KULTURË

Xhamia e Gjirokastrës, monumenti i shek. 17 që u zhbë nga restaurimi

15:30 - 13.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Rruazë po bëhet restaurimi i xhamisë së Pazarit në Gjirokastër. Do durim kjo punë, do durim Gjirokastra.. do edhe dashuri, për punën dhe Gjirokastrën”. Ka qenë ky postim i ish ministres së Kulturës Mirela Kumbaro që shoqërua me dy foto: si ishte e si u bë, ka ngjallur debat të dielën e Bajramit, duke e kthyer festën në një ditë irritimi të atyre që janë specialistë të trashëgimisë dhe atyre që duan të ‘renë’ pavarësisht se cila ëshët kostoja e saj.
Menjëherë pas postimit të Kumbaros, që ndër vite ka pasur disa debate të tilla, teksa shiste me krenari ndërhyrje të cilësuara të dëmshme në monumente, fliste për arritje madhore.




“Në çatinë e vjetër si në foto janë përdorur pllaka guri të cilat janë drejtkëndore. Këtu në çatinë e re duket se janë përdor pllaka të prera drejt. Me gjithë respektin nuk ka restaurim”, shkruan njëri nga komentuesit. Ish-ministrja, megjithëse në foto duket qartë ndryshimi i dukshëm në teknikë dhe formë mes dy çative, iu përgjigje se “Kur të bjerë rruga këtej nga Gjirokastra mos përto t’u thuash ustallarëve ju lumshin duart se këtë punë e kanë trashëgim dhe janë gjithë ditën me çekiç në dorë në kalldrëme, në xhami, në Pazar e kudo ku restaurojnë”.

gjirokastra gjirokasterrr gjirororo
<
>

Por komentuesi që flet me kompetencë këmbëngul se “në çati është përdorur llac sikur të qe mur. Çatitë në Gjirokastër nuk bëhen me llaç…”
Pak çaste më vonë për të njëjtën çështje ka reaguar arkitekti nga Gjirokastra, Kreshnik Merxhani. Ai e ka cilësuar skandaloze mënyrën e mbulimit të xhamisë së Memi Beut apo e njohur si Xhamia e Pazarit, me rrasa (dërrasa) guri si dhe një koment dyfish skandaloz nga çka ish dikur kreu i MK. “Mbulimi, kaq karakteristik, e kaq i lidhur ngushtësisht me logjikën konstruktive dhe përdorimin e materialit të gurit, i ruajtur tradicionalisht me fanatizëm prej mjeshtërve gjirokastrit duket se kësaj radhe ka rënë në duar amatorësh, madje diletantësh në kuptimin më negativ të kësaj fjale. Shpresoj që dikush të mbajë përgjegjësi në fund për këto ‘rruaza’ që ngelen duke ja varur Gjirokastrës si pa të keq”, shkroi Merxhani.

Ai shton se nuk e kishte në plan por meqë shikoi “këtë maskarallëk të financuar nga TIKA në linje me gjithë ndërhyrjet banale që ka kryer anekënd vendit e veçanërisht me ndërhyrjen në Kullën e Sahatit në Kalanë e Gjirokastrës, ju bëj thirrje autoriteteve te detyrojnë zbatuesit dhe mbikëqyrësit të rehabilitojnë menjëherë këtë situate skandaloze me precedent të rrezikshëm në të ardhmen. Me këtë rast i kujtoj autoriteteve që në Gjirokastër nuk kryhet mbulim me “qeramosje” siç rëndom po e shikoj t’i referohen sepse mbulimi nuk bëhet me “qeramidhe” fjalë që në gjuhën letrare është Tjegull, dhe që në dialektin toskë lidhet me fjalën qeramikë – qeramidhe e huazuar prej gr. të re. E theksoj këtë fakt se duke njohur termat, njeh dhe dallimet. Kur arrin të bësh dallimet e kupton që rrasat e gurit, e veçanërisht në Gjirokastër, mbulojnë çatitë në mënyrë organike e jo të rregullt si tjegullat (qeramidhet)!”, e mbyll ai reagimin
FORUMI

Edhe për Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore “ky është një turp – ta mbajë kush e ka bërë!” sipas FMTK-së, mirë kryeministri se nuk ja ka idenë këtyre gjërave, por çështja shtrohet se si Instituti i Monumenteve ka degraduar deri në këtë pikë sa të tjetërsojë teknikat shekullore mesdhetare të mbulimit? “Kjo është e tmerrshme! Po tjetërsohen objektet me përfaqësuese të vendit dhe është hedhur në plehra Karta e Restaurimit. Forumi prej vitesh ngulmon që duhen ndërprerë restaurimet, dhe të bëhen vetëm punime konsolidimi të monumenteve në rrezik, pasi në atë Institut të mjeruar nuk ka më kapacitete profesionale”.(fa.ni)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.