KULTURË

Edmond Budina: Janë zhdukur 70 armë të rekuizitave, kallëzim drejtuesve të Teatrit Kombëtar

19:45 - 11.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Mbrëmja e djeshme në protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka nisur me përkujtimin e poetit kuksian Havzi Nela. “Sot do kisha dëshirë të hapja këtë takim për poetin Havzi Nelën. 31 vjet më parë u bë ekzekutimi me varje. Pasi kish dhënë mësim më shkollat e Kukësit duke përhapur vlerat e tij”,- tha aktorja Adriana Tolka. Tolka kujtoi se ai nisi të përndiqej nga regjimi derisa tentoi të arratisej. Trupi i tij i varur qëndroi për 24 orë që të bëhej shembull për ata që dilnin kundër regjimit. Ai u gjet i varrosur në këmbën në hapësirën ku kishte qenë një shtyllë në Kolsh kur u rehabilituan eshtrat e tij më 1993.




AKUZA
Edmond Budina që mori fjalën pas Adriana Tolkës tha se poezia e Nelës është emocionuese e se “jemi këtu në shesh pikërisht për të mos u përsëritur ato kohë, për të mos u kthyer më në diktaturë, për të mbrojtur të drejtat tona e për të mbrojtur demokracinë”. Por para se të niste shfaqja, Edmond Budina donte të ndante diçka me protestuesit e ata që e ndjekin. “Është bërë një kallëzim nga drejtoria e Teatrit Kombëtar për ne që kemi okupuar teatrin. Por ne do t’u përgjigjemi po me një kallëzim. Këtu një vit e pak më parë, janë marrë 70 armë të vjetra të rekuizitës së Teatrit Kombëtar. Për mendimin tim kanë shumë vlerë. Unë i mbaj mend kanë qenë pisqolla”,-tha Edmond Budina. Ai theksoi se “kanë qenë të kohës së Turqisë. Sipas tij kanë qenë edhe paticka, kanë qenë automatikë gjermanë që sot kanë një vlerë relikeje. Dhe ato janë zhdukur, janë marrë. Nëpërmjet policisë ato duhen kontrolluar se ku kanë shkuar. Kush i ka marrë, ku i ka çuar dhe për ç’qëllim i ka marrë. As regjimi i Enver Hoxhës nuk i hoqi ato armë që kanë qenë një vlerë e jashtëzakonshme”. Aktori dhe regjisori Edmond Budina gjatë fjalës së tij u shpreh se me ato armë janë luajtur shumë drama në teatër ndaj t’i marrësh ato, është një krim i rëndë i Teatrit Kombëtar ndaj Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar do të bëjë një kallëzim.” Kallëzimi do të bëhet për këtë e për shumë materiale të tjera. I kemi transmetuar me pamje në televizion, se sa mirë ishte trajtuar Teatri Kombëtar. Është lënë në gjendjen më mizerabël që mund të bëhet.

A mund të jenë njerëz të artit këta që e mbajnë teatrin në atë gjendje. Ndaj ata duhen kallëzuar penalisht. Ndaj ata janë të parët që duhen kallëzuar dhe nëse teatri ka pasur rrezik shembjeje janë po prapë ata të parët që duhet të paguajnë që nuk janë kujdesur për këtë teatër dhe kanë rrezikuar jetën e njerëzve”,-tha Edmond Budina. Gjithashtu, Budina tha se me ne nuk luhet kollaj. “Ta dinë mirë. Kushdo që i ka bërë këto vepra, do të përgjigjet. Dhe do të përgjigjet deri në një. Ne do ta mbajmë këtë teatër siç e kemi filluar, me shfaqje, me kulturë, me dashuri e me harmoni. Por ama po erdhi momenti edhe me përplasje. Ne nuk do të tërhiqemi, teatrin nuk do ta lëmë të shembet”. Kujtojmë se prej ditës 24 korrik kur teatri u mor në kontroll nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në oborrin e teatrit nuk është lejuar të futet asnjë makinë nga policia. Ndërkaq sheshi vëzhgohet nga Ministria e Brendshme që është përballë dhe mes policisë dhe artistëve ka pasur debate edhe për benzinën me të cilën furnizohet gjeneratori në kushtet kur teatrit i janë prerë dritat. Më tej Robert Budina tha se ka pasur mbështetje nga shumë vende të botës sidomos fakti që teatri ruhet 24 orë në 24 ka krijuar besim te njerëzit”. Ka dhënë idenë e qartë se kjo nuk është kauzë e manipuluar se nuk ka njerëz që manipulohen për të qëndruar roje 24 orë pranë teatrit. Ai lajmëroi se trupa nga gjermania, e jo vetëm, do vijnë në mbështetje të kauzës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.