Opinion-Komente

Luga e çorbës së prishur

07:54 - 15.08.19 Fatos Çoçoli

“Gëlltit një lugë çorbë të prishur dhe e vjell gjithë jetës” është një nga batutat më të famshme të filmave tanë të vjetër dhe të paharrueshëm. Arsyeja kryesore pse një shprehje e tillë reziston kaq e freskët dhe e përdorshme edhe sot si batutë, qëndron në faktin se ngërthen një filozofi jete, ku fajet e rënda të së kaluarës mund të të kushtëzojnë gjithçka që kërkon të ndërtosh sot. Pastaj, fajin e mijëfishon përpjekja për ta fshehur atë dhe mungesa e sinqeritetit ndaj një investimi të madh të përbashkët. Sado paradoksale që mund të duket, ky standard pastërtie I figurës zbatohet më shumë dhe më dendur në politikën europiane dhe të demokracive perëndimore përtej kontinentit tonë. “Vjellja e lugës së çorbës së prishur” nga politikanë të shteteve të Europës së Bashkuar ka ndodhur dhe ndodh rëndom. Janë partitë konkurruese në skenën politike që zbulojnë këto “vjellje” në formë skandalesh. Si edhe shtypi dhe mediat në tërësi. Nganjëherë e bën edhe vetë auditi i brendshëm i përgjegjshëm i partisë ku politikani gëlltitës i çorbës së prishur militon. Kjo është forca e demokracisë europiane ku duam të shkojmë. Te ne, ligji i dekriminalizimit na e solli këtë të mirë. Ai përbën sitën pastruese (vetingun) të parë mbi politikanët, me shpresë se reforma në drejtësi do të na sjellë të tjera sita. Batuta “gëlltit një lugë çorbë të prishur dhe e vjell gjithë jetës”  i shkon për shtat këto ditë dhe orë figurës së re politikë që partia në fuqi kërkoi të investonte për Shkodrën.



Ndoshta produkti i dytë më i rëndësishëm politik i saj në votimet vendore të 30 qershorit 2019, pas kryetarit të bashkisë së kryeqytetit.  Me të, kjo parti shpresonte të hapte një faqe të re në qeverisjen e veriut dhe ta shndërronte me punë edhe Shkodrën, të braktisur në zhvillimin e saj spontan për gati tre dekada. Këto ishin pritshmëritë e saj. Tërësisht të zhgënjyera nga mungesa e sinqeritetit të njeriut që kjo parti i besoi shndërrimin e veriut. Që dukej aq i pastër, vullnetmirë, i edukuar dhe i gatshëm të luante rolin e shërbestarit për shkodranët e braktisur dhe të dëshpëruar. Ndarja e menjëhershme prej tij i bën nder partisë në fuqi. Por nuk mjafton. Krimi më i madh i tij nuk është faji që ka bërë 16 vite më parë në Itali, por fshehja e fajit sot, kur përgatitej të merrte mbi shpatulla një përgjegjësi kolosale. Kjo parti nuk mund të presë fjalën e drejtësisë dhe kohën që drejtësisë i duhet për të peshuar provat dhe thënë fjalën e fundit mbi përgjegjësitë e njeriut që kjo parti i besoi ndoshta investimin më të rëndësishëm që votimet më të shëmtuara të pluralizmit tonë, ato të 30 qershorit 2019, të fitonin pak moral. I duhet të veprojë menjëherë dhe gëlltitësin e çorbës së prishur ta largojë nga procedurat që do t’i jepnin drejtimin e bashkisë më të madhe të veriut. Është një situatë shumë e ndërlikuar, ku qëndrestares së fundit nga ish-kryetarët e bashkive të djathta i shtohet një argument më shumë për të shtrënguar edhe më fort çelësat e bashkisë së Shkodrës. Një gjendje që kjo parti duhet ta zgjidhë shpejt. Në lojë është një nga vlerat themelore të politikës së sotme në Evropë dhe jo vetëm: sinqeriteti. Ndryshe nga sa mendojmë si qytetarë(jo fare pa të drejtë, madje për rastin e Shqipërisë me plot të drejtë!) për politikën, kur shprehemi se “politikanët e kanë zanat të gënjejnë”, sinqeriteti dhe pastërtia e figurës së politikanit janë përcaktuese sot më shumë se kurrë. Politikanët jetëgjatë, edhe kur kanë qenë gënjeshtarë, ia kanë dalë të qeverisin vetëm nga fakti që i besonin edhe vetë kur i thoshin, broçkullat që u premtonin qytetarëve nëpër mitingje e gara zgjedhore. Por tani, sidomos pas zhgënjimit me shumë populistë drejtues qeverish në Evropë, njerëzit jo vetëm në Shqipëri, janë të lodhur tmerrësisht me të tillë gënjeshtarë perfektë. Të zhgënjyer, po tregohen tejet mosbesues ndaj këtyre populistëve. Duan figura mirëfilli të pastra, që nuk kanë faje të së shkuarës dhe skelete në dollap, për të fshehur. Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie për Shkodrën doli një zhgënjim i madh. Ndoshta, paradoksalisht, pikërisht mbi këtë zhgënjim(pësim) mund të ndërtohet e ardhmja e politikës sonë. Vlerat e të qenit shërbestar ndaj qytetarëve. Vlera që tashmë e tutje do të maten jo më me faktet se sa para ke bërë, duke ia ngopur Shtetit(që edhe ata që të votojnë të bëjnë të njëjtën gjë kur ti të vish në pushtet). Se sa i aftë je t’u shesësh premtime “të besueshme” njerëzve. Të mos i mbash ato, ta kalosh lumin duke dhj… kalin dhe pastaj, sërisht të jesh i aftë t’ia hypësh këtij kali. Kjo lojë nuk ngjit më. Puna për shndërrimin e Shkodrës në një qytet me të ardhme të sigurtë, duhet të fillojë sa më parë. Kësaj radhe, me një njeri në krye të saj, me të vërtetë të panjollë. Është përgjegjësi katërcipërisht e partisë në pushtet. Pa humbur qoftë edhe një orë këto ditë.

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. Paska mbetur gazeta Shqiptare vetem me shkrimet e Fatos Cocolit?Vetem sot,po na jepni tre shkrime te tija,qe edhe tregime humoristike te jene ,do e “bezdisnin” lexuesin,dhe jo vetem.

    Përgjigju ↓