OPINION

Turizmi ia doli, po ekonomia?

07:30 - 14.08.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duke parë vargun e pamatë të makinave që nga Skela e Vlorës shtyhen me shpejtësi gati këmbësori për në Ujin e Ftohtë e më tej në jugun bregdetar të Shqipërisë, apo të njëjtin vargan makinash që nga Ura e Tragjasit në Orikum kthehen nga pushimet, mund të themi se turizmi ia doli edhe për këtë vit. Erdhën më pak se vitet e kaluara polakët dhe çekët, por i kompensuan italianët, holandezët, turistët nga vendet Skandinave dhe gjermanët. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm për ne. Ekonomia jonë turistike po arrin shifrën 2 miliardë euro në vit (gati një e pesta e prodhimit të përgjithshëm kombëtar) dhe rritja e saj edhe për këtë vit të vështirë politik do të thotë shumë. Po ekonomia në tërësi? Ajo në këto shtatë muaj paraqitet shumë dobët. Treguesi i ritmit real të ekonomisë (sa konsumojmë) është taksa mbi vlerën e shtuar(TVSH). Për periudhën janar-qershor, qeveria mblodhi 6 miliardë lekë të reja më pak TVSH, ose 48 milionë euro më pak  Kjo do të thotë se edhe si qytetarë, edhe si sipërmarrës, kemi konsumuar shumë pak. Si qytetarë blerjet i kemi shtyrë për një periudhë më të qetë politike, ndërsa sipërmarrësit nuk kanë investuar. Zëri i importit për makineri dhe pajisje ka rënie, në krahasim me periudhën janar-qershor 2018. Edhe pse kemi turizmin si kamerdare shpëtimi, ai nuk mjafton për rritjen ekonomike që ka shpresuar qeveria, prej mbi 4 për qind për këtë vit. Më shumë të shtyra, turizmi mund të na sigurojë gjysmën e kësaj rritjeje, 2 për qind.




Qeveria ka ndërmarrë një veprim të fortë për të luftuar informalitetin në ekonomi në këto ditë të nxehta të korrikut dhe gushtit. Ka zbritur tatimorët në bregdet, atje ku në këto dy muaj ngjizen 1.4 miliardë euro të turizmit. Duke kërkuar “llokmën” ndaj Shtetit tek restorantet, hotelet, motelet dhe çadrat buzë detit. Sa herë pjesa e shtetit (e të gjithë ne si qytetarë) mbrohet nga qeveria është një veprim për t’u përshëndetur. Mirëpo me një dallëndyshe(me veprime në forme aksionesh për të mbrojtur kuponin tatimor që ai të jepet në çdo shitblerje) nuk vjen dot pranvera. Pra, rritja ekonomike mbi 4 për qind. Qeveria duhet të lëvizë në krahun e nxitjes se përdorimit të parave që rrinë kot nëpër bankat tregtare. Janë ndoshta mbi 1 miliard euro. Mund ta bëjë duke kufizuar veprimet me euro në zyrat e këmbimit valutor. Nëse do të blinim të gjithë në lekë, nëse për veprime që kryejmë deri tani në euro do të përdornim monedhën tonë, kreditë do t’i kishim më të lira. Na duket e pabesueshme, por kjo është e vërteta. Euro përdoret në më shumë se gjysmën e vlerës së transakasioneve (shitjeve dhe blerjeve) në ekonominë tonë. Në valutë mbajmë mbi 53 për qind të kursimeve tona. Një shmangie e tillë e lekut kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit (e kemi të tillë që nga viti i largët 1992) si një stabilizues për ekonominë tonë. Ajo dëmton efektshmërinë e politikave fiskale, duke rritur koston e shërbimit të borxhit tonë publik dhe duke e ndryshuar jo për mirë strukturën e tij.

Na detyron të mbajmë artificialisht një nivel më të lartë të rezervave valutore si shtet. Rrit mundësinë e goditjes së sistemit tonë financiar dhe të kompanive që veprojnë me bazë euron nga lëkundjet e kursit të këmbimit të euros në Eurozonë. Ia lidh duart bankës sonë qendrore, pse sado ta ulë ajo koston e parasë, nëpërmjet mekanizmit kryesor që ka të interesit të marrëveshjeve të riblerjeve (RePo, interesin që ajo u mban bankave tregtare për paratë që u jep), kjo ulje përcillet vetëm në atë gjysmë të ekonomisë ku përdoret leku. Në tërësi, studiuesit e huaj dhe literatura botërore bashkohen në konkluzionin se shtimi i përdorimit të valutave (monedhave të huaja) në një ekonomi që e ka monedhën e vet kombëtare, shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me rritjen ekonomike. Për ne, periudha që njohu pikën më të lartë të përdorimit të euros në ekonominë tonë ishte viti 2015. Ky vit përkon me një rritje anemike ekonomike të Shqipërisë, prej vetëm 2.2 për qind. Por edhe në vitin që lamë pas, me gjithë rënien e fortë të vlerës së monedhës evropiane në tregun tonë deri në fillim të qershorit 2018, kapëm rekordin e depozitave, kursimeve tona në euro. Ishte një kundërpërgjigje e frikës së krijuar ditët e para të qershorit për rënien e mëtejshme të euros te ne. Depozitat e qytetarëve dhe sipërmarrësve në euro në fund të vitit 2018 arritën në 4 miliardë, me një rritje prej 10 për qind nga viti 2017, ose 370 milionë euro më shumë. Ky përfaqëson nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të kursimeve në monedhën e përbashkët. Nivel ky shqetësues, për të pasur një ekonomi të shëndetshme dhe në rritje të qëndrueshme, me bazë shtimin e kreditimit. Në kushtet e konsumit të pakët, e investimeve të ulura për shkak të paqëndrueshmërisë politike të lartë, qeveria mund të na ndihmojë të gjithëve, nëse Ministria e Financave dhe Ekonomisë e nxjerr rregulloren për kufizimin e përdorimit të euros në vetëm zyrat e këmbimit valutor. Rregullim që e kanë vende anëtare të Bashkimit Evropian jo të zonës euro, si Çekia, Polonia etj., dhe që vetëm u ka prirur ekonomive të tyre.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.