MILOSAO

Festivali i Gjirokastrës 2020/ Aktiviteti që u bjerr në kohën e re

18:10 - 11.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Festivali i Gjirokastrës ka qenë dhe mbetet një nga aktivitetet më të njohura të trashëgimisë shpirtërore, për të mos thënë është apogjeu i kremtimeve të këtij lloji, i cili përmbledh kontributet kombëtare në disa disiplina të kulturës popullore. Për ata që se dinë mirë: me trashëgimi shpirtërore nënkuptojmë nga gjuha, folklori muzikor, folklorin koreografik, traditën e zejeve, gatimet, ritualet një kulturë e tërë specifike, që përbën një individualitet të caktuar dhe zakonisht lidhet me një komb.




Për fat të keq, niveli i Festivalit të Gjirokastrës sështë bjerrur. Krahasimi merret me festivalin e fundit, që fillimisht goditjen e mori me zgjatjen dhe prishjen e periodicitetit gati kanonik. Festivali i shkuar, pas një debati jo të vogël dhe apeli të madh, arriti dhe u zhvillua pas plot gjashtë vitesh mungesë!!! Në vitet e socializmit, me krijimin e këtij aktiviteti, që duhet thënë se kishte një buxhet të admirueshëm për kohën por edhe një angazhim gati total, respektohej një periodicitet i caktuar nga konjukturat dhe që shkonte edhe me të gjithë skemën e zhvillimit të hierarkisë së aktiviteteve në nivel kombëtar. Të mos harrojmë asokohe kishte shumë aktivitete lokale dhe qendrore me përmbajtje por edhe me shumë respekt në kulturën popullore.

Kjo ka rënë krejtësisht pas viteve ’90 sepse jeta amatore, pas jetës profesionale artistike është ulur në nivele gati të papërfillshme. Festivali i kaluar dha shenjat e para kur kapërceu afatet dhe me zhvillimin e saj u kuptua në një farë mënyre edhe indiferenca e titullarëve pas viteve ’90 ndaj këtij aktiviteti. Gjithsesi shkëlqimi i fundit i këtij aktiviteti ndodhi më vitin 2000, kur Ministri i Kulturës së asaj kohe, Edi Rama e rikonceptoi vlerën e këtij festivali në pikëpamje të organizmit, duke rithemeluar kartën e tij, statutin e festivalit, etj.
***
Në ditët e fundit, Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin për logon e Festivalit të Gjirokastrës dhe kjo në një farë mënyre ka treguar se ka nisur puna për të. Gjithsesi me pak muajt e mbetur, por edhe me mungesën totale të frymës për këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, shtuar me indiferencën totale në terren, nuk shihet asnjë përpjekje serioze për mbarëvajtjen e tij. Më keq akoma, me atë pak staf profesional dhe struktura të munguara kulture, që ekzistojnë sot në pushtetin lokal, është e pamundur të mbash të tilla aktivitete.

Ndaj prurja e Festivalit të Gjirokastrës ka sjellë dhe provuar që humbjet të cilat ndodhën në trashëgiminë kulturore shpirtërore gjatë kësaj periudhe, sidomos pas ’90, mbeten të pariparueshme. Një sociolog mund ta lidhë me shumë arsye kryesisht me braktisjen e zonave të tëra, me bjerrjet e gjithëfarllojshme, por specialistët mund të shikojnë qartë se trashëgimia kombëtare është krejtësisht e pambrojtur. Nuk ka mekanizmat e duhura, Instituti i Kulturës Popullore është i pamundur në funksionalizimin e tij, por të gjithë strukturat e shtetit tonë, veprojnë të tilla që trashëgimia e jonë shpirtërore të mos mbrohet. Në këtë sens, ndoshta një emergjencë për këtë festival do të ishte një rikonceptim i tij.
Festivali i Gjirokastrës, me të gjitha vlerat e jashtëzakonshme që ka krijuar, pati një problem shumë të madh, që ndoqi atë perceptim kolektiv që ndoqëm si popull për të gjitha aktivitetet e realizuara para vitit ’90. Një grup drejtuesish të rinj folën vetëm keq për traditën dhe llojin e këtyre aktiviteteve, kurse një narracion i ri hodhi poshtë shumë nga vlerat e krijuara në kulturën popullore të viteve para ’90…

Energjia për përgatitjen e këtij festivali, ku harxhoheshin përveç edhe buxhete dhe investoheshin energji për ta përcjellë sa më të pasur trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, filloi të konsiderohej si një punë e pavlerësuar. Organizimi i festivalit të Gjirokastrës konsiderohej si një më të arrirët në rajon, por edhe më gjerë, kurse ardhja e vlerave por edhe ajo pasuri që u përcoll aty, përcolli kontributet më të mëdha sa i përket traditës.

Duke u kthyer në Ministrinë e Kulturës, me dy titullaret e fundit të saj dhe shembullin e dy festivaleve të fundit: Përgatitja duhej bërë shumë e shumë kohë përpara, kurse pushtetit lokal me strukturat e kulturës dhe varësinë jo direkte nga Dikasteri i duhet gjetur një modul funksionalizimi. Sot, pushteti vendor, që tashmë vuan anomalinë e zgjedhjeve pa praninë e opozitës, duhej të vihej në punë prej kohësh dhe të kontribuonte, që këtë eveniment kombëtar ta kishte në evidencë. Është fare normale që pushtetet vendore të kishin evidence të qarta për këtë aktivitet dhe duke hequr dhe ngjyresat politike të kontribuonin me të gjitha energjitë e duhura. Dhe, pasojat mund t’i parashikojmë lehtë: Në aktivitetin e shkuar ndodhi të mos ftoheshin disa nga kontributorët historikë përpos artistëve të njohur dhe po ashtu shumë studjuesë të njohur të trashëgimisë. Të tjerë specialistë shtuan se në festivalin e shkuar, pikërisht prej vonesave, mungoi infrastruktura e duhur që nënkuptonte pararendjen me materialet e duhura folklorike, promovimet, emisionet kushtuar trashëgimisë kulturore shpirtërore, etj.

Kjo e bën shpalljen e vonuar të logos për Festivalin dhe mungesën e përgatitjeve për aktivitetin, një lloj lajmërimi se neve na duhet shumë e më shumë kohë dhe impenjime, që ta kthejmë këtë Festival në kulmin e tij. Dhe, sidomos me një aktivitet të tillë, që duhet thënë se ishte krenaria e vërtetë e vendit. Ky duhej të ishte realisht shqetësimi i ministres së re të kulturës…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.