SPORT

Kukësi largon Ylli Shametin! Kapiteni: Koha do ta tregojë

11:10 - 13.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Ylli Shameti nuk do të jetë më lojtar i Kukësit. Gjirokastriti që fitoi zemrat e tifozëve verilindorë largohet pas 6 sezonesh nga Kukësi, pavarësisht se kishte dëshiruar ta mbyllte karrierën me klubin ku ai fitoi gjithçka. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Shameti ia kushton pjesën dërrmuese të postimit të tij falënderimeve, por ngre dhe dyshime për mënyrën e largimit të tij, ndonëse deklaron se gjithçka do ia lerë kohës.
Postimi i Shametit
“Pas 6 vitesh erdhi edhe momenti që të ndahem nga FK.Kukësi! Dëshira ishte që ta mbyllja karrierën këtu por?? Arsyet???
Koha i tregon të gjitha!




Shameti ka akoma për të dhënë në futbollin e luajtur!
Sot ka falënderime për të gjithë duke filluar nga presidenti, të gjithë drejtorët teknik, shefi i klubit, stafi mjekësor dhe të gjithë trajnerët nga i pari Armando Cungu që e kam gjetur tek ekipi e deri tek Ernest Gjoka!
Pa diskutim falënderoj të gjithë futbollistët që kemi punuar bashkë sidomos kapitenin legjendar Rrahman Hallaçin si dhe kapitenin në detyrë Besar Musolli me të cilët kemi kaluar shumë momente të vështira për ta bërë ekipin tashmë një nga ekipet me të forta në Shqipëri! Uroj që këtë ta bëjnë edhe të tjerët në vazhdim që e kanë marrë përsipër!
Dhe si përfundim një falënderim për ata që unë i kam quajtur oksigjeni i ekipit, tifozët kuksianë, të cilët ishte kënaqësi që u kam dhënë momente të gëzueshme me golat dhe performancën time!
Faleminderit familja Fk Kukësi!

I Juaji Y.SH 4!(Ing)”
Reagimi i Kukësit
Pak orë pas bërjes publike të divorcit nga ana e Shametit, ka reaguar edhe Kukësi, që nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka falënderuar gjirokastritin për kontributin e dhënë, teksa nuk ka harruar t’i lërë hapur një derë rikthimi, por jo më si lojtar. “Futboll Klub Kukësi falënderon Ylli Shametin për kontributin e dhënë me fanellën tonë. Gjatë 6 viteve me skuadrën kuksiane, ku shumicën e kohës si kapiten, qendërmbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më profesionist në historinë e Klubit, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së blertë. 35-vjeçari me skuadrën tonë arriti të fitonte Titullin Kampion, 2 herë Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën. Në arenën ndërkombëtare ka luajtur rol kyç, pasi ka ndihmuar ekipin në kualifikimet europiane. Me klasin dhe karakterin e tij prej lideri, ai i ka dhënë gjithmonë motiv bashkëlojtarëve, duke e çuar ekipin drejt sukseseve. ‘Mbreti’ i topave në ajër, por edhe shpesh herë autor golash, gjirokastriti do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e kuksianëve. Një profesionist si Ylli Shameti do ta ketë gjithmonë derën e Klubit hapur, edhe si pjesë e stafit teknik”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.