SPORT

Gilman Lika: Vllaznia, superliga nuk përballohet me 12-13 lojtarë

12:11 - 13.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vendosi të mos braktiste Vllazninë kur kjo e fundit ra nga kategoria dhe mbajti në të Parën shiritin në krah, i vetëdijshëm se po bënte detyrën për të kthyer ekipin ku i taktonte. Gilman Lika mbetet një nga veteranët dhe lider te kuqeblutë ndaj është ndër ata që e kupton nëse skuadra po bën mirë apo jo para fillimit të këtij sezoni që sheh shkodranët përsëri në Superiore. “Janë shumë lojtarë të rinj dhe normalisht ekipi do atë kohën e vet që të lidhen me njëri tjetrin. Po bëhen rreth 3 javë që kemi filluar stërvitjen, nuk është se nuk jemi të kënaqur, po ecim mirë. Sigurisht që nuk është ndonjë gjë për t’u kënaqur apo kaluar në ekstazë por thjesht na duhet që të punojmë shumë e më shumë për të arritur atë qëllim që ka Vllaznia”, u shpreh ai për RTSH ku tregoi se në moshën 32-vjeçare, vazhdonte të bënte maksimumin që të ishte gjithmonë në fushën e lojës duke shpresuar të shihte përsëri Vllazninë në Europë.




“Mundohem të jem profesionist dhe të bëj atë punën time në maksimum, vlerësoj çdo ditë të stërvitjes duke parë që edhe vitet ikin normalisht është shumë i rëndësishëm regjimi dhe në stërvitje duhet të jesh shumë i përpiktë. Synimi im ka qenë gjithmonë që të kemi një Vllazni për Europë, por nuk duhet të ngutem të flas apo të jap premtime. Thjesht gjithsecili prej nesh duhet të japë maksimumin për t’i rritur emrin Vllaznisë”, vijoi ai. Ndërkohë, Lika është i ndërgjegjshëm se gjithsesi kjo Vllazni ka nevojë për më shumë lojtarë cilësorë, në mënyrë që të mos komplikojë përsëri qëndrimin në elitë. “Ekipi i Vllaznisë ka nevojë edhe për disa lojtarë të tjerë, besoj se duhet të vijnë sa më shumë se pastaj dihet që kampionati ka nevojë për shumë lojtarë e nuk mjaftojnë 12 apo 13 lojtarë për të përballuar Superioren. Normalisht që duhen shumë më tepër”, deklaroi Lika.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.