AKTUALITET

FATOS BAXHAKU/ Zotnia i rrallë e i përkorë, shuhet para kohe mjeshtri i gazetarisë

13:46 - 17.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazetari që nuk bëri kompromis me emrin, as me misionin, shembulli që la pas

Themeluesi i “Gazeta Shqiptare” u shua dje në Tiranë, vuante nga një sëmundje e rëndë

Fatmira Nikolli




Me një cigare që digjej në njërën dorë, me një kafe e një gotë përpara, me këshillat e urta të një mjeshtri dhe me historitë e një jete për të rrëfyer. Pa bujë, i thjeshtë e i përulur. Modest deri në madhështi. Kështu e kam njohur gazetarin që të frymëzonte e të bënte të kishte turp po të dalloje shumë prej tij. Ai rrëfente për orë ngjarje e vende diku rreth nesh, por që prej gjuhës, stilit, zërit, larmishmërisë, latimit të frazës e pasurisë së leksikut, dukej se tregonte përralla të një kohe e bote tjetër, që ta kishte enda t’i ndiqje deri pas fundit. Dhe kështu do të mbahet mend Fatos Baxhaku, një prej gazetarëve më të mirë të vendit, mësuesi i madh i disa brezave dhe shembulli se gazetaria është mision dhe jo biznes. Një nga heronjtë e fundmë në një vend (zanat) pa heronj – dhe më pas le të pyesim, nëse është pa fat ai vend që nuk ka heronj, apo ai vend që ka nevojë për heronj. Burri i mençur që nuk ulej kurrë në radhë të parë, silueta e qetë e një mësuesi të urtë, që e refuzonte gjithë ç’shkëlqente në marrinë e vet, që ulej me rojen e fliste me orë të tëra, që bisedonte me sanitaret pa pushim, që në një pallat të braktisur kulture në Pogradec e dinte se personazhi më interesant ishte punëtori i sallës, i dalë në pension dhe jo drejtori i emëruar nga partia. Zotnia që qëndroi larg salltaneteve e që megjithatë, e dinte mirë dhe e përcillte zotnillëkun.

Shkrimet e tij u bënë shkak që shumë të rinj ta donin median, ndonëse rrugës ai mbeti pothuaj vetëm. Nxënës e ish-kolegë tani e parakalonin duke xhiruar goma të shtrenjta. Ai nuk mërzitej. Kishte bërë me kohë një zgjedhje, të shkruante për atë që besonte, të tregonte historitë që nuk thuheshin me të madhe, të jetonte e të shuhej në një shtëpi me qira, ta shkonte jetën i varfër dhe të kishte disa miq për kafen e mëngjesit e verën e darkës. Miq tek të cilët mund të mbështetej e jo miq pazaresh. Ai e dinte se pasuria i zhbënte të gjitha këto. Ai e dinte se e vërteta kushton, qoftë edhe me çmimin e vetmisë. U shua pas një sëmundjeje të rëndë, që nuk i la shumë kohë jetë, madje as shumë kohë lufte. Ishte vetëm 55 vjeç dhe me dhjetëra punë nëpër duar. Nga ato punët me shkrime e rrëfime, nga ato punët e shpirtit, që i çmon veç kush është i pastër. Kur ua dha lajmin e sëmundjes pak miqve të ngushtë, u kërkoi ndjesë që po i shqetësonte, a thua se po u kërkonte ndjesë që pat ardhur në jetë. Iku pa fjalë, pa rënduar askënd, sikur të donte që i fundit kumt që jepte të ishte i destinuar vetëm për atë vetë. Dhe heshtte, duke e pritur fundin me një grusht miqsh.

Nuk e pat njohur megalomaninë e figurave mediatike me telefona të mëdhenj, ekrane të sheshta, makina të larta e pushime ekzotike. Krejt e kundërta. Ai burri që dukej kaq i vogël e i pafuqishëm para luksit të shfrenuar të ‘indisë’ sonë, ishte kaq i madh sa e përbuzte llamburitjen e turpit. Ai udhëtonte fshatrave të Shqipërisë për të treguar Shqipërinë përtej bulevardit, atë që po humbte e po shuhej, me një stil krejt të thjeshtë e njëherit mu prej thjeshtësisë komunikues, rrëfimtar e qartësisht i kuptueshëm. Të përmblidhje botën në pak fjali, pa qenë nevoja për ta komplikuar me fraza që çoç rrekeshin të thoshin. Ai kumtonte me pak, duke të vënë para botës që kishte parë me sytë e tij, si para një ekrani 3D që të tregon këndet e skutat edhe pa i vënë në fokus. Kur lajmi se Fatos Baxhaku u shua, mes shumë postimeve për të që qenë lavd për shkruesit, në tërësinë e tyre e përbashkëta e madhe qe ndershmëria që përcolli përmes shembullit të vet. Ajo ndershmëri, që te të tjerë u lëbyr në rrekjen e madhe për para e pushtet. Baxhaku zgjodhi të mbetej “i marri” në mesin e “të zgjuarve”, që u bënë palë në zhvatje. Ndaj humbja e tij është dyfish më e madhe, se humbja e shembujve e varfëron shoqërinë dhe autoriteti i tij i zbehur nga mosprania fizike dhe i rritur nga miti veçse do i lëshojë ujqit përtej maleve. Ndaj, ai nuk ishte më veçse një gazetar e një publicist. Ai ishte mjeshtri. Nëse ndokush ka pasur ndonjëherë dyshimin se kush është gazetari më i mirë në Shqipëri, a nëse ka pyetur si duhet të jetë në gazetar, nëse ndonjëherë ka qenë në mëdyshje nëse duhej ta shiste shpirtin, le të mendojë Baxhakun dhe të dijë se ai ishte dhe qëndroi deri në fund, se nuk mundi kurrë të bënte ndryshe dhe se duhej të ishte shembull për ne.

Ngushëllimi i Unionit të Gazetarëve:

Lamtumirë i shtrenjti ynë, Fatos Baxhaku!

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dërguar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetarit Fatos Baxhaku, një ndër të rrallët profesionistë të gazetarisë bashkëkohore shqiptare. Themelues i disa të përditshmeve në shtypin pluralist shqiptar dhe nismëtar themelues i organizatës më të madhe të gazetarëve, Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Gazetari Fatos Baxhaku një nga reporterët, redaktorët, kryeredaktorët e rrallë, i shumëvlerësuar si pionier i shtypit të pavarur që nga fillimvitet ’90-të, autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar dhe reportazhisti me ndjeshmëri të pashoqe profesionale dhe njerëzore, ka ndërruar jetë më 16 gusht 2019, në moshën 55-vjeçare. Prej disa kohësh kolegu ynë i dashur përballej në heshtje sizifi me sëmundjen e rëndë, duke zgjedhur dhe preferuar që kapitullin e fundit të betejës fatale ta vijonte me heshtjen e vet fisnike të modestisë dhe larg zhurmës. Fatosi zgjodhi ta mbante për vete këtë ikje të parakohshme, duke i lënë në provën e vështirë të ikjes së parakohshme, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij.

Miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, Fatos Baxhaku lindi në Tiranë në vitin 1964. Të gjitha ciklet arsimuese i kreu në kryeqytet, deri në vitin 1986, kur përfundoi Fakultetin e Histori-Filologjisë në UT.

Pas kësaj periudhe ai ndoqi një karrierë të gjatë, së pari në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe më pas duke mos u shkëputur asnjë moment kontribuoi në gazetarinë e shkruar dhe atë audiovizive. Jeta e tij në redaksitë e mediave pasoi këtë udhëtim:

Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në TV “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës javore “XXL”. Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe reporter telereportazhi në TV “Vizion Plus”.

Në 2006-2007 ishte kryeredaktor dhe gazetar i reportazhit në gazetën ditore “Shqip”. Prej vitit 2015 kalon gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i shumë cikleve me telereportazhe, të cilat u bënë të shumëndjekura dhe popullore ai “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e vjetër” (Digitalb). Ai është autor dhe realizues i shumë dokumentareve televizive me tema dhe për personalitete nga kultura dhe historia kombëtare. Ka lektoruar në degët e gazetarisë të Universiteteve të Tiranës, Elbasanit dhe në qindra trajnime e leksione të hapura për gazetarët e rinj ne qytetet kryesore të hapësirës shqiptare. Ai ka botuar një cikël të rrallë librash me reportazhe, portrete, ese dhe artikuj kritikë e analitikë. Si gazetar dhe mjeshtër i dokumentarit dhe reportazhit ai u përfshi në bashkëpunime të shumta me organizata të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare si dhe me aktorë të huaj që mbeten aktorë potencialë në mbështetjen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Ndarja nga jeta para kohe e kolegut tonë të shtrenjtë Fatos Baxhaku, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme. Komuniteti i gazetarëve profesionistë të vendit humbi një model profesionisti që përherë diti të bëjë mirë atë që duhej. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë humbi themeluesin dhe kolegun e shtrenjtë e të paharrueshëm, familja birin e urtë e të palodhur. U prehsh në paqe vëllai dhe kolegu ynë i shtrenjtë Baxhaku!

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.