BLUETOOTH

Diplomatja Pranvera Skana: Është koha për diplomatin digital

15:45 - 15.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali  – Pranvera Skana, ish-diplomate në Londër, me një kulturë perëndimore dhe me një botë të pasur, pedagoge e komunikimit e mbi të gjitha një zonjë e veçantë vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, për rrugëtimin e përfunduar me sukses, për situatën politike e për detaje të tjera përtej petkut të personazhi publik. Skana shprehet se e ardhmja e ambasadave duhet të jetë funksionimi i tyre më shumë si ‘agjenci lobimi’ e influence. Sipas saj, ka ardhur koha që këto institucione duhet të zhvendosen nga format klasike të funksionimit të deritanishëm dhe të përqafojnë forma të reja me efiçente të misionit të tyre jashtë. Sa i përket situatës politike në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me ndikimin që mund të ketë në çeljen e negociatave me BE-në, Znj. Pranvera thotë: Druaj që gjendja politike mund të kushtëzojë çeljen e negociatave për integrimin evropian derisa të krijohet kuadri i sistemit të drejtësisë. Ajo është larg klisheve e pohon se jo domosdoshmërish duhet të angazhohesh në politikë për të arritur diçka. Bota universitare i çmon njerëzit si znj. Pranvera. Më tej, ne njihemi dhe me Skanën që e ka shpirtin pranverë si vetë emri.




Znj. Skana, së pari, mirë se u kthyet në Shqipëri, pasi prej disa vitesh ju keni studiuar dhe punuar si diplomate në Ambasadën tonë në Londër.
Mirë se ju gjej, dhe faleminderit ju për ftesën për të qenë prezente përmes kësaj interviste.
Nga rrugëtimi si gazetare, pedagoge e komunikimit dhe diplomate, ku ndiheni më mirë?
Në fakt, të tri këto fusha interferojnë më njëra-tjetrën, dhe sipas këndvështrimit tim kanë një emërues të përbashkët ‘komunikimin’. Si rrjedhojë duke qenë një njohëse e kësaj fushe, e konsideroj spontan angazhimin tim në ‘diplomaci’. Në diplomaci duhet të ‘shesësh’, duhet të lobosh fort për politikat në favor të vendit tënd, të marketosh vendin tënd, aq më tepër sot, në kohën ku diplomacia klasike e shkresurinave thuajse ka vdekur. Është koha e bërjes diplomaci në terren dhe online.

20190814_180651 FOTO 2 IMG-20181019-WA0028 IMG-20181019-WA0033 IMG-20181019-WA0040 pranvera ok
<
>

Tanimë, e zhveshur nga puna juaj si diplomate, por si pedagoge e shkencave të komunikimin a mund të na thoni se cila do të jetë e ardhmja e afërt e ‘diplomacisë’?
Sot, revolucioni teknologjik ka cekur shumë aspekte të jetës sonë. Politikat lokale e ndërkombëtare janë zhvendosur nga zyrat ovale në web, në TW, FB etj. Politikani digital, interaktiv dhe i njëçastshmërisë tashmë është lançuar, duke minimizuar kështu edhe rolin e gazetarit. Por, këtij revolucioni, transformimi konceptual nuk ka se si t’i shpëtojë dhe ‘diplomacia’. Për mendimin tim institucioni i Ambasadës në përgjithësi nuk ka se si të jetë një rast i izoluar nga ky revolucion teknologjik, kërkon një qasje të re e formë të re funksionimi dhe komunikimi. Ambasadat duhet të konsiderohet më shumë si ‘agjenci lobimi, PR e influence’. Madje po rilexoj Tom Fletcher, me librin me titull ‘Naked Diplomacy’, i cili artikulon pikërisht këtë transformim konceptual dhe daljen në skenë të të ashtuquajturit ‘citizen diplomats’ (diplomatët qytetarë).
Duke mbetur te diplomacia online, në fakt më kujtohet se si ju bëtë një fushatë fantastike me rastin e 7-8 Marsit në Londër, ku vajza dhe gra nga vende të ndryshme të botës ju i veshët me kostumet tradicionale të gjysheve tona dhe uruan në shqip. Një fushatë online mjaft e bukur, ku morët edhe komplimentet e kryeministrit Rama, i cili ndau statusin tuaj online.
Po, është pikërisht kjo që po mundohem të artikuloj, rëndësinë e diplomacisë së re. Vlera e kësaj video online kishte impakt masiv me qindra mijëra klikime, me më shumë ndikim se çdo gjë tjetër. Shumë të huaj u njohën me traditën tonë, e shumë prej tyre vizituan Shqipërinë.

Si duket Shqipëria sipas vështrimit tuaj nga Londra?
Nuk ka shumë rëndësi vështrimi im se sa vështrimi i të huajve për ne. Faktet mbi rritjen e numrit të turistëve të huaj drejt Shqipërisë, tregon shumë. Tregon shumë ku krejt rastësisht një taksist pakistanez me pyet se prej nga vij, dhe pasi i përgjigjem që jam shqiptare nuk ngreh supet, por më pyet me detaje për çka kishte dëgjuar për bukuritë e natyrës shqiptare. Tregon shumë kur shqiptarët, sot në Britaninë e Madhe punojnë në majat e institucioneve financiare, spitale, ligj, e universitete, biznes e kudo tjetër. Shqipëria nga larg duket frymëzuese dhe shpresëdhënëse, si për të huajt edhe për ne.
Situata politike në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare, a do të ndikojë për çeljen e negociatave me BE-në?
Padyshim situata politike e muajve të fundit ishte një autogol në imazh. Druaj që gjendja politike mund të kushtëzojë çeljen e negociatave për integrimin evropian derisa të krijohet kuadri i sistemit të drejtësisë. Po ashtu, rivendosja e besimit për procesin elektoral që nënkupton një reformë elektorale konsensule e të tjerë…
Nisur nga profili juaj profesional, që përçon një eksperiencë dhe kulturë perëndimore, mund të kontribuonit më mirë duke u angazhuar drejtpërdrejtë në politikën shqiptare. Do ta bënit këtë zgjedhje?
Kontributi më i madh dhe më i prekshëm është të punosh direkt në bazë, në çdo sektor shoqëror, ku një profesionist operon me background-in e tij, pa qenë nevoja për podiume apo për zyra hierarkike. Nuk është nevoja të angazhohesh në politike që të të dëgjohet fjala e të të shihet puna. Unë kontribuoj në botën universitare me aq pak eksperiencë që kam fituar nga një vend si Britania e Madhe, takoj shumë të rinj dhe studentë çdo ditë, shkëmbejmë eksperienca të shumta dhe a ka kontribut më të madh se kaq? Jam totalisht larg klisheve se duhet të angazhohesh domosdoshmërish në politikë për të arritur diçka. A ka influencë më të madhe se të folurit çdo ditë në auditor përballë të rinjve që nesër do jenë ata që do të na përfaqësojnë?
Përtej profesionit tuaj, çfarë lexon qartë dikush te ju?
Kësaj pyetjeje nuk do të di t’i përgjigjem fort mirë. Por njerëz që kanë punuar me mua dhe që më njohin nga afër shprehen se jam ambicioze, nuk duroj dot punën rutinë dhe monotone, shumë sociale, dhe natyrë sfiduese.
Një pasion që nuk e keni bërë më parë publik?
E rritur në Mirditë, gjatë fëmijërisë nuk i kisha punët mirë me notin, një kompleks që edhe në këtë moshë i druhesha ujit dhe thellësisë në përgjithësi. E kisha totalisht një bllokim psikologjik, një frikë që më shoqëronte që në fëmijëri. Gati një vit më parë gjatë qëndrimit tim në Britani, gjeta kohën që të ndiqja një kurs intesiv noti. Punova fort me frymëmarrjen e frikërat në ujë dhe që nga ajo ditë noti më është kthyer në një pasion të madh pasi nuk shoh të nevojshme as të ndjek palestrën më.
Dukeni mjaft e kuruar estetikish. Për çfarë shpenzoni më shumë?
Faleminderit, por nuk besoj që përfaqësoj profilin e një vajze vanitoze. Nuk shpenzoj shumë për të qenë e lumtur dhe nuk kam shtëpi prej floriri apo e veshur me marka sikurse shkruajnë portalet.
Si reagoni kur dikush ju shkel në pika të dobëta?
Të gjitha debatet me miqtë, kolegë apo me të tjerë njerëz, janë oraret, afatet, koha. Nuk kam kohë të humbur. Personalisht jam e përpiktë në takime, në afate kohore kur marr diçka përsipër, apo kur marr një përgjegjësi që duhet të kryej, qoftë edhe brenda natës, sepse mendja me rri aty, dhe duhet mbaruar. Kur shoh neglizhencë nga pala tjetër, tjetërsohem totalisht. Fyhem dhe humbet kategorisht mundësinë e një here të dytë.
Destinacioni i kësaj vere? Çfarë po lexoni këtë sezon?
Destinacionet janë në det dhe mal, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve të fundit nuk kam patur luksin e kohës për të lexuar letërsi, pra, literaturë artistike. Më është dashur të lexoj fort mbi studimin tim në LSE dhe studime të fushës së medias dhe diplomacisë. Por këto ditë po lexoj një libër të Diane Ducret, ‘Gratë e diktatorëve”, që sjell profile të zonjave të para të diktatorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, si dhe rolin e tyre në qeverisjet e përgjakshme.

Intervistoi: Egla Xhemali


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.