KULTURË

SHUHET GJERGJ XHUVANI/ Arti i regjisorit që shkoi nga Kana në “Oskar”

16:00 - 15.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është ndarë dje nga jeta krejt papritur regjisori i njohur, Gjergj Xhuvani. Mësohet se ka qenë një goditje në zemër, të cilës nuk i ka mbijetuar dot. Ai ndërroi jetë në Romë, ndërsa po punonte me montazhin e filmit të tij më të fundit “Liqeni im” në kryeqytetin italian. Babai i dy fëmijëve, bashkëshorti i Luiza Xhuvanit dhe i biri i shkrimtarit Dhimitër Xhuvani la pas një trashëgimi filmike të vyer, që ka shënuar edhe maja të kinematografisë shqiptare, duke prekur Kanën dhe “Oskarin”. Bashkëshortja e tij, aktorja Luiza Xhuvani ndodhej dje me të bijën në bregdetin e Sarandës me pushime kur kanë mësuar lajmin e hidhur dhe janë nisur drejt Tiranës. Ai lindi në 1963 dhe u diplomua nga Akademia e Arteve të Tiranës në 1986. Një nga kineastët më aktivë të Shqipërisë, në 2001 Xhuvani bëhet i pari shqiptar që merr pjesë në “Quinzaine des Réalisateurs” në Kanë, me filmin e tij “Parullat”. “Nuk di pse dhimbja po më mbyt kaq keq, ngaqë ike kaq herët, ngaqë ishe aq i talentuar, ngaqë jeta të përkëdheli aq shumë, apo nga që u tregua kaq e pamëshirshme këto vitet e fundit?!” shkroi dje kineasti Mevlan Shanaj. Ndërsa shkrimtari Ylli Demneri kujtoi se me Gjergjin kishin jetuar ngjitur. “Ai është pjesë e së kaluarës sime. Fëmijërisë e rinisë. I lidhur me imazhet e babait, nënës e motrës së tij. E atyre imazheve që i shikoja disa herë në ditë. Në ato rrugë e rrugica rreth pastiçeri ‘Florës’. E mbaj mend shumë mirë apartamentin e tyre. Në pallatin mbi Mapon e dikurshme në Rrugën e Durrësit. Në katin e pestë”. Kujton se vitet në Institutin e Arteve i lidhën më shumë. “Në fillim e nisi me shkrimin, si i ati, Dhimitër Xhuvani. Pastaj iu kushtua kinemasë, duke realizuar disa filma të suksesshëm. Nuk është e thjeshtë të prezantohesh si krijues në Francë. Kisha vite pa e parë. Dhe sot, shpresa se mund të shiheshim u shua. Të qoftë i lehtë dheu, i dashur mik! E qeshura jote ishte e bukur”, e mbylli reagimin e tij, Demneri.




QKK
Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Xhuvani. Gjergj Xhuvani njihet si një ndër krijuesit më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, ndër veprat më të njohura që i sollën edhe famë ndërkombëtare janë “Parullat”, “I dashuri armik”, “Lindje-Perëndim-Lindje”, ndërsa vepra e tij e fundit “Liqeni im”, që ishte e mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike pritej të jepej premierë këtë vit. “Është humbje e madhe për kinematografinë shqiptare dhe europiane ikja kaq e hershme e Xhuvanit. Do ta kujtojmë si një njeri të mrekullueshëm, si mik të madh dhe artist të përmasave globale”, – u shpreh drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

BIO
Xhuvani ishte djali i shkrimtarit të njohur Dhimitër Xhuvani. U diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1986. Për katër vite punoi si asistent regjisor dhe në moshën 24-vjeçare drejtoi filmin e tij të parë “Bardh e Zi” në vitin 1990, ku shkroi dhe skenarin. Xhuvani bashkëpunoi me gruan e tij, Luiza Xhuvanin, në disa filma. Në vitin 1995, ai prodhoi filmin “Dashuria e fundit”, ku Luiza luante rolin e një prostitute. Më pas realizoi në vitin 1999 “Funeral Business”, duke kontribuar si producent dhe skenarist. Kulmi i karrierës së tij regjisoriale erdhi në vitin 2001, kur drejtoi dhe nxori në ekran filmin e njohur “Parullat”, një komedi-dramë nga epoka e diktaturës. Ky film bashkoi një numër aktorësh të njohur të ekranit shqiptar si Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Fadil Kujofca, Marko Bitraku, Niko Kanxheri etj. Filmi pati sukses dhe u hyri në listën e “Çmimeve Oskar për Filmin më të mirë të Huaj” në vitin 2002, por nuk arriti të kandidohej. Ai vazhdoi të prodhonte filma të tjerë interesantë si “I dashur armik” (2004) dhe “Lindje-Perëndim-Lindje” (2008), ku u vlerësua pozitivisht nga kritika dhe u përfshi për herë të dytë në listën e filmave të huaj më të mirë për çmimet “Oskar” në vitin 2009.

FILMI QË LA PA SHFAQUR
Filmi “Liqeni im” tregon historinë e një djaloshi inteligjent, të quajtur Kristo. I ulur në bankën e tij në klasë mendon për kuptimin e fjalisë “Liqeni im” të shkruara në tabelë nga mësuesi i tij. “Liqeni mund të na i japë të gjitha, nëse ne dimë sesi ta pyesim”, shkruan Kristo. Ai sheh nga dritarja dhe kujton ngjarjet që kanë ndodhur në muajt e fundit. Jeton në një fshat afër liqenit Prespë, një i ndarë në tri shtete, Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Kristo, pronari i një varke të vogël peshkimi, përfiton nga kjo situatë gjeografike dhe transporton drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Historia përfundon ashtu si fillon me Kriston, i cili kompleton esenë e tij mbi atë se çfarë liqeni mund t’u jap atyre që dinë se çfarë t’i kërkojnë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.