KULTURË

Ylljet Aliçka: Njohja ime me Xhuvanin kur xhironim “Parullat”

18:00 - 15.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – 18 vite më parë, karriera e Gjergj Xhuvanit shënonte një kulm, që e ngriti regjisorin në lartësinë e mbiemrit. I ri dhe i përgatitur, mjeshtri i thjeshtësisë merr në dorë skenarin e “Parullave” nisur me të, udhëtimin drejt Kanës. 18 vite më pas, ndërsa ka marrë udhëtimin e fundmë, skenaristi Ylljet Aliçka, teksa gjendet në Turqi, kujton punën me të. “Parullat” është filmi i parë dhe i fundit që ka qenë në Kanë. Mori çmimin e parë në Japoni dhe është përzgjedhur në filmat më të mirë në shumë klasifikime. “Qe një nga regjisorët më të mirë të brezit të ri, që diti të trashëgojë vlerat më të mira të realizmit, i pandikuar nga rrymat snobiste ose ekzibiocioniste. Diti të kapë thjeshtësinë e temat e thjeshta dhe deri diku ironike, kjo qe edhe arsyeja e bashkëpunimit tonë”, thotë Aliçka. Kujton se mbasi kishte botuar librin “Parulat” dhe shkroi skenarin përkatës, producenti francez, i kërkoi që të gjente një regjisor shqiptar nga brezi i ri. “Në atë kohë mbaj mend që Gjergji sapo kishte filluar të dallohej krahas Besnik Bishës, Fatmir Koçit e Artan Minarollit. U takuam dhe folëm.




Në fillim me vështirësi, por më pas e gjetëm gjuhën e përbashkët për filmin. Për fat të mirë, ai vazhdoi në kinematografinë e tij të ishte besnik i një fryme realiste e neorealiste, si në filmin ‘I dashur Armik'”, vëren Aliçka. Mandej shton se takimi me të erdhi pasi i ishte miratuar projekti mbi bazën e skenarit. “Ata donin një regjisor të ri që ta lançonin dhe nuk u zhgënjyen as ata, as unë me Gjergjin. Duke parë tërë veprën e tij, e dallon lehtë fizionominë dhe profilin e tij artistik”, thotë Aliçka. Vitet kaluan dhe krijimtaria e Xhuvanit po ashtu. “Në Euroimazh ku unë kam qenë përfaqësues i Shqipërinë projekti i tij i fundit ‘Liqeni im’ pati mbështetje të madhe. Ndodh rrallë që të ketë aq shumë mbështetje në projektet europiane. Skenari i filmit të tij, ‘Liqeni im’, ishte nga të paktët skenarë që mori shumicën e votave. Thënë kjo, jam i bindur, qoftë për Shqipërinë qoftë për Euroimazhin, vepra e tij do mbetet një vlerë e shtuar në kinematografinë europiane”, thotë Aliçka.

Për të, Gjergji ishte regjisori profesionist me plot kuptimin e fjalës. “Si natyrë të kujtonte babain e tij, Dhimitër Xhuvanin. Ishte njeri i ngrohtë dhe i butë dhe sado që në bashkëpunime kemi pasur këndvështrime të ndryshme, falë zemërgjerësisë së Xhuvanit dhe tolerancës te të dyja palët e ruajtëm miqësinë. Më vjen keq që nuk arrita dot të bëj një bashkëpunim tjetër me Xhuvanin”, vëren shkrimtari Ylljet Aliçka.

Për të, Xhuvani duke qenë njohës i mirë i letërsisë se shkruante vetë dhe kjo jo thjeshtë se “djali i artit”, djali i një shkrimtari, por edhe falë intuitës letrare dhe ndjeshmërisë letrare, Aliçka thotë se mendon që ishte nga të rrallët që hynte në thelbin e tematikës sociale e shpirtërore të vendit të tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.