Homo Albanicus

Pse i tremb Lufta Antifashiste disa nga shqiptarët e sotëm?!

19:29 - 09.08.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lufta Antifashiste është e vetmj luftë që shqiptarët kanë marrë pjesë të organizuar dhe e kanë fituar por edhe e vetmja syresh që i kanalizoi (me jo pak vështirësi diplomatike) me Aleatët por edhe me trendin më të mirë të historisë. Prej pak javësh, Shqipëria, e zhytur  në një krizë të madhe politike, të cilës nuk i shihet dot fundi, ka shtuar edhe një element tjetër në kaosin e vet dhe ky ka lidhje me antifashizmin. Hë për hë debati është ende i panisur mirë, por një gjë duket qartë pasi fillesat e tij janë pak të shëmtuara. Më kot, zv/kryeministri, që është caktuar të drejtojë një komision për festimet, me një arrogancë që nuk i shkon, u mundua të shuajë zërat e lindur me të drejtë në këtë drejtim… Fatkeqësisht, antifashizmit,  goditjet më të mëdha ia kanë dhënë të Majtët sesa të Djathtët me politikën e tyre shtirake të rishikimit total të luftës, përmes zërit të kinse profesionistëve, që më shumë janë rrekur të nxjerrin të kundërtën.




Nuk është vendi për të treguar sesi e shikojnë PD dhe PS respektivisht luftën anti-fashiste, por për një gjë të bën habi, sesi të dy partitë në vitet e fundit janë tepër cinike me të. Kur Partia Demokratike ka qenë në fuqi, lufta dhe përballja me të ka marrë goditje të mëdha, por duket se nuk po bie më poshtë me lidërshipin e ri edhe Partia Socialiste. Kjo e fundit ka shpallur një komision zyrtar që do të merret me organizimin e përkujtimit të 75 vjetorit të çlirimit dhe vëmendjen më të madhe po e merr aktiviteti i inincuar nga ana e Akademia e Shkencave që ka planifikuar madje edhe mbajtjen e një konference, ku njohësit e mirë të historisë kanë vërejtur elementë të cilat e zbehin realisht atë. I ashtuquajturi “antifashizmi pa armë dhe pa uniformë”, koncepte ku do punojë konferenca e ardhshme,  e ka trandur realisht publikun e ndjeshëm sa i përket konceptimit të kontributit tonë në Luftën e Dytë Botërore.

 “Të përqendrohet në mënyrë të veçantë interesimi shkencor tek ajo pjesë e rezistencës antifashiste prej popullit shqiptar, që ka të bëjë me vullnetarizmin, me antifashizmin pa uniformë… Rezistenca e paarmatosur në studimet historiografike është paraqitur në formën e frazave stereotipe dhe pa shqyrtime të thelluara shkencore. Përmasat e rezistencës pa armë janë shumë më të mëdha dhe Evropa e sotme antifashiste i ka drejtuar sytë pikërisht tek antifashizmi popullor!!!!”, referohet në dokumentet e konferencës.

Përpjekja e parë lidhet me rishikimin e termave bazikë: dëshmor, martir, viktimë… etj. Ky rishikim i Luftës nuk do të kishte asnjë gjë të keqe nëse do të nisej mbi disa premisa shumë demokratike, por nga mënyra sesi po përcillet duket qartë  se po bën një rishikim gati strukturor të kësaj lufte. Qeverisja e re socialiste duket se e ka kompleks  shumë të thellë këtë luftë dhe me termat por edhe mënyrën sesi e ka qesëndisur deri më tani përpjekjen. Shembujt kulmuan me protokollin shtetëror për Mit’hat Frashërin dhe sfumimin e përpjekjes së njerëzve kryesorë të luftës dhe harresës për kontributin e njerëzve të thjeshtë ndaj saj. Me të Rama bëri paqe me një takëm, që kanë fërkuar duart për të  gjithë këto kohë me baltën që është hedhur mbi luftën dhe jo vetëm, kryesisht për rehabilitimin e tyre.

E pacipë është edhe mënyra sesi sot e shikojnë këtë luftë pinjollët e sotëm të bashkëpunëtorëve por edhe një takëm politikanësh e studiuesish që duke dashur të tregohen sa më “bashkëkohorë” duke hedhur baltë mbi luftën apo duke sajuar koncepte. Dhe shërbimi ka vlejtur sepse sot ka gjithnjë e më shumë zëra qesëndisës për luftën por edhe kontributin tonë. Se kujt i shërben kjo kuptohet: kinseve që po retushojnë më kot gjithçka.

Shqipërisë i është dashur që përballjen më të madhe me luftën të mos e kishte vetëm në betejë por edhe në Konferencën e Parisit, ku delegacioni grek u mundua ta fuste në hulli të shtrembëta të gjithë përpjekjen e Shqipërisë. Fati i madh ishte se Shqipëria me mbrojtjen e saj të mirë prej Aleatëve por edhe me dokumentacionin e provuar tregoi se jo vetëm kishte luftuar si e denjë por edhe ishte çliruar vetë. Kjo nuk i vjen për shtat sot shumë qeveritarëve, por edhe rishikimit të ri të historisë që po bën zoti Rama me shpurën e vet shtuar edhe me shembullin e shëmtuar që vjen sot me të ashtuquajturat koncepte të reja. Kjo qasje e re evropiane e antifashizmit pa armë dhe pa uniformë po mundohet ta dëmtojë një luftë që pati shumë gjak, masakra, shtëpi të tërë ta djegura dhe më shumë akoma heronj, shumë syresh gati adoleshentë.

Keqardhja më e madhe është për njerëzit që merren me këtë dhe sidomos me Institutin e Historisë që nuk ka skrupuj por edhe kurajë të përballë si duhet një problematikë që Shqipërisë realisht i ka bërë shumë nder. Kuptohet se sytë e kritikës duhet të drejtohen tek zoti Rama, njeriu që në kuadër të revizionimit të gjithçkaje po futet edhe te simbolikat, duke i transformuar në gjëra të paqenësishme dhe thjesht subjekte të një kaosi që nuk merr fund.

Dhe, ata, që janë përpjekur shumë të heshtin për bashkëpunimin me fashistët, ata që u ngritën mbi vuajtjet e shumë njerëzve, po gjejnë terren sesi të përfitojnë pa skrupuj. Me një ndihmë edhe nga institucionet që duke e zbehur realisht luftën dhe duke futur këto koncepte, këto krijesa po i gjallëron dhe po i bëjnë ta ndjejnë veten në habitatin pa moral ndaj luftës, që ka ngritur kinse pa e ditur vetë kryeministri i vendit. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.