Kryesore

Kredia për shtëpi, në 6 muaj janë dhënë 100 milionë euro

14:30 - 13.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Individët kanë marrë rreth 100 milionë euro për shtëpi në gjysmën e parë të këtij viti. Huaja për blerje banesash është rritur me 8% në gjatë muaj. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës mësohet se kredia e re për blerje banesash është në rritje edhe këtë vit. Për gjashtë muaj, sistemi bankar ka disbursuar 12.3 miliardë lekë kredi të re për këtë qëllim. Referuar të dhënave rezulton se krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, kredia e re për blerje banesash është rritur me 8%. Në dy vitet e fundit, ky produkt po orientohet më shumë nga monedha vendase. Për 6-mujorin 2019, 58% e kredisë së re për blerjen e banesave u dha në lekë.




Në më shumë se një dekadë, kredia për shtëpi u dominua kryesisht nga euro, e favorizuar kjo nga normat më të ulëta të interesit dhe nga politikat agresive të bankave me kapital të huaj, që e nxitën ndjeshëm kreditimin në monedhën europiane. Vitet e fundit ulja e normave të interesit për lekun e ka bërë këtë produkt në monedhën vendase më tërheqës. Banka e Shqipërisë inkurajon individët që kredinë ta marrin në monedhën e të ardhurave të tyre, duke shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Në tërësi, normat e ulëta historike të interesit po favorizojnë kreditimin për shtëpi. Shumë familje kanë zgjedhur të përfitojnë nga çmimet e ulëta të kredisë për të blerë një banesë. Oferta e bankave në këtë segment paraqitet mjaft e favorshme, në përpjekje për të rritur volumin e biznesit në këtë segment. Për shkak të maturitetit afatgjatë, kredia për shtëpi ofron rritje të qëndrueshme në kohë të portofolit të kredisë, por edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut. Ky produkt ka raportin më të ulët të kredive me probleme në sistemin bankar, me afërsisht 5%. Në total, portofoli i kredisë për blerje banesash nga sistemi bankar në mesin e këtij viti kishte vlerën e 113 miliardë lekëve ose rreth 925 milionë eurove.

Kreditimi
Kredia për ekonominë është rritur me 6% në tremujorin e parë, e zhveshur nga kursi i këmbimit dhe efekti i fshirjes nga bilancet të kredive të këqija. Zhvillimet ekonomike në vend janë mbështetur, ndër të tjera nga politika monetare lehtësuese. Niveli i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe edhe standardet e kreditimit për individët vijuan të raportohen të lehtësuara edhe në tremujorin e tretë të vitit. Ky lehtësim u manifestua në të dyja kategoritë, si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për kreditë konsumatore. Bankat u shprehën për një lehtësim të mëtejshëm të pritur të standardeve të kreditimit për individët për të dyja kategoritë, në tremujorin e fundit të vitit. Faktorët që diktuan standarde të lehtësuara për individët në tremujorin e tretë ishin: toleranca më e lartë e bankave ndaj rrezikut, perceptimi më i ulët i rrezikut lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit si dhe kosto më të ulëta nga pozicioni i kapitalit të bankave.

Fitimi i sistemit bankar bie me 5% në janar-qershor

Fitimi i sistemit bankar ishte 10.5 miliardë lekë në 6 mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, e cila i raporton të dhënat në bazë të standardeve lokale të kontabilitetit. Rënia e fitimeve erdhi si rrjedhojë e uljes së të ardhurave nga interesat dhe rritja e shpenzimeve për provigjionime, që në kahun tjetër janë amortizuar nga rritja e ndjeshme e të ardhurave jo nga interesi. Në kahun tjetër, bankat iu gëzuan përmirësimit të të ardhurave jo nga interesi, të ndikuar nga fitimet nga instrumentet financiarë (kryesisht bono). Ky i fundit ishte pozitiv prej 443 milionë lekësh nga -6.5 miliardë lekë që ishte në janar-qershor 2018. Shpenzimet për provigjione ishin minimale, por gjithsesi në 6 mujorin e një viti më parë kishin qenë negative prej gati 7 miliardë lekësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.