MILOSAO

PORNOGRAFIA

16:30 - 11.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Roland Gjoza  -RRr sikur u godit prej rrufesë. Shkak ishte ajo letër. Hëna kishte rënë në dhomë si një pëllumb i gabuar. Ishte një dritë e lehtë e bardhë, puplore që e kishte bërë dhomën e madhe të pritjes pjesë të qiellit. A jam në vete, a s’jam? Tundi e shkundi kokën fort, po pamjet në internet, po e çmendnin krejt. Ishte ai, pikërisht ai, RRr me atë grua të hatashme në skena të ndyra seksi. Një dritë e murrëtyer mbuloi gjithçka, jo, jo, ajo hënë s’kish qenë pëllumb, po demon i shfytyruar për ta gënjyer. Në çdo kuadër ishte vënë diçitura; Mbylle gojën, përndryshe këto pamje do të nisin një udhëtim skandali nëpër botë. Fjala skandal e katandisi në një peshë aq të lehtë, sa ra nga karrigia. Dhe kush, RRr, ky burrë…




Kthehej nga një udhëtim i mërzitshëm, nga një dështim. S’po i ecte fare kohët e fundit. S’kishin më nevojë për të, për doktor profesorin e dëgjuar, veterinerin e rrethit. Pothuajse nuk e thërrisnin më. Humbën ato poste e tituj që mbante dikur, gjer dhe Kryetar Komiteti, privilegjet dhe dinjiteti kishin marrë rrokullimën. Vitet kishin bërë të tyren, ai po plakej, ndërsa jeta përqark kishte marrë tjetër drejtim. Ore, po s’kishin nevojë dhe pikë. Vetëm më të rrallë i bënin zë, po s’i jepnin shumë. Këto ankesa kishte dhe i kunati, orëndreqës, i cili me sot e me nesër mund ta mbyllte dyqanin.

E donin, e çmonin si një njeri të zotin, të ndershëm, të lidhur me regjimin që shkoi e që s’kish ndërruar bindje, megjithë ndryshimet që kishin ngjarë rrokopujshëm. Familje e nderuar, fshehur e humbur, larg mëkateve e ndyrësive të kohës. S’i kish dalë as një majë thua ndyrësi në drejtim të moralit. Madje, thonë se, edhe kur fuste dorën e mbështjellë me qese plot me spermë demi në organin gjenital të lopës mbyllte sytë e kthente kokën nga ana tjetër me turp. E po dihej, që RRr ishte fanatik. Kishte dy fëmijë që i morën rrugën e mërgimit dhe ai rronte vetëm me gruan, një partizane e flaktë kundër abortit.

Ai kish bërë bujë e pat sqaruar përfundimisht pozitën e tij politike e shoqërore ( kjo kish rëndësi më fort tani në kohën e kapitalizmit ) kur kish hapur me dy miq restorantin Drapër e Çekan. Kish mbledhur andej këndej nëpër familjet e përmbysura gjithë atë rekuizitë të partisë së punës; vepra të Enver Hoxhës, pothuaj të 100-tat, me lidhje speciale me atë letrën ekstra të blerë me ar në Austri, shallë aksioni, xhaketa, këmishë, këpucë të ish byroistëve, kravata, pantallona, fotografi të ndryshme të asaj kohe, fletë nderi, diploma për kryerje të detyrave me temp revolucionar, veshje partizane, kapele me yll, çizme ushtarake, kallëza gruri, makinë shkrimi, me një fjalë gjithë ato sende e parulla propagandistike që evokonin kohën komuniste. Nga një altoparlant i madh në mes të restorantit, si ato altoparlantët e dikurshëm vesh elefanti që nguleshin në sheshet e qyteteve të vegjël, buçitnin këngë partizane, këngë masash, këngë të zgjedhura nga festivalet në Radio -Televizion, të para 90-tës.
Përballë restorant Drapër e Çekan ishin sërë -sërë; një pab, që quhej Amerika, një internet kafe ( dikur qendër e edukimit politik ), bilardoja ( ish dyqani i metrazheve ) butik Venecia ( ish furra e bukës ) që shkëlqenin me bujë nga reklamat e zhurmonin nga të rinjtë.

S’kishin dhe aq fitim. Vinin pleq në mëngjes, merrnin një kafe me ujë depozite dhe çoheshin kur binte errësira. Servirej si dikur pilaf, makarona, byrek me gjizë, kos dhe bukë e zezë. Kishte dhe plot raste që i provokonin; vinin djem të rinj të droguar, të yshtur nga ata të partisë tjetër, me ndonjë femër me minifund që zbulonte tangat e gjoksin hata, me njerën thithkë të fryrë ngjyrë manushaqe të nxjerrë jashtë, e cila s’e kishte për gjë të tregonte me epsh të fshehurat e sojme edhe më tepër se aq, teksa kërcenin hit pop në mes të parullave dhe pleqve të hardallosur që hiqnin koburet dhe shtinin në tavan. Të gjithë përfundonin në polici për mbajtje armësh pa leje e prishje të qetësisë publike, po pas një nate të kaluar në paraburgim nxirreshin herët në mëngjes për të mos nxitur ndonjë revoltë qytetare me pasoja të paparashikueshme. Restoranti që ish mbyllur vetëm për një ditë hapej sërish të nesërmen dhe niste si zakonisht rituali; piqej kafeja me qebap të zi sterrë dhe, nepër hirin e prushnajës gjysmë të fjetur të tre mangallëve të mëdhenj mbi banak, viheshin mbi njëzetë xhezve me bisht te gjatë. Mullinjtë e vjetër prej bakri e xingoje kalonin dorë më dorë dhe, kur kish shume myshterinj, viheshin ne pune dhe ca plitka të vogla me korent apo dy tre gazuqe e ajo e uruar kafe taze “moskovoliste” tërë lagjen, siç shpreheshin të kënaqur pleqtë, që mblidheshin kokë më kokë dhe këndonin përmallshëm ato të sojmet e të paharruarat e maleve me dëborë kur kërciste dyfeku. Ndonjë sojli sillte havanin e lashte prej guri, nje havan stambolli 250 vjecar dhe aty bluante kafene. Loni i havanit mbahej kampion i kafese, se ç’pihej prej asaj rrahje ne gur te kokrres qe behej bersi e që tjeterlloj e leshonte ate lengun e bekuar ne filxhanet e asaj kohe, te vinte mendja verdalle prej nepsit qe kish gjetur më në fund karar. Shpesh disa prej tyre mbanin mbi krye kapele të vjetra partizane me yll të ciflosur, ndonjë merakli i krisur vishte e mbathte rrobat partizane e çizmet e stërmballosura e të qepura me fendyell me kambale gjer lart e me spango me dyllë. Po kishte dhe nga ata që lexonin qarkoret e ruajtura në sëndukë dhe shfletonin gazetat e luftës bërë fërtele dhe letrat e ronitura që këmbenin me njëri-tjetrin gjatë asaj kohe, të ruajtura këto relike të çmuara në vende që s’i dinte njeri. E, ç’vente aty brenda! Po kur bënin këmbë turistë dhe fotografonin me kaq zell dhe linin mendtë e kokës me ata pleq të roitur që rronin plotësisht në një kohë tjetër?! Po kur bënin ballë udhëtarë të huaj e të lodhur, që në fillim s’vinin re asgjë, pa po të ishe aty e të shikoje pastaj si ngriheshin papritur me uturimë duke vënë buzën në gaz dhe ia mbathnin sikur të kishin hyrë në një çmendinë. Sa herë ia kishin thyer xhamat atij restoranti, sa herë kishin shkruar në portë; restorant prostati, ose restorant pordha.

Tani u ndanë punët; gjysma e qytetit e donte, gjysma tjetër e përqeshte dhe e tallte RRr-në. Po ama për i ndershëm mbahej i ndershëm, karat i pastër.
Ja, kthehej asaj nate nga një lindje e vështirë e një lope dhe papritur ndjeu uri të madhe, i hahej e i pihej diçka me domosdo. Ku të shkonte? Mbyllur të gjitha. Parkoi makinën diku dhe eci në këmbë të gjente ndonjë vend ku të merrte diçka për të ngrënë. Ky ishte një qytet i vogëlth, një orë larg qytetit të tij, ku s’kishte fort të njohur.
S’ka fare rini, pëshpëriti, ka humbur dhe ajo xhiroja e madhe që bëhej dikur, xhan xhin, sikur janë futur njerëzia në kotecë bashkë me pulat. Ç’kohëra erdhën!

Zotni, mos kërkoni diçka për të kaluar kohën? e pyeti dikush me një zë fort të dashur. Ishte një djalë rreth të tridhjetave.
Dua të ha, po të gjitha qenkan mbyllur.
O, fare kollaj, e mbaj unë hapur.. Jam kthyer nga Greqia me gruan e dy fëmijët dhe kemi hapur një lokal si atje. Ç’bënte afendikoi grek, një pronar i nderuar e i njohur në Kretë, e bëjmë ne tani këtu.
RRr u interesua menjëherë të merrte vesh pse ishte kthyer djali dhe ç’lloj restoranti kishte hapur. Po më fort i pëlqente të rrëmonte për mendimet e tij. Ishte e kotë t’i thoshte se edhe ai kishte një restorant, pa marrë njëherë vesh ç’pikpamje kishte.
Dolën nga qyteti pasi bënë disa hapa dhe pas një çerek ore u gjendën para një shtëpie përdhese në mes të një lirishte me kavakë. Përreth kishte kodra dhe një fushëtirë, larg tutje diku u dëgjua fishkëllima e trenit. Shtëpia ishte krejt e mënjanuar dhe s’para binte në sy.
Kemi pak muaj që e kemi hapur, tha djali, po e kemi ende vështirë për kliente. Veç ata që bujtin këtu, se kemi dhe nja dy dhoma, që i japim me orë, mbeten të kënaqur me gatimin tonë mesdhetar.

Pse u kthyet?
Nuk durohet kapitalizmi. E dini si është puna, zotëri, besoj do të më kuptoni, ngaqë më dukeni intelektual, kur ke skllevër dhe i quan të tillë është diçka, po kur skllevërit i quan qytetarë është e padurueshme. Ja, kështu thotë një filozof. Na shfrytëzuan kafshërisht. Kur e kujtoj atë periudhë që kam punuar në Greqi më dridhet mishtë.
U kënaq RRr me këto fjalë plot me mllefe të djaloshit për kapitalizmin.
Dëgjoni, o i panjohur, shtoi djali me keqardhje për veten, kam dy fëmije, po dyshoj.. më kuptoni? Jo se ka ndodhur vërtet diçka, po ata, grekët e kamur, janë aq të qelbur sa nuk pyesin.. Po tani që jemi kthyer në shtepinë tonë jam fare i qetë.
Qënke i sinqertë, djalosh, tha RRr i kënaqur vërtet me këtë emigrant të penduar. Edhe unë kam dy fëmijë. E shitën atdheun. Ikën. Ah, sikur të më ktheheshin një ditë..
Do të kthehen, patjetër do të kthehen!
Në këto fjalë e sipër u hap dera dhe RRr pa një grua të qeshur që e ftoi brenda. Përshkoi një korridor të vogël dhe u fut në një dhomë me një tryezë dhe katër karrige. Nga dritarja me perde të kapura anash me fjongo dukej një mullar nën dritën e hënës. Dhe aty në majë diçka e kuqe si.. I bënin sytë, apo ishin vërtetë… një palë breçka me dantellë?
Djali e shoqëroi; hëngrën brinjë qingji, qofte, suxhukë me erëza, djathë, ullinj, sallatë me rrepa të kuqe dhe pinë verë. Gruaja nuk u shfaq asnjëherë, si duket ajo gatuante. Pas pak djali solli një tepsi me gjeldeti me përshesh me arra, bajame dhe stafidhe. Në kohën që RRr do të vinte thikën për të prerë kofshën e gjeldetit, djaloshi nxori çakmakun dhe ai mori menjëherë flakë. Ishte një pamje vërtet magjepsëse.
Piu gati një shishe me verë, që e dogëndisi ëmbël dhe sakaq mori vesh se djali e prodhonte atë vetë, nxirrte vajin prej ullishtave të tij dhe djathin prej bagëtisë së vet.
Edhe kjo i pëlqeu RRr-së, ndonëse s’kishte ç’të mësonte prej kësaj përvoje që gjithsesi ishte e importuar. Muzikë s’po dëgjonte, veç bulkthat jashtë t’i merrnin mendtë.
Po ç’donin vallë ato si breçka të kuqe mbi mullar? E, dreq o punë, kishin dhe dantellë, pale, ç’të ishte kjo nxitje kaq tmerruese prej dehjes që po i vinte si një përkëdhelje nga vera e kuqe e vreshtës së kësaj menge të harruar? O, ç’verë! Seç i vinin ca ndjesi që prej fundesh e ai s’donte t’i qaste. Po shkonte vonë, ja hëna s’ishte më, e kishin zënë kavaket, gruaja do të qe bërë merak patjetër dhe ndoshta e kish marrë në celular, po ai s’kish qejf t’i hidhte një sy, se një përqethje në vende ku s’rrëfehej po ia ndiznin mishrat sikur t’i ishin përshkuar në hell. Po thekërrizej në një zjarr të avashtë si të ishte një cjap e po kullonte lëng, një lëng veshtullor i bëhej se i rridhte vetiu nëpër kofshë.
Sa bën?- pyeti.
S’keni mbaruar, i tha djaloshi, keni dhe diçka tjetër që t’i japim fund kësaj darke e të mos e harroni kurrë. Më ndiqni.
I shkoi pas, siç i tha, se iu zgjua dhe kureshtja e ustait të restorantit, ç’kish për t’i servirur tjetër ky djalosh, që edhe pa këtë thelë mbi bisht, ia kishte kaluar me të vetmen gjë, që s’mund t’ia arrinte kurrsesi, verën e vreshtës së tij, që dinte ta seliste e ta ujdiste si qëmoti. Ç’kundërmim trullosës dhe ç’forcë që e kish kapluar prej saj.
E la para një dere dhe iku.
Doreza u ul vetë, siç duket prej një dore nga brenda dhe dera u hap me gërvimë. Ai zgjati kokën dhe pa një shtrat të hapur përplot dantella, dritaren e hapur përballe ku dukej mullari bashkë me atë cohe të kuqe drithëruese që po e ndjente me kaq ëmbëlsi çuditërisht, ndërsa me mendje e mallkonte, po pa fuqi.
Eja, afrohu, kjo është gjella e fundit greke. Provoje dhe ke për të mbetur i kënaqur.
Ku ishte gjella? Ç’ishte ai zë gruaje aq i ëmbël e dalldisës, që t’i merrte mendtë?
Këndej, ec, nuk i paske sytë në ballë?
O, sa po i pëlqente ky zë ndjellës. Ndoshta në këtë dhomë do t’i servirnin ëmbëlsirën, desertin, siç i thonin në gjuhën e frengut, ndonjë thagmë që vërtet do ta mbante mend. E pse të mos e provonte? Po na doli që ishte një femër, e cila bëri ballë nga një kthinë që shërbente si banjo, ashtu e sapolarë, lëshoi një kundërmim kopshtesh kur ndjehen bujshëm teksa çahen bumbeskat që të ngjisin në dorë e të këndellin ditën e parë të pranverës, e mbështjellë me një peshqir të madh të kuq flakë.
Ishte ajo, e zonja e shtëpise, që e priti kur bëri këmbë së pari, la t’i binte peshqiri poshtë në dysheme mbi qilim dhe i zgjati dorën. Nuk kishte parë kurrë tjetër kurm veç atij fishkaraqit, kokallemadhit pa mish e të hidhurit fort si tym oxhaku të gruas së tij.
Krejt lakuriq, e brydhtë, e rrumbullt, aq fort tundues, sa të shkulte trurin nga vendi, dy kofshë të gjata pa një rrudhë, vezulluese, të puqura, me njërin gju të përthyer pakëz e të lëshuar përpara si një ftesë për.. Oh, ato breçka të kuqe me atë dantellkë delikate, po, po njëlloj si ajo e mullarit, që ajo i preku me gishtërinj, i uli pakëz me dhele duke zbuluar majën e pubisit dhe i la t’iu kërciste llastiku. Dora u zgjat, e kapi të tijën që sikur s’donte në fillim dhe e tërhoqi drejt shtratit.
Ai nuk mbante mend shumë gjëra, se ndjehej si i bymyer e në hava e pa shumë kujtesë, veç me një dëshirë e një zjarr buçitës që i rrihte si çekan përposhtë e i dhimbte ëmbëlsisht, po ama i kujtohej se me atë grua bëri ato që s’i kishte bërë kurrë me gruan e tij dhe ndjeu më në fund ngopje trullosëse e thuajse aspak pendim e pastaj i tha vetes, jo, s’do t’ia falte kurrsesi vetes, se tani le të vdiste! Ai i tha këto fjalë, a mund të besohej?
Pastaj kur zbriti poshtë nxori gjithë ç’kishte në kuletë, dhe ndërsa ia numuronte paratë, plot 70.000 mijë në dorë djaloshit, që i dha në këmbim të tyre një letër, doli hëna përsëri dhe ai pa mbi mullar me një ndjenjë triumfi, që e quajti të ulët, dhe një palë breçka të tjera, të kuqe flakë, që sikur i qeshnin paturpësisht, pra ishin bërë dy të tilla, që hëna iu lëshonte prej lart argjend e dukej sikur i bekonte. Ç’thua o i çartallosur, ti s’flet kështu, kush të ysht të biesh në mëkat, i pëshpëriti vetes, po buzagaz prej endjes që po e turbullonte sërish e po e tundonte me një dhimbje të ëmbël e me një fuqi të huaj. O zot, pse më vë në provë kaq të vështirë?
Kur po largohej dëgjoi pas krahëve zërin e djaloshit;
Mos e humb atë letër që të dhashë, ke adresën dhe numrin e telefonit të restorantit si dhe një sekret që duhet ta dish vetëm ti dhe jeni i mirëpritur në çdo kohë.
Tani ja ç’po i shihnin sytë në e-mailin e tij, një xhirim diskret, ndoshta i bërë me celular, ai dhe ajo në një akt seksual të paparë, që ishte gati të bënte xhiron e botës. Dhe në fund fare, kur kuadri ngriu, dolën fjalët mynxyrë; Nesër, restoranti yt, nga Drapër e Çekan, duhet të quhet Pornografia, përndryshe…
Ah, kjo ishte e padurueshme. Vdiq. Autopsia nxori se kishte konsumuar një sasi jo të vogël droge.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.