EKONOMI

Kreditë e këqija prekin nivelin më të ulët, bien në 11.2%

18:00 - 10.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kreditë e këqija ranë në nivelin 11.2% në fund të muajit korrik, duke shënuar kështu rënien e radhës. Raporti i kredive me probleme regjistroi sërish një rënie të lehtë në muajin qershor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 11.2%, nga 11.4% që kishte qenë për muajin maj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, niveli i kredive me probleme është dy pikë përqindje më i ulët. Sipas Bankës së Shqipërisë, cilësia e portofolit të kredisë është në përmirësim, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Deri vitin e kaluar, një efekt të rëndësishëm dha nxjerrja jashtë bilanceve e kredive të humbura. Që prej vitit 2015, vlerësohet se bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre mbi 55 miliardë lekë kredi të humbura. Ky proces e shteroi gradualisht ndikimin e tij dhe tani ulja e raportit të kredive me probleme po vjen më shumë si rezultat i shlyerjeve dhe ristrukturimeve, por edhe nga zmadhimi i portofolit total të kredisë për ekonominë. Përmirësimi organik në cilësinë e portofolit të kredisë dëshmohet edhe nga ecuria e shpenzimeve për fondin rezervë të kredive me probleme. Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, shpenzimet e sistemit për provigjione kishin qenë 1.3 miliardë lekë. Këtë vit, ky zë paraqitet pozitiv në vlerën e afro 500 milionë lekëve, çka tregon se bankat kanë rimarrë provigjione nga periudhat e mëparshme. Efekt pozitiv po jep edhe zmadhimi i portofolit të kredisë. Në mesin e këtij viti, kredia për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 553 miliardë lekëve, në rritje me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zmadhimi i portofolit total ndikon në uljen e peshës specifike të kredive me probleme.




Rinegociomi
Kredimarrësit që nuk shlyejnë brenda 60 ditëve këstin e kredisë do të kenë mundësinë të rinegociojnë termat, por kjo mund të realizohet vetëm me pëlqimin e bankës që ka dhënë huan. Kjo është vetëm një pikat e rregullores së Bankës së Shqipërisë, e cila ka për qëllimin uljen e nivelit të kredive të këqija. Rregullorja parashikon që për kredimarrësit me vonesë me mbi 60 ditë, bankat mund të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin e përbashkët të rastit. Pjesëmarrja e bankave në marrëveshje nuk është e detyrueshme, por rregullorja parashikon që Banka e Shqipërisë mund të ndërmarrë masa kufizuese ndaj atyre bankave që refuzojnë të bashkëpunojnë. Kredimarrësit që kanë ekspozim në më shumë se një bankë, për të paktën 100 milionë lekë do të jetë subjekt i rregullores së re të Bankës së Shqipërisë për trajtimin jashtëgjyqësor të klientëve në vështirësi financiare.

Kjo rregullore do të jetë thelbi i qasjes së ashtuquajtur “Tirana Approach”, që parashikon një kuadër për trajtimin e bashkërenduar të bizneseve që janë huamarrës në disa banka. Kështu, Banka e Shqipërisë mund të vendosë objektiva specifikë për uljen e kredive me probleme ose të kërkojë një normë më të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat që nuk marrin pjesë në marrëveshje, ose që pengojnë arritjen e objektivave të përbashkëta. Procesi i vendimmarrjes së përbashkët do të menaxhohet nga vetë bankat pjesëmarrëse, përmes strukturave të posaçme, mbledhjeve dhe shkëmbimit periodik të informacionit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të ketë një rol monitorues. Zgjidhjet që mund të ndërmerren në kuadrin e marrëveshjes do të jenë ristrukturimi i kredive, dhënia e financimeve shtesë për të forcuar qëndrueshmërinë e biznesit, përfshi këtu edhe konvertimin e borxhit në kapital, por edhe shitja e aseteve apo aktiviteteve të veçanta të biznesit debitor. Rregullorja në fjalë do të ketë një kohëzgjatje dyvjeçare, deri në qershor 2020 dhe është hartuar kryesisht në funksion të menaxhimit të disa prej kredive ekzistuese problematike në segmentin e korporatave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.