MILOSAO

ÇASTI I LUMTUR

17:30 - 11.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mieçisllava Shleçkovska* – I rrethuar nga mendime të tilla, Gjergji i arrestuar nuk vuri re se nga koha e arrestimit të tij kishin kaluar disa orë. Në burg tashmë ishte errësuar. Mesa duket jashtë dyerve kish rënë nata, por jo nga dyert nga ku e sollën, por nga muri tjetër. Pa pritur kërcitën llozat e ndryshkur, dyert u hapën dhe tek to u duk një klerik shpirtëror që mbante në duar një kandil që ndriçonte.




-Le të jetë i lavdëruar Jezu Krishti, – përshëndeti kapelani të arrestuarin, të cilin e njohu se ai ishte Grigori i Sanokut.
I arrestuari nuk dinte t’u përgjigjej riteve të krishtera dhe pas pak u përgjigj:

– Të jeni mirë me shëndet Atë!
– Eja pas meje – foli përsëri Grigori i Sanokut.

Gjergji u ngrit. Kapelani mbylli shulin dhe u nis i pari ndërmjet disa korridoreve të gjatë, të ngushtë dhe të errët. Së fundi, e çoi Gjergjin në një dhomë të paisur mirë. Në tryezë ishte vendosur ushqimi dhe Grigori i Sanokut ftoi të arrestuarin për të ngrënë. Që nga mëngjezi Gjergji nuk kish futur asgjë në gojë, prandaj filloi të hajë me oreks. Në kohën kur i arrestuari mbaroi së ngrëni, Grigori i Sanokut që ishte ulur afër tij, i tha:

-Kjo dhomë është përgatitur për lartmadhërinë tuaj. Mbreti dhe Janosh Hunniadi duan të bisedojnë me ju. Nuk kishte mënyrë tjetër, prandaj për të mos tërhequr vëmendjen e turqve, u arrestua lartmadhëria juaj dhe për të mos lënë dyshime u arrestuan edhe dy të tjerë. Meqënëse mbajtësi i Madh i vulës së sulltanit u sëmur, prandaj, para se të shërohet, do të kemi kohën e nevojshme për t’u njohur nga afër.-
Duke dëgjuar kapelanin, Gjergji mbaroi së ngrëni. Pastaj largoi nga vetja tepsinë me ushqimet dhe u ngrit.
-Shkojmë! – tha Grigori nga Sanoku – mbreti dhe hetmani po na presin.-
Pas këtyre fjalëve, kapelani mori kandilin në dorë dhe shoqëruesin e tij e çoi në një dhomë më të madhe.
-Kjo është banesa ime – tha kapelani, duke qëndruar në mesin e dhomës. Pra , do të jemi fqinj me njeri-tjetrin.-
Gjergji i hodhi një sy dhomës. Ajo ishte e pastër e rregullt dhe shumë e thjeshtë. Kishte një shtrat prej dërrase, çarçafët e palosur ndodhesin në një qoshe
të dhomës dhe më tej ishte një gjunjëtore që përdorej gjatë gjunjëzimit për t’u falur. Sipër saj ishte varur një tabllo me figurën e Krishtit të kryqëzuar në kryq dhe figura e Shën Mërisë, para së cilës ndriçonte një kandil.
Në faqen e murit tjetër dukej një rraft me libra të shumta, ndërsa shumë libra ishin shpërndarë në një tryezë tjetër.
Duke parë dhomën rreth e rrotull, Gjergji gjeti tempullin e shkencëtarit.
-Merreni me shkencë Atë? – e pyeti.


-Përpiqem që dhuratat e Zotit t’i sjell në të mirë të njerëzve – u përgjegj i pyeturi dhe pastaj lëvizi përpara nga vendi.-
Gjergji u gjunjëzua para figurës së Krishtit të kryqëzuar në kryq dhe mbasi u përshëndet shkoi pas udhërrëfyesit.
Përsëri, ata shkuan nëpër korridorin e gjatë e të errët, pastaj hynë në njërën, në tjetrën dhe së fundi në banesën e tretë, e cila ishte e ndriçuar dhe muret ishin zbukuruar me armatime luftarake. Në qëndër ndodhej një tavolinë e madhe, në të cilën qëndronte një burrë serioz me mjekër të qethur, me ballin e madh të vrenjtur dhe me krenarinë që i shfaqej tek sytë. Ai ishte Janosh Hunniadi. Nëpër dhomë lëvizte mbreti Vlladisllavi III.
Kur u hapën dyert, mbreti ndaloi. Grigori i Sanokut bëri para tij një përulje të thellë dhe po kështu përshëndeti mbretin edhe Gjergji. Duke qënë i ulur në fron, mbreti ftoi shokët e tij të ulen anash për të zhvilluar një bisedë sekrete dhe miqësore.
Kështu filloi biseda sekrete, objekt i së cilës ishte gjetja e mënyrës për të shkatërruar padishahun.
Mbreti dhe hetmani llogarisnin edhe Gjergjin se donte të shkëputej nga duart e turqëve dhe donte të çlironte Shqipërinë. Për këtë ai duhej të krijonte turbullira në rradhët e ushtrisë turke, që do t’u mundësonin të krishterve të mundnin armikun e fuqishëm. Dhe nuk u zhgënjyen. Gjergji tha:
-Sa të ketë shpirti im dëshirën për liri, zemra të këtë guxim, krahët të kenë fuqi dhe në damarët të rrjedhë gjak, të gjitha këto do t’ia kushtoj çlirimit të atdheut tim, duke qëndruar në luftë me paganët, në mbrojtje të krishtërimit.-
Duke thënë këto fjalë, sytë e Gjergjit ndriçuan për këtë çështje të shenjtë.
Mbasi dëgjuan këto fjalë të Gjergjit, edhe të tjerët ishin të gatshëm për të vepruar së bashku: mbreti djalosh, shpartalluesi i turqve Janush Hunniadi dhe mendimtari Grigori i Sanokut.
Pas kësaj hyrjeje të suksesshme, midis katër burrave filloi biseda e rëndësishme dhe e gjatë.
Bisedimet duhet të kenë vazhduar gjatë, sepse kishin të bënin me çështje të rëndësishme dhe të vështira ushtarake. Ato krijuan një pamje të bukur të këshillimit të këtyre katër burrave, emrat e të cilëve u shkruan me lavdi në historinë e njerëzimit.
Me të vërtetë ishin njerëz të mëdhenj. Të katër këta u përpoqën që aftësitë e tyre t’i përdornin për të mirën e njerëzimit, për lavdi të Zotit, për triumfin e krishtërimit. Ata ishin njerëz të frymëzuar nga besimi tek Zoti.
Pas mbarimit të bisedimeve, Grigori i Sanokut tha:
-Tani të largohemi! Gjatë kohës së arrestimit të lartësisë tuaj, jeni të mbrojtur nga “engjëjt roje”-.
-Po- tha Vlladisllavi III- të jesh edhe ti një “engjëll roje” i Gjergjit – ju drejtua mbreti Grigorit.-
Në çastin kur Grigori i Sanokut ndaloi mbretin të përmendte në këtë ceremoni emërtimin e ri të detyrës që ju caktua, Vlladisllavi III i ndërpreu atij fjalën dhe tha:
-Atë i dashur, nuk do ta tërheq atë që thashë për të arrestuarin tonë. Edhe ti do të jesh një “ëngjëll roje” i tij. Ndihmojeni atë të dalë nga kjo gjendje arresti e tmerrshme.-
Gjergji dhe Grigori i Sanokut hynë në korridorin e errët, duke u përkulur dhe përshëndetur më parë mbretin djaloshar. Grigori i Sanokut në rolin e “engjëllit roje”, kapi dorën e princit të Shqipërisë, me qëllim që të mos humbiste në errësirë. Nuk mund të kalonin me kandil, sepse drita mund t’i tradhtonte marrëveshjet e lidhura, të cilat duhej të mbeteshin sekrete.


Kur të dy shoqëruesit u ndodhën vetëm në banesën e Grigorit nga Sanoku, atëhere kapelani pyeti të arrestuarin:
-A doni tani lartësia juaj, të shkoni të pushoni në qelinë tuaj?-.
-Në rast se më lejoni, dua të qëndroj këtu, Atë i nderuar dhe nuk dua akoma të shkoj në vendin tim. Pas ngjarjeve të sotme, pas bisedimeve me ju, njerëz të nderuar, kam një gjëndje të çuditshme. Shpirti im ka nevojë të përpëlitet, sepse ai po kthehet drejt jush. Për njëzet vjet u detyrova të ndryth ndjenjat e mia, të jetoj me mendimet e mia dhe u detyrova të jem gjithashtu gjykatës i vetvetes, prandaj tani kam dyshime të ndryshme. A më lejoni i nderuar Atë që shpirti im i ndrydhur të shpërthejë para jush?-.
-Jam në shërbimin tuaj, lartësi- u përgjigj Grigori i Sanokut, duke ftuar Gjergjin, thellësisht të tronditur, për t’u ulur.
Kur u ulën, Gjergji filloi t’i tregojë kapelanit historinë e tij, duke filluar në çastin kur turqit ngritën kampin armik në kufirin me Shqipërinë.
“Atëhere, kur isha fëmijë nëntë vjeçar, dëshirova të mund armiqtë. Besova në profecinë që kish parë në gjumë nëna ime, besova në fjalët e Atë Palit se Zoti, vendimet që merr, i relizon në mënyrë të tillë që nuk i merr me mend llogjika e njerëzimit. Problemet e njerëzimit Ai i zgjidh në rrugë të çuditshme. Në raste të tilla, njerëzit janë instrumentë të dëshirës së Zotit. Një instrument i tillë kam menduar të jem edhe unë. Sot nuk e di në se jam i denjë të jem instrument i Zotit. A mos vallë jam fajtor ndaj Zotit me betejat dhe fitoret e mia në favor të turqve. Por edhe tradhëtia që kam për të bërë ndaj armiqëve të mi, në raport me padishahun, i cili më edukoi, është e pështirë për mua”.
Grigori i Sanokut e dëgjoi me vëmendje folësin, pa e ndëprerë atë dhe kur ai përfundoi fjalën, i tha :
“Në të vërtetë, lartësia juaj, padishahu të ka mbuluar me ëmbëlsira dhe favore, por duke të shqyer familjen tënde, atdheun dhe kishat, ka kryer krime për hakmarrje. Por, cili ka qënë qëllimi i këtyre mësimeve dhe favoreve që padishahu ka bërë për lartësinë tuaj? Kjo është bërë me qëllim që krahun tuaj të fuqishëm, lartësi, ta përdorë kundër të krishterëve dhe familjes tuaj, Ju nënshtrove dhunës, por Zoti këtë faj nuk do ta marrë parasysh. Duke qënë fajtor, nuk mund të kthehesh në gjirin e
kishës, familjes dhe atdheut”.
Ata biseduan gjatë dhe pasi u bë vonë, u ndanë midis tyre. Gjergji ishte i qetësuar dhe i përtërirë, por nuk donte të mbetej vetëm tek kjo përtërirje që i dha mundësinë për t’u kthuer tek të krishterët, por donte që kjo përtritje të ishte e shpirtit të krishterë të vërtetë, duke bërë ritin e të rrëfyerit. Pas rrëfimit, Grigori i Sanokut u largua. Duke lëvizur i gjunjëzuar, ai i tha:
-Këtu je i lirë që në vetmi dhe me shpirtin e përqëndruar të çosh mendimin tek Ai që e dashuron dhe ti kërkosh falje.-
Gjergji u përul para fronit të Zotit.

Pas një ore mungese, kapelani u kthye dhe të përkujdesurin e tij e pyeti nëse kishte dëshirë të dëgjonte meshën e shenjtë?
-O Atë shpirtëror, -u përgjigj Gjergji i gëzuar.-nuk e kam dëgjuar atë prej njëzet vjetëve.-
-Shkojmë atëhere.-
Pas pak u ndodhën në kishëzën e kështjellës. Ajo ishte e gjitha bosh, vetëm në bankat me shpinë nga dyert, ndodhej një portret njeriu. Gjergji u ul në
bankën që i tregoi Grigori i Sanokut dhe shpejt ai shkoi tek altari.
Gjergji pati ndjenja të papërshkrueshme lumturie që i lehtësuan shpirtin e tij. Ato iu rrënjosën në shpirtin e tij dhe për këtë ju fal Zotit nxehtësisht.
Duke dëgjuar meshën e shenjtë, atij ju duk sikur ishte përsëri në atdheun e tij të dashur dhe se Atë Pali i shërbente Zotit pranë altarit. Sesa thellë i ishin rrënjosur mësimet e këtij kapelani, dëshmon fakti se Gjergji, duke u detyruar të bëhet pagan që nga mosha nëntë vjeç, nuk u demoralizua. Tek ky fëmijë ishin rrënjosur të vërtetat e shenjta, të mbjella me dorën e këtij të moshuari të nderuar, farat e të cilave u mbollën në një tokë pjellore. Farat e Zotit nuk mundën të mos mbinin, ndonëse barërat e këqinj të paganëve për njëzet vjet u përpoqën t’i mbysnin ato.
Gjatë meshës, Gjergji u gjunjëzua para shkallëve të altarit, me qëllim që të pranonte Trupin dhe Gjakun e Zotit Krisht. Duke u gjunjëzuar rreth vetes së tij, vuri re se ndodhej edhe një person tjetër dhe dalloi se ai ishte mbreti.
Mbreti nuk e ndërpreu Gjergjin në përqendrimin e tij. Ai vazhdoi të dëgjonte meshën e shenjtë, ndërsa gjatë lutjeve u përqendrua aq thellë, saqë nuk vuri re se mesha kish përfunduar me kohë. Një Zot e di sesa gjatë ish ndodhur në këtë gjendje shpirti i tij, sikur Grigori i Sanokut të mos e ndërpriste, duke i vënë Gjergjit dorën mbi sup dhe t’i thonte se duhej të kthehej.
Duke parë të penduarin, Grigori i Sanokut buzëqeshi, sepse ju kujtuan fjalët e mbretit Vlladisllav që i tha atij në çastin kur Gjergji zhvillonte bisedime sekrete me mbretin dhe Hunniadin.
Në atë çast mbreti i tha Grigorit të Sanokut: “Bamirës i nderuar, ndihmojeni këtë njeri që të dalë nga robëria e ferrit”.
Të plotësohej kjo porosi e mbretit, ishte një gjë shumë e këndshme dhe e lehtë. Prandaj, kur të dy u ndodhën përsëri në bankën e Grigorit të Sanokut, ai ju drejtua edhe njëherë Gjergjit:
-Le të të shërbejë ky ushqim që do të hash tani, për të të forcuar gjatë udhëtimit të gjatë që ke për të bërë. Bëj kujdes për veten dhe ki besim tek Zoti.-
-Ndërsa unë, i nderuar Atë, të falenderoj nga thellësia e zemrës – u përgjigj Gjergji i emocionuar dhe pasi u mendua pak, tha: thuaji mbretit se bashkë me pranimin e kungimit të shenjtë, e ndjej veten të lidhur me vëllezërit për të gjithë jetën. Le të ketë besim tek unë. Krahët e mi i takojnë atij, Atë i nderuar – duke i thënë këto fjalë me ton të lartë.-
-Mirë, mirë, – foli i gëzuar kapelani i nderuar – ndërsa tani, pasi përtërite shpirtin, duhet të përtrish edhe trupin.-
Pasi tha këto fjalë, u ulën për të ngrënë mëngjesin. Biseda zhvillohej lirshëm. Gjergji mrekullohej me Grigorin e Sanokut, duke e krahasuar atë me një libër të bukur dhe të kuptueshëm.
Kjo ditë e filluar me këtë ngritje shpirtërore, kaloi e gëzueshme për Gjergjin. Për më tepër pati edhe një surprizë tjetër të madhe, sepse pragun e kaloi gjyshja Roza. Ajo i drejtoi Gjergjit krahët që i dridheshin dhe e mallëngjyer ju drejtua me fjalët: “Djali im”.
-Gjyshe, – thirri me zë të gëzueshëm Gjergji dhe e përqafoi gruan e drithëruar, sikur t’i drejtohej nënës së tij.
Gjyshja Roza i solli Gjergjit lajme të mira dhe të gëzueshme nga Shqipëria. Atje presin që me çastin e duhur të përzënë turqit. Është detyra e jote, djalë i dashur, që ta afrosh sa më shumë këtë çast, – i foli ajo me ëmbëlsi.
Edhe hetmani Janosh Hunniadi e vizitoi Gjergjin dhe me të zhvilloi një bisedë sekrete.
Gjergji ishte aq i lumtur dhe dëshironte që qëndrimi aty, që në dukje ngjante si një burg, të zgjaste sa më shumë.
Megjithatë, çastet e lumtura kaluan shpejt. Hungarezët të arrestuarit nuk mund t’i mbanin gjatë, deri në pafundësi. Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit u shërua shpejt dhe gjatë kohës që Gjergji po kalonte çaste të lumtura, zhvilloheshin bisedime
për paqe. Ato zhvilloheshin në sallën mbretërore dhe dukeshin si një paradë ceremoniale.
Bisedimet nuk përfunduan me nënshkrimin e një marrëveshjeje për paqe. Dërgata turke do të kthehej, prandaj duhej të liroheshin të arrestuarit. Edhe me dy të arrestuarit e tjerë u zhvilluan hetime dhe më në fund u gjet se janë të pafajshëm. Pas kësaj i liruan dhe për këtë Grigori i Sanokut njoftoi Gjergjin.
-Lartësia juaj, po u çoj në burg dhe prej andej do t’u liroj dhe do të bashkoheni me anëtarët e tjerë të Dërgatës. Do t’u njoftoj kur do të vijë çasti i duhur për këtë.-
Pas pak u hapën dyert dhe para tyre u duk Vlladisllavi III.
-Erdhi koha – foli shpejt. Bëhem copë që lartësia juaj, princi shqiptar, të më thotë se do të mbetemi si vëllezër. Mendova për këtë, kur po qëndroja anash jush, në kohën kur po merrnit kungimin e shenjtë. Të vëllazërohemi – tha dhe i zgjati dorën.
Dhe ky vëllazërim të jetë fillimi i një dashurie të tillë midis dy vëllezërve që Zoti Krisht na urdhëroi sikur të ishim dy të afërm. Le të japim shembullin e ndershmërisë, virtytit dhe drejtësisë. O Zot, na ndihmo neve të treve.-
Në fjalët e mbretit djalosh ndjehej një zjarrllëk i pashuar që ja transmetoi edhe Gjergjit.
-Po, na ndihmo edhe neve o Zot! – tha edhe Gjergji.
Grigori i Sanokut vuri dorën mbi kokën e tij, duke thënë fjalë bekimi.
-Por erdhi koha për t’u ndarë, tha mbreti. Atë i nderuar shoqëroje atë dhe mbylle në burg.-
Pas pak, Gjergji u ndodh në burgun e tij dhe kapelani u përshëndet me të arrestuarin me fjalët:
-Le të na prijë Zoti!-
Sapo Gjergji u shtri për të pushuar mbi kashtë, kur hapi sytë, u hapën dyert dhe të arrestuarin e nxorën në oborr. Atëherë ai u bashkua edhe me dy të arrestuarit e tjerë. Pas pak të tre u ndodhën në godinën ku ishte vendosur Dërgata turke.
Mbajtësi i madh i vulës së Sulltanit dhe i deleguari kryesor i padishahut, përshëndeti Skënderbeun me përzemërsi dhe shprehu keqardhjen që e arrestuan dhe e nëpërkëmbën favoritin e padishahut . Lëshoi fjalë mallkimi ndaj hungarezëve.
Me mallkime në gojë, me kërcënime dhe me hakmarrje, turqit u larguan nga toka hungareze.

(vijon)
Përktheu nga origjinali
Leonard Zissi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.