AKTUALITET

Kadastra e hapur edhe në fundjavë, tarifat për veprimet me pronat

16:30 - 14.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sportelet e Agjencisë së Kadastrës do të jenë të hapura edhe gjatë fundjavës. Nxjerra e punonjësve në punë edhe në fundjavë është bërë për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve që vijnë me pushime. Pas shkrirjes se tre institucioneve Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ka rezultuar efikase dhe ka çuar përpara centralizimin e problematikave të pronësive. Shërbimet e ofruara më herët nga këto 3 institucione tashmë janë centralizuar dhe të gjitha problemet me pronën do të kalojnë përmes një administrate të vetme. Lajmi për hapjen e zyrave edhe në fundjave është bërë i ditur nga Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, i cili bën të ditur se vendimi është marrë për t’u dhënë prioritet në lidhje me procedurat që duhet të kryejnë, ndërkohë që kanë mundësi që kundrejt pagesës të marrin edhe shërbimin “Fast Track” brenda 24 orëve. “Për shkak të ardhjes së emigrantëve që në periudhën korrik-gusht rikthehen në vendlindje sipas një urdhri të drejtorit të përgjithshëm po merremi me prioritet me praktikat e vetëdeklarimeve të 2005-2006, praktikat më të vjetra të vetëdeklaruara”-thotë Liridon Pula. Risi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës sipas Pulës, është përpunimi në rrugë elektronike i certifikatave të pronësisë, që eleminon përfundimisht abuzimet.” Nuk ka më certifikata për qytetarët që merren me shkrim dore. Prej 2 muajsh e gjysmë çdo aplikim që bëhet kalon në përpunim kompjuterik” -thotë Liridon Pula.




Agjencia e Kadastrës do të qëndrojë e hapur dhe në shërbim të qytetarëve gjatë periudhës së verës. Regjistrimi i kontratave të shitjes, të dhurimit të heqjes dorë nga prona, regjistrimi i kontratës së shkëmbimit apo akti i trashëgimisë, shoqërohen me një sërë dokumentacioni, i cili duhet të jetë i plotësuar në momentin që pronari i një pasurie do të kryejë një veprim me të te noteri. Janë një sërë veprimesh që kryhen me pronësi nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Gazeta Shqiptare” boton të plotë listën dhe shërbimeve dhe koston për çdo veprim me pronën.

Tarifat
Regjistrimi i akteve noteriale që lidhen ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe pronarëve të pasurisë apo me subjektet e treta kushton 3500 lekë. Ndërsa regjistrimi i të gjitha kontratave, për shitje, dhurim heqje dorë nga pronësia, shkëmbim, dhënie me qira apo akt trashëgimie do të kushtojnë nga 700 lekë deri në 3500 lekë. Konsultimi i kartelës së pasurisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme do të ketë një tarifë prej 700 lekësh. Ndërsa verifikimi online i gjendjes juridike të pronësisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme do të ketë tarifën 600 lekë. Sipas kryetares së Dhomës së Noterisë regjistrim i kontratës së shitjes, kontratës shkëmbimit dhe kontratës së dhurimit me rezerve/kusht të pasurisë së paluajtshme do të kushtojë 900 lekë. Regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës për kredi me vlerë deri në 1.000.000 lekë do të ketë një tarifë prej 7500 lekë.

Dokumentet
Sipas listës së Hipotekës për regjistrimin e kontratave të shitjes së pronës duhet: dokument identifikimi, kontrate shitje, deklaratë noteriale, vërtetim nga organi i njësisë vendore mbi përbërjen e familjes, certifikatë e gjendjes familjare dhe deklaratë e anëtarëve të familjes bujqësore për zgjedhjen e një përfaqësuesi të ri të familjes bujqësore. Ndërsa për lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale duhet: harta treguese e pasurisë, planrilevimi, kartela e pasurisë dhe dokument identifikimi. Ndërkohë që për regjistrimin apo fshirje e hipotekës ligjore duhet të personi i interesuar të ketë: vendim gjykate për fshirje, deklaratë noteriale, dokument identifikimi, vendim gjyqësor ose akt noterial për vendosjen e hipotekimit, kartela e pasurisë (kopje) dhe harta treguese e pasurisë.

Lista_e_sherbimeve


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.