OPINION

Heshtja e kryeministrit të diskredituar

09:48 - 09.08.19 Bardh Spahia
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qetësia e rreme që po ndërtohet prej kohësh me propagandë të sforcuar, u prish nga shkundja që dha Departamenti Amerikan i Shtetit me shpalljen “non grata” të Vangjush Dakos. Të gjithë e dinin se koordinatori politik i partisë së kryeministrit, në një nga qarqet më të rëndësishme të vendit, anëtari i kryesisë e një nga njerëzit e afërt të tij, nuk ishte duar-akullorja që përbetohej pasi dolën përgjimet e para të prokurorisë mbi abuzimin me votat në Durrës. “I përfshirë në akte të mëdha korrupsioni”, nuk është aspak konstatimi surprizë i DASH, por konfirmimi i filozofisë qeverisëse të gjashtë viteve të fundit. Paprekshmëria nga drejtësia nuk ka qenë aspak rastësi për Dakon e të ngjashmit e tij bashkëpunëtorë të Kryeministrit ndërsa mosrikandidimi i tyre, nuk është sekret, ka qenë detyrim e jo zgjedhje. E konfirmuar kjo me gojën e Edi Ramës përmes lavdeve që i thuri secilit, në fushatën e votimeve të 30 qershorit, e posaçërisht Dakos, se “Durrësi do ta kujtojë gjithmonë e me shumë respekt periudhën kur Dako e drejtonte bashkinë, falë gjurmëve që janë në këtë qytet”. Në fakt, janë të njëjtat gjurmë që kjo qeveri ka lënë kudo në 6 vjet, si në pushtetin qendror ashtu edhe atë vendor, e tani që ka ardhur koha e llogarive, Edi Rama thirri Asamblenë për t’u përcjellë të vetëve formalisht mesazhin se në problemet me drejtësinë secili do jetë në hesap të vet.




Heshtja e Edi Ramës pas shpalljes non grata të Dakos është veç pjesë e teatrit, që ka ndërtuar në këto gjashtë vjet, se ai bën gabime e jo faje, edhe kur ka dijeni për to. Por këtë herë e ka të qartë se më shumë se diskreditim për njerëzit pranë tij, vendimi i publikuar nga DASH është sinjali se penalizimet po i afrohen vetë atij.

Sepse ai vetë, me të tjerë bashkëpunëtorë janë ende në dosjet e strukura të prokurorisë në përgjimet se si nga drejtori më i vogël te ministri e kryeministri, kanë deformuar në çdo lloj mënyre vullnetin e votuesve. Askush nuk e beson se është rastësi që drejtësia nuk vepron për njerëzit e Edi Ramës, ndërsa akti i DASH provon se propaganda e Ramës se po baltoset ai vetë e bashkëpunëtorët e tij më të afërt, nuk pi ujë.

Njëlloj edhe afera e Teatrit Kombëtar. Ndjeshmëria e fortë publike nuk është e vetmja arsye për të cilën Rama nuk po përdor ngutshëm forcën e pushtetit për të çuar deri në fund atë fiksim morboz të shpallur mbi dy dekada më parë, që kur shkeli në politikë, shembjen e Teatrit Kombëtar.

Diskreditimi me këtë aferë u bë ndërkombëtar edhe pas aktivizimit të Komisionit Europian, ndërsa njerëzit e lirë që qëndrojnë në mbrojtje të teatrit prej 18 muajsh janë makthi i mosfunksionimit të filozofisë, se “çfarë nuk blihet me para, blihet me më shumë para”. Makthi lexohet edhe te keqpërdorimi, jo në kuptimin metaforik, që Edi Rama u bën prej disa ditësh në rrjetet sociale artistëve të ndryshëm, për të justifikuar shkatërrimin e radhës së trashëgimisë së Tiranës përmes abuzimit me tokën publike e korrupsionit. Natyrisht është zgjedhje e lirë e çdo artisti, të pranojë të asociojë fytyrën me këtë akt të një njeriu të katandisur pakicë në 30 qershor, në përpjekje për të spostuar vëmendjen nga mungesa e legjitimitetit për të qëndruar në karrige.

Të gjithë e konstatuan se çuarja e vendit në votime moniste, nuk mori as edhe një fjalë të mirë e jo më t’i hapte ndonjë shpresë Shqipërisë në rrugën drejt BE, siç deklaronte Rama në monologët e fushatës, i njëjti që pak ditë më parë tha se vendimi i Këshillit Europian është puro politik e jo objektiv.

Këto akrobaci edhe logjike nuk janë të panjohura, njëlloj si bjerrja e besueshmërisë së këtij kryeministri jo vetëm në nivel kombëtar. Këtë e tregoi edhe anashkalimi që eurokomisioneri Hahn i bëri Tiranës në vizitën e fundit në rajon, ku specifikisht në Shkup foli me entuziazëm për hapje negociatash. Për çfarë mund të flitet me Edi Ramën sot? Për faktin që edhe kur garon i vetëm në zgjedhje i dalin në kuti fletëvotimi më shumë se votues dhe ushtarët e verbër në KQZ ia mbyllin si çështje pa marrë mundimin t’i gjejnë një farë justifikimi? Apo se si i ka kthyer institucionet publike të një vendi të NATO-s, në organizata bazë të PS, që i binden verbërisht disiplinës partiake? Apo për shuplakën që mori nga SHBA me Dakon, bashkë me garancinë e përcjellë përmes zyrtarit të lartë Palmer se SHBA luftojnë kundër korrupsionit “të atyre që janë në pozitën e besimit publik”, si dhe pohimin se “ekzistojnë shqetësime e rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet”?

Nga ana tjetër, Vangjush Dako po na tregon hapur, se nuk është “non grata” nga kryeministri, e prandaj vijon të reflektojë qetësi edhe pas vendimit të DASH, duke u shfaqur përkrah funksionarëve të tjerë socialistë, teksa prokuroria së cilës i ka “shpëtuar” gjithë këto vite veprimtaria e Dakos vazhdon të heshtë në sintoni me kryeministrin.

Njëlloj organi i akuzës po hesht edhe pas denoncimit që bëri Partia Demokratike, se kandidati socialist i Bashkisë Shkodër Valdrin Pjetri, ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një situatë ligjore që ka patur në Itali. Edhe kryeministri, që ka deklaruar se Shkodrën e ka sfidë personale po hesht teksa historia po i përsëritet, për shkak të njerëzve që përzgjedh.

Prej gjashtë vitesh, ky kryeministër nuk arrin të na surprizojë me zgjedhjet e tij, por ditë pas dite shohim se si diskreditohet vizioni të cilin e zbatoi që kur u ul në atë karrige. Pas gjashtë vitesh po humb edhe talentin për të shpërqendruar publikun, për shkak të volumit të pazakontë të zullumeve që prodhon. Fushata kundër informalitetit ndaj biznesit në zemër të sezonit veror, vjen si mllef ndaj bojkotit në 30 qershor, e jo si një proces pune që duhet të bëhet ditë për ditë nga institucionet përgjegjëse. Mllefi sjell vendime që kënaqin egon për momentin e ia dalin të tërheqin pak vëmendje, kostot i sjellin më pas. Kryeministrit në pakicë, i ka ardhur koha e llogarive. Aty nuk i bën dot më punë justifikimi me opozitën. E ka bërë të gjithën vetë, e po i vetëm, në pakicë duhet ta përballojë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.