AKTUALITET

PD i dërgon të dhënat, prokuroria nis letër-porosi për Pjetrin

16:10 - 15.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin ndaj çështjes “Pjetri”, ndërkohë që mësohet se është duke përgatitur fletëthirrjen drejtuar kryebashkiakut të ri të Shkodrës për të dhënë gjurmët e gishtave. Burime nga grupi hetimor në sektorin e dekriminalizimit konfirmuan dje se administrimi i gjurmëve të gishtave është veprimi i radhës që do të kryhet brenda pak ditëve, me qëllim zbardhjen e ngjarjes. Pas nisjes së hetimeve për Valdrin Pjetrin me dyshimin se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur disa letër-porosi jashtë vendit. Informacion është kërkuar nga autoritetet italiane, aty ku në vitin 2003 Pjetri sipas një dokumenti të bërë publik nga Partia Demokratike është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për trafik droge. Të dhënat që kërkohen zyrtarisht nga vendi fqinj kanë të bëjnë me vënien në dispozicion të çdo materiali që implikon Pjetrin në vepra penale, dënime nga gjykata, masa sigurie apo ndalimi nga policia. I njëjti informacion është kërkuar edhe nga agjencitë e sigurisë ndërkombëtare, Interpol dhe Europol, për të verifikuar nëse ka dënime të tjera në vende të ndryshme të Europës. Nga verifikime të bëra nga prokuroria në vendin tonë, Pjetri del i pastër, pasi nuk rezulton të ketë probleme me ligjin. Në arkivin e institucioneve të sigurisë shqiptare, ai nuk ka qenë asnjëherë i skeduar apo nën hetim. Vetëm pas mbërritjes së informacioneve nga jashtë, sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme do të vendosë se çfarë hapash do të ndiqen për hetimin. Një veprim tjetër, të cilin hetuesit pritet ta bëjnë është edhe marrja e shenjave të gishtave të Valdrin Pjetrit dhe më pas krahasimin e tyre. Një procedurë të tillë prokuroria e ka ndjekur me ish-deputetë, të cilët kanë pasur probleme me dekriminalizimin. Në formularin e dekriminalizimit, të cilin Pjetri e ka plotësuar, pyetjeve nëse ka qenë i dënuar, dëbuar apo hetuar në një vend të huaj, ai i është përgjigjur negativisht.




Kërkesa
Partia Demokratike i dërgoi dje prokurorisë të dhënat konkrete, që ajo publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali. PD-ja shprehet se, “kur ndodhemi 13 ditë pas kërkesës së bërë verifikimin e Pjetrit sipas ligjit të dekriminalizimit, nga prokuroria nuk ka asnjë reagim institucional të shpejtë”. Në një letër dërguar prokurorisë, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan: “Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit”. “Sipas këtyre të dhënave, rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë për veprën penale ‘shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope’, të kryer në bashkëpunim”, – shkruan Bardhi. Në letrën e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, thuhet se: “Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi. “Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.