AKTUALITET

“Çdo ditë më pak” popullsia e Shqipërisë “në rënie të lirë”

15:40 - 15.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

INSTAT ka publikuar të dhënat demografike për tremujorin e dytë të këtij viti. Ecuria e treguesve demografikë vijon të jetë e trishtë. Edhe për këtë tremujor lindjet, si dhe shtesa natyrore e popullsisë, kanë shënuar rënie në raport me një vit më parë. Numri i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 rezulton 6.362, duke shënuar një rënie prej 5,7%, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Numri i vdekjeve, për tremujorin e dytë 2019 rezulton 4.777, duke shënuar rënie prej 5,7%, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Gjatë tremujorit të dytë 2019, numri i lindjeve tejkaloi me 1.585 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e dytë 2019 pasqyron një rënie prej 5,5%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018. Në tremujorin e dytë 2019, shtesa natyrore e popullsisë shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 969 numrin e vdekjeve.
Në tremujorin e dytë 2019, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në katër qarqe. Vlera më e ulët shënohet në Qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 93 numrin e lindjeve.




Lindjet
Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.157 lindje, të cilat shënojnë rënie me 4,2%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018. Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 111 lindje, duke pasur një rënie prej 10,5%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018. Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Rëniet më të mëdha të lindjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarku i Shkodrës me 17,7% dhe ai i Fierit me 15,0%. Qarqet, të cilët kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi me 6,3%, Elbasani me 5,7% dhe Korça me 4,8%.

Vdekjet
Gjatë tremujorit të dytë 2019, numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 104 vdekje, me një rënie prej 23,0%, në krahasim me tremujorin e dytë 2018. Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorit të dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Rënien më të madhe të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Kukësit me 23,0 % dhe Shkodrës me 16,3 %. Qarku i Korçës nuk ka pasur ndryshime krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm, ndërsa qarqet të cilat kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve janë Berati me 16,5% dhe Tirana me 3,9%.

Lindjet sipas qarqeve
Ndërsa lindshmëria është ulur çdo herë e më shumë 5-vjeçarin e fundit, raporti më i fundit i INSTAT tregon se si këto ritme vazhdojnë po në rënie edhe përgjatë 2019-ës. Mirëpo, përveç qarqeve që kanë ndikuar në rënien e lindshmërisë edhe në statistikat e kësaj pjese të parë të vitit, qarqet që kanë sjellë më shumë ‘jetë të reja’ në jetë, se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë qarku i Kukësit, ai i Elbasanit si dhe i Korçës. Qarku i Kukësit, sipas raportit të fundit të INSTAT, ka rritur numrin e lindjeve me 6.3% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, qarku i Elbasanit me 5.7%, ndërsa ai i Korçës me 4.8%. Në fakt, qarku i Elbasanit dhe i Korçës kanë pasur rritje të lindshmërisë edhe në periudhën janar – mars 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, edhe pse përqindje të vogla, çka tregon se në këto zona lindjet po ecin me hapa rritës, të paktën në këtë pjesë të parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.