MILOSAO

Poezi nga FERNANDO PESSOA

17:00 - 11.08.19 Gazeta Shqiptare

Fernando Antonio Nogueira Pessoa lindi më 1888, në Lisbonë. Ai qe i biri i Magdalena Pinheiro Nogueira dhe i Joaquim de Seabra Pessoa, kritik muzike në një gazetë të qytetit. Tërë shkollimin e bëri në gjuhën angleze. Gjithë jetën rrojti në Lisbonë. Më 8 mars 1914, u shfaq heteronimi i tij i parë, Alberto Caeiro, të cilin e pasuan Ricardo Reis dhe Alvaro Campos. Dashuria e vetme e jetës së tij qe Ophélia Queiroz, daktilografiste në firmën e import-eksportit ku punonte edhe ai. Sa qe gjallë, botoi vetëm nëpër revista. Vdiq më 1935, në spitalin Saint-Louis-des-Français, në Lisbonë, nga një krizë hepatiti, e shkaktuar nga alkooli i tepërt.
Antonio Tabucchi : ” Ajo që e karakterizon Pessoa-n, është Nostalgjia në katror, nostalgjia e ndërmjetësuar nga një person tjetër, nostalgjia në shkallë hipotetike. Ajo nuk është një nostalgji për atë që ka pasur, po për atë që do të mund të kishte – që unë e kam quajtur ” nostalgjia e të mundshmes. ”
Roman Jakobson : ” Emri i Fernando Pessoa-s kërkon që të futet në listën e artistëve të mëdhenj botërorë, të lindur në vitet 1880: Stravinsky, Picasso, Joyce, Braque, Khlebnikov, Le Corbusier. Të gjitha karakteristikat tipike të këtij ekipi të madh gjenden të mbledhura në veprën e poetit portugez. ”



Nga FERNANDO PESSOA*

IX
Unë jam një njeri që ruan kopenë.
Ajo është kopeja e mendimeve të mia.
Dhe mendimet e mia të gjitha janë ndijime.
Unë mendoj me sy dhe me veshë,
Dhe me duar dhe me këmbë,
Dhe me hundë dhe me gojë.

Ta mendosh një lule do të thotë ta shohësh e t’i marrësh erë
Dhe të hash një frutë do të thotë të dish kuptimin e saj.

Ja përse një ditë më vonë
E ndiej veten të trishtuar ngaqë i gëzohem aq shumë,
Dhe shtrihem i tëri në bar,
Dhe i mbyll sytë që më djegin,
Dhe e ndiej tërë trupin tim të shtrirë te realiteti,
Unë e di të vërtetën dhe jam i lumtur.

X
Heheej, bari që ruan kopenë,
Që ndodhesh ndanë rrugës,
Çfarë të thotë era që kalon?

Se ajo është erë dhe se ajo kalon
Dhe se tashmë ajo ka kaluar,
Dhe se ajo do të kalojë përsëri.

Po ty, çfarë të thotë kjo erë ?

Ajo më thotë shumë më tepër.
Ajo më flet për shumë gjëra të tjera,
Për kujtime dhe për keqardhje,
Dhe për gjëra që kurrë nuk qenë.

Ti kurrë nuk e ka dëgjuar erën duke kaluar.
Era flet vetëm për erën.
Ajo që ti ke dëgjuar se thoshte ishte një gënjeshtër
Dhe gënjeshtra gjendet brenda teje.

XVI
Sikur jeta ime të ishte një qerre e ngarë nga qetë
Që rastësisht do të rënkonte në rrugë, herët në mëngjes,
Dhe kur të nisej për t’u kthyer ndajnatëherë
Nëpër të njëjtën rrugë…

Unë nuk do të kisha nevojë për shpresa:
Vetëm për rrota do të kisha nevojë…
Pleqëria ime nuk do të kishte as rrudha, as flokë të bardhë…
Kur të dilja jashtë përdorimit, do të m’i hiqnin rrotat
Dhe do të isha një qerre e përmbysur, e bërë copë-copë
E mbetur në fund të një përroske.

XVIII
Sikur të isha pluhuri i rrugës
Që do të më shkelnin me këmbë varfanjakët…

Sikur të isha lumenjtë që rrjedhin
Me këmishëlarëset në brigjet e mia…

Sikur të isha shelgjet buzë lumit,
Duke pasur veç qiellin mbi kokë dhe ujin te këmbët…

Sikur të isha gomari i mullisit,
I cili do të më fshikullonte duke ndier dhembshuri për mua…

Më mirë të isha kështu, sesa ai që e kalon jetën
Duke vështruar prapa dhe me brengë në zemër.

XXXVII
Si një shkarravitje e stërmadhe flakësh,
Dielli që perëndon, vonohet te reta e shtangura.
Në mbrëmjen e qetë, vjen që tutje një fishkëllimë e mbytur:
Duhet të jetë fishkëllima e një treni të largët.
Në këtë çast, unë ndiej një melankoli të pashpjegueshme
Dhe një dëshirë të papërcaktuar, të qetë
Që duket e zhduket.

Hera-herës, ndodh që në rrjedhën e rrëkeve,
Mbi ujë sajohen flluska
Që lindin e pëlcasin
Dhe ato nuk kanë kuptim tjetër
Përveç atij që janë flluska uji
Që lindin e pëlcasin.

XLVIII
Nga dritarja më e lartë e shtëpisë sime
Me një shami të bardhë u them lamtumirë
Vargjeve të mia që nisen drejt njerëzimit.

Dhe nuk jam as i gëzuar, as i trishtë.
I tillë është fati i vargjeve.
Unë i shkrova dhe dua t’ua tregoj të gjithëve,
Sepse ato nuk mund t’i përdor ndryshe,
Ashtu si lulja që nuk mund ta fshehë ngjyrën e saj,
As lumi nuk mund të fshehë që rrjedh,
As pema nuk mund ta fshehë që bën fruta.

Ja ku po largohen tashmë si një karrocë udhëtimi
Dhe padashur unë ndiej një brengë
Diçka si një dhimbje në trup.

Kushedi cili do t’i lexojë ?
Kushedi në çfarë duarsh do të bien?

Lule, fati im më këputi për sytë.
Pemë, frutat m’i volën për t’i futur në gojë.
Lumë, fati i ujërave të mia ishte të mos mbeteshin tek unë.
I shtrohem fatit dhe e ndiej veten pothuaj të gëzuar,
Pothuaj të gëzuar si një njeri që e ndien veten të lodhur
së qeni i trishtë.

Ikni, shkëputuni nga unë !
Pema kalon dhe shpërndahet në Natyrë.
Lulja thahet dhe pluhuri i saj rron përgjithmonë.
Lumi rrjedh, pastaj derdhet në det
dhe ujërat e tij mbeten ujërat e tij.

Unë kaloj dhe mbetem si Universi.

U MBËSHTETA
NË KARRIGE…

U mbështeta në kërrige tek ura e anijes dhe mbylla sytë,
Në shpirtin tim u shfaq fati im si një humnerë.
Jeta ime e kaluar u përzie me jetën time të ardhshme,
Midis të dyja ishte zallamahia e një salle
me njerëz që pinin duhan
Ku, siç ma kapte veshi mua, po merrte fund një lojë shahu.

Ah, i kolovitur
Nga ndijimet që më shkaktojnë dallgët
Ah, i përkundur
Nga mendimi aq i rehatshëm se sot ende nuk është nesër,
Se së paku në këtë çast nuk kam kurrfarë përgjegjësie,
Nuk kam personalitet të mirëfilltë, por e ndiej se jam këtu,
Në karrige si një libër i braktisur nga suedezja.

Ah, i zhytur
Në një topije të imagjinatës, pa dyshim, diçka e afërt me gjumin,
I tronditur aq qetësisht,
Papritmas i ngjashëm me fëmijën që kam qenë dikur
Kur luaja në pronën e fshatit dhe nuk i njihja algjebrën,
As algjebrat e tjera me x-et e me y-et e ndjenjave.

Ah, unë dëshiroj me tërë qenien time,
Në këtë çast pa kurrfarë rëndësie
Në jetën time,
Ah, unë dëshiroj me tërë qenien time në këtë çast,
si në çaste të tjera të ngjashme,
Në ato çste kur unë nuk kisha kurrfarë rëndësie,
Në ato çaste kur e kuptova tërë zbrazëtinë e ekzistencës,
Pa e pasur mençurinë për ta kuptuar
Dhe kishte dritë hëne dhe det, dhe vetmi, o Alvaro!

KUR TË KEM VDEKUR…

Nëse, kur të kem vdekur, dikush ka dëshirë
të shkruajë biografinë time
Nuk ka asgjë më të thjeshtë.
Ajo ka vetëm dy data: atë të lindjes
dhe atë të vdekjes sime.
Midis njërës dhe tjetrës datë, të gjitha ditët janë të miat.

Është e lehtë ta përcaktosh jetën time.
Unë e kam parë botën si një njeri i dënuar.
Unë i kam dashur gjërat pa kurrfarë sentimentalizmi.
Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja,
sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja.
Të kuptuarit e vetes për mua qe gjithmonë
veçse të shoqëruarit e të pamit.
Unë e kuptova se gjërat janë reale
dhe krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra;
T’i kuptoje me anë të mendimit, do të thoshte
të të dukeshin të gjitha të ngjashme.
Një ditë më vuri në gjumë si cilindo fëmijë.
Unë mbylla sytë dhe fjeta.
Përveç kësaj, unë qeshë poeti unik i Natyrës.

*Përktheu: Anton PAPLEKA

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *