POLITIKË

Antiinformaliteti, Rama: Kthim në ligjshmëri, fund abuzimit

19:30 - 12.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se aksioni kundër informalitetit ka ndëshkuar një tjetër subjekt abuziv. Shefi i qeverisë bëri të qartë se operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore, jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës. Sipas kryeministrit, depozita në Porto Romano të Durrësit është zbuluar duke hedhur në treg karburant pa akcizë, përkatësisht ka rezultuar me mangësi në deklarimet e 233 mijë litra benzinë dhe për këtë arsye është aktivizuar masa ligjore ndaj subjektit.




Në videon e publikuar nga z.Rama në “Facebook” thuhet se kompania është gjobitur me një shumë të majme prej 350 mijë euro. Më tej, kreu i qeverisë përsëriti paralajmërimin se operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera pa akcizë. “Stop informalitetit, Porto Romano, Durrës – zbulohet depozita me mangësi në deklarimin e 233 mijë litra benzinë dhe aktivizohet masa ligjore. Operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore, jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës, për t’u përballur me zero tolerancë ndaj abuzuesve”, shkruan Rama. Në muajin gusht fokusi i kontrolleve do të jetë sektori i produkteve të akcizës, duke filluar nga karburanti, pijet alkoolike, kafeja etj.. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi se po bëhet një analizë e plotë, me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje.

Sipas Denajt: “Ne do të monitorojmë çdo veprimtari ekonomike, në mënyrë që të kuptojmë deri në fund masën e evazionit dhe arritjen e objektivave për ta luftuar atë. Në Porto Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu, do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”. Ministrja Denaj u bëri apel bizneseve të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë. Qëllimi i administratës fiskale nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i subjekteve për të zbatuar me korrektësi legjislacionin fiskal në fuqi. ‘Lufta antiinformalitet’ ka goditur edhe më parë shkelësit në Porto Romano.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.