË

Filmi, një dashuri tjetër e Margarit Duras

19:30 - 09.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luan Rama  – “ – Ti nuk ke parë asgjë nga Hiroshima! Asgjë!…
Ndërsa ajo i përgjigjej:
– Unë kam parë gjithçka. Dhe spitalin e pashë. Si mund të mos e shikoja?…
– Në çfarë filmi interpretoni?
– Në një film për Paqen. Ç’mund të xhirohet tjetër në Hiroshima veçse një film për Paqen?… Ne fillim ne takoheshim në hambarë dhe nëpër rrënoja, më pas nëpër dhoma e kudo. Pastaj ai u vra. Dashuria ime që u vra ishte një armik i Francës…”
Ishte një film që hapej me kërpudhën e bombës atomike të hedhur në Hiroshima, mbi të cilin fillonte dialogu i një gruaje franceze dhe i një burri japonez, shtrirë në krevatin e një hoteli. Ishte pikëtakimi im i parë me letërsinë e Marguerite Duras, (Dyras), përmes skenarit të filmit të njohur Hiroshima dashuria ime.
Atëherë, ky film që kurorëzonte atë që do quhej në kinematografinë franceze “La Nouvelle Vague”, për të cilin Chabrol thoshte se “s’kam parë film më të bukur se këto 500 vjet”, apo Godard që deklaronte se “Jam xheloz për xhirimin e këtij filmi”, ishte ndaluar të shfaqej në Shqipëri. Por një numër i revistës L’Avant scène du cinema, që vinte atë kohë në Kinostudio bashkë me Cahiers du Cinéma dhe Anthologie du cinéma, e kishte botuar atë të ilustruar me një mori skenash nga filmi dhe aktorët e tij. Një histori pacifiste dhe kundër luftës, por që bashkonte fatet njerëzore në pika të ndryshme të globit. Një grua franceze që vinte të luante një film në Hiroshima dhe që në rininë e saj kishte dashuruar një ushtar gjerman në qytetin e saj të lindjes. Në të njëjtën kohë vendosej paralelizmi me tragjedinë e madhe të luftës që kishte ndodhur në Hiroshima. Një klithmë kundër luftës, kur Shqipëria jetonte si “në rrethim” nga mijëra bunkerë të paranojës totalitare. Edhe pse me një frëngjishte të varfër unë e përktheva atë skenar në ca faqe të holla rozë, skenar që do të shëtiste në duart e kineastëve të rinj, të etur për të njohur filmat modernë e pacifistë dhe kundër luftës.




– “Atë ditë, – shkruante Dyras në skenarin e saj, – ne do të takoheshim në breg të lumit të Loire-s. Do të ikja me të. Kur mbërrita në mesditë, ai ishte atje. S’kishte vdekur akoma. Dikush e kishte qëlluar nga një kopsht. Gjithë ditën qëndrova mbi trupin e tij. Po kështu dhe natën. Të nesërmen erdhën dhe e morën me një kamion. Atë natë, Nevers u çlirua… Ishte dashuria ime e parë… Pastaj një tjetër ditë klitha. Më futën në një bodrum…”.
Ky skenar, për ne të rinjtë atë kohë ishte vërtet tronditës dhe krejt i kundërt nga ato që shikonim nga kinematografia e Lindjes. Madje bashkë me mikun tim skenarist Nexhati Tafa dukej se ajo mënyrë shkrimi influencoi drejtpërdrejt në shkrimet tona duke përdorur retiçencë, vazhdimisht tri pika, në fraza të shkurtra, apo thjesht “përplasje” imazhesh, por në fjalë.

Është shkruar shumë për Marguerite Duras dhe roùanet e saj, shkrimin, stilin dhe përvojën e saj letrare në letërsinë moderne. Por për kinematografinë e saj, skenarët, filmin, dashurinë për kinematografinë, pothuaj se nuk është shkruar fare në shtypin e kritikën shqiptare. Siç shkruan biografia e saj Laure Adler, kinematografia e saj ishte një kinematografi sensuale, intelektuale dhe dashurore,” një term që donte të thoshte për lidhjen e fortë të saj me kinemanë. Në fillimet e para ishte pikërisht skenari “Hiroshima mon amour” (“Hiroshima dashuria ime”) që do ti hapte portat teke inematografisë.
Kjo periudhë ishte koha kur u dashurua me Gerard Jarlot, një njeri letrar edhe ai, me të cilin filluan të shkruajnë skenarë për filma të shkurtër e më pas për filma të metrazhit të gjatë. Atëherë ajo pothuaj e harroi letërsinë dhe u dha me mish e me shpirt pas filmit. Më pas, ajo do të kalonte pas kameras, d.m.th. do të luante rolin e regjisores, duke realizuar filma që kritika kinematografike i mirëpriti. Asaj i pëlqente kinemaja dhe për një arsye tjetër, pasi ndryshe nga teatri, kinematografia i lejonte të deshifronte më shumë shpirtin njerëzor. “Në teatër, – shkruante ajo, – ju nuk e keni fytyrën njerëzore, nuk e shikoni atë. Fytyrën e një aktori ju e shikoni vërtet në kamera, në ekranin e kinemasë”. Dhe kishte të drejtë. Prandaj dhe i pëlqenin planet e afërta, fytyra pranë kamerës, që spektatori të mund të shikonte qoftë dhe dridhjen e qerpikëve, emocionin e syve, ankthin, ngazëllimin, habinë.

2019051119_183458 20190519_183458 20190519_183413 jpg_durasfilme
<
>

Por një ditë, ndërkohë që bashkëpunonte me të dashurin e saj Gerard Jarlot, dikush e njoftoi se Gerard kishte vdekur atë ditë. Ajo ishte tmerruar nga kjo e papritur. Për më tepër që kishte vdekur në një hotel, jo larg shtëpisë së saj, në Saint-Germain-des-Près. E dinte që femrat e pëlqenin dhe ajo ishte xheloze për këtë. Një mikeshë, i kishte treguar në telefon se një grua kishte telefonuar policinë nga një kabinë telefonike dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Policia e kishte gjetur atë në dhomën e hotelit, shtrirë, lakuriq, pas një seksi. Pushim zemre!… Të paktën kishte pasur një vdekje të lumtur!

Shpejt, rreth Duras, erdhën të interpretonin rolet e saj aktore me emër, siç ishin Jeanne Moreau, Bulle Oger, Dominique Sanda, Melina Merkuri … Pëlqen tregimet e shkurtra me drama shpirtërore të forta, koha kur xhiroheshin filmat “La voleuse”(“Hajdutja”) me Romy Schneider dhe Michel Piçoli, me historinë e një gruaje që në rininë e saj kishte lindur ilegalisht një fëmijë, e kishte lënë diku dhe që më vonë kur u martua, kërkoi ta merrte dhe e vetmja rrugë ishte ta merrte vjedhurazi atë… Kështu ajo realizoi filmat “Të shkatërrosh, thotë ajo”, “Diell i verdhë”, “Kalkuta shkretëtirë”, “Nathalie Granger”, etj., duke eksperimentuar stile e forma të ndryshme kinematografike. Kur realizon filmin “Gruaja nga Gange”, me xhirime para shtëpisë së saj në plazhin e Trouville, filmi pothuaj u krijua në montazh, pasi ajo i la aktorët të lirë, të luanin si të donin, madje i xhiroi dhe duke bërë makiazhin, etj., si të thuash një film brenda filmit. Kur njëherë vizitoi gjatë varrezat e “Père Lachaise”, ajo menjëherë mendoi të realizojë filmin “Navire Night”. Filmin “Kamioni”, ajo e xhiroi për tre ditë, me një buxhet të vogël, duke përdorur si dekor shtëpinë e saj në Nauphle, duke vënë të interpretojë dhe djalin e saj, të dashurin me gruan e tij, etj…

Në filmin “Kamioni” vjen të luaje gjithashtu dhe Gerard Depardieu, por ndërkohë interpreton edhe vetë ajo, ashtu me flokë të prera shkurt, me syze të mëdha të zeza, pa makiazh. Për të kishte më shumë rëndësi fjala. Dialogët dhe monologët e saj janë të mrekullueshme, të thella, poetike, filozofike. Duras tashmë kishte krijuar një emër, që nga “Hiroshima, dashuria ime”. Por një nga filmat e saj më të mirë do të ishte “India song”, film që u paraqit në festivalin e Kanës dhe u duartrokit nga kritika. Por megjithatë filmat e saj kishin jetë të shkurtër. Një nga tregimet e saj “Ditë të tëra midis pemëve” ajo e xhiron me një nga kameramanët më me emër të kohës, Nestor Almendros, i cili ndërkohë kishte xhiruar me mjeshtrit më të mëdhenj të kinematografisë botërore. Një ndër filmat e fundit është “Cesaré”, të cilin e shkroi dhe e realizoi pas një vizite kur shkoi në Jeruzalem ku prezantoi një film të saj. Që nga ajo kohë ajo u bë një nga përkrahëset më të zellshme të izraelitëve në Francë. Pas mesit të viteve ‘70, ishte përsëri shkrimi, letërsia, ajo që e thirri në gjirin e saj, edhe pse ajo vazhdonte të jetonte me letërsinë në një formë tjetër, kinematografike, ku fjala për të ishte primare ndaj imazhit. E tërhequr në apartamentin e saj të ri, në “Les Roches” të Trouville, buzë detit, ajo do të vazhdonte me korpusin e veprave të saj të mëdha, edhe pse do të vazhdonte të punonte për realizimin e filmave si “Njeriu Atlantikut”, “Aurelia Steiner”, “Agatha”, apo filmi i saj i fundit “Fëmijët”.

Dinjiteti përballë totalitarizmit

Në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, Belsh, Tepelenë dhe Tiranë do të mbahen aktivitete përkujtimore të organizuara nga Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me institucionet partnere, pushtetin lokal dhe komunitetin e të përndjekurve. Përkujtimoret mbahen në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Ato do të zhvillohen, duke dokumentuar historinë individuale dhe familjare të të internuarve në Tepelenë e po ashtu, vijimësinë e dënimeve shumëvjeçare në kampe apo vende të punës në Lushnjë e Belsh. Kalendari zhvillohet si vijon: -18 gusht, e diel, Lushnjë, memoriali i të internuarve një ekspozitë fotografike dhe ekspozitë dokumentare me profile të të internuarve në fshatrat e Lushnjës dhe ekspozitë me materiale arkivore të AIDSSH me titull “Persekutimi komunist në zonën e Lushnjës”. Me 20 gusht, e martë, Belsh bëhet shfaqja e filmit “Gratë midis dhunës dhe stigmës në komunizëm” dhe një bashkëbisedim i hapur mbi përndjekjen, demokracinë dhe qasjen tek e vërteta. Në panel Lekë Tasi, Nurije Ndreu, Fiona Todhri, Fatbardh Doko, Skënder Vrioni (TBC). Te shetitorja e qytetit si edhe bashkëbisedim i hapur. Me 23 gusht, e premte ekspozitë bashkë me ceremoni përkujtimore në ish-kampin e internimit. Me hedhjen dritë në dokumentet e Sigurimit, me rindërtimin e narrativës me profilet e personaliteteve që qëndruan me dinjitet përballë diktaturës, dhe kthimin në vende kujtese të vendeve të vuajtjes së dënimit apo ndëshkimit, duke u dhënë mundësi brezave të njihen me të shkuarën, AIDSSH vë në jetë misionin e vet të rishqyrtimit të historisë dhe edukimit qytetar për demokraci.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.