Kryesore

Gjergj Xhuvani 1986, kur xhironte në Rubik: Flinim  në dhomë konvikti, në krevat marinar

10:19 - 17.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gusht 1986. Rubik. Xhirohej një film mbi revoltën e minatorëve në kohën e para pushtimit fashist. Unë isha asistent regjisor, filmi im i parë. Dhimitri piktor i kostumeve. Flinim të dy në një dhomë konvikti të zbrazur nga nxënësit e një shkolle mekanike. Banja ndodhej në fund të korridorit. Prej andej dëgjohej uji që derdhej nga një rubinet i stërmadh që nuk mbyllej kurrë. Sidomos natën vonë zhurma ishte torturuese. Flinim në një krevat marinar. Dhimitri i shtrirë poshtë, i lodhur nga stërmundimi i ditës së xhirimit nën vapën e gushtit, lexonte një libërth në gjuhën greke, bashkëngjitur me fjalorin greqisht-shqip”. Këto janë copëza kujtimesh që regjisori Gjergj Xhuvani shkruante për një bashkëpunëtor të hershëm të tijin, Dhimitër Theodhori. Sot, kur as Xhuvani nuk është më, këto shënime kanë vlerë tëpaçmuar, sepse tregonjnë një pjesë të jetës se tij dhe se sa e çmonte heshtjen e të urtëve, ku bënte pjesë dhe vetë. Ky shënim është pjesë e një katalogu për Dhimitër Theodhorin, me të cilin dikur Xhuvani kishte ndarë dhomën, diku në Mirditë.fa.ni.




Nga Gjergj Xhuvani

Telefonata e papritur e zotit Artan Shabani, me të cilin nuk njihesha, dhe pse frekuentoj rregullisht Galerinë e Arteve që ai drejton, m’u duk diçka e zakontë, gati e pritur në mënyrë të pavetëdijshme.

Ishte një kërkesë e thjeshtë, e qartë, e ndershme.

-Z. Xhuvani! Ju e njihni Dhimitër Theodhorin, piktor i shumë filmave…

-Po. Pse? Mirë është?

-Ka disa vjet që nuk jeton më.

Heshtje…

U tërhoqa në kohë. Në imazh të pastër m’u shfaq buzëqeshja e tij. Një buzëqeshje që nuk lexohej as nga buzët e as nga dhëmbët. Vetëm sytë e tij mbusheshin nga një lëng ndriçues.

Gusht 1986. Rubik. Xhirohej një film mbi revoltën e minatorëve në kohën e para pushtimit fashist. Unë isha asistent regjisor, filmi im i parë. Dhimitri piktor i kostumeve. Flinim të dy në një dhomë konvikti të zbrazur nga nxënësit e një shkolle mekanike. Banja ndodhej në fund të korridorit. Prej andej dëgjohej uji që derdhej nga një rubinet i stërmadh që nuk mbyllej kurrë. Sidomos natën vonë zhurma ishte torturuese. Flinim në një krevat marinar. Dhimitri i shtrirë poshtë, i lodhur nga stërmundimi i ditës së xhirimit nën vapën e gushtit, lexonte një libërth në gjuhën greke, bashkëngjitur me fjalorin greqisht-shqip.

Nuk e di pse herë pas here, ndalonte leximin dhe më tregonte kuptimin e ndonjë fjale greke, e cila fonetikisht tingëllonte banale ose qesharake në gjuhën shqipe. Ndoshta ishte shakaja që ai krijonte me mua.

Unë darkat i haja jashtë, në një nga dy lokalet e Rubikut. Ishin mizerje. Por me shokë e duke pirë alkool shtyhej disi, deri në orën 21.30. Mbas kësaj ore çdo shërbim mbyllej.

Kur kthehesha në dhomë, gjeja Dhimitrin tek përgatiste darkën e tij, pothuajse standarde. Bukë, djathë, vezë ose, bukë e konservë peshku. Hante në heshtje duke shtyrë kafshatat me ujë. Ndoshta kursente. Por nuk ishte koprac. Rrallë, kur unë sillja ndonjë shishe verë, pas gotës së parë në portret i ngjizej buzëqeshja e mirësisë dhe sikur të më falte një thesar, hapte dosjen e tij dhe shfletonte skicat, bocete veshjesh, kompozime njerëzish në grup si mizanskena kinematografike. Veçoj një portret vajze në laps, që i përkiste ndonjë figuranteje mes turmës në xhirim. Më kujtohet qartë portreti, me një buzëqeshje thuajse si të tijën.

Më vjen turp nga papjekuria e moshës time, që nuk dita ta vlerësoj Dhimitrin, që talentin e tij ta kuptoja e të përfitoja prej tij.

Thjeshtë e ngacmoja me identifikimin real të vajzës me laps, me atë muzikë sysh që e bënte qiellore.

– Zoti Xhuvani, më dëgjon?

– Po… po… Urdhëro!

– Nëse mundesh mund të shkruash diçka për Dhimitrin, në albumin që unë dua të botoj për të?

– Çfarë për shembull?

– Një piktor që s’e përfillën. Që nuk vlerësuan punën e tij. Që i mbyllën çdo derë krijimtarie. Piktorët e njohur të kohës e lanë në harresë…

– Po. Edhe vdekja e tij erdhi në harresë.

Unë nuk jam as estet e as kritik i artit figurativ. Por vlerën e punës së tij di ta dalloj. Është një lidhje e drejtpërdrejtë e imja si regjisor me krijimin e imazhit të personazhit, nga këndvështrimi figurativ.

Pas shumë vitesh u gjenda përsëri përballë me Dhimitrin. Filmi “I dashur armik”, tashmë unë regjisor, Shkodër 2004. Dhe ai Dhimitri, po ai, i njëjti. Aq i thjeshtë, aq i dëgjueshëm, aq i vëmendshëm, me po atë buzëqeshje veçse me sy pak më të lodhur, me indiferent ndaj lëngut ndriçues.

Me ngjyrat që iu dha kostumeve, me linjat specifike të çdo personazhi, ai nuk përcaktoi vetëm veshjen, por krijoi TIPIN, në një harmoni me mjedisin, kohën, rrethanat e deri te oshilacionet shpirtërore.

Shihni filmin. Dhe do të shihni që në çdo personazh është edhe Dhimitri.

Jo në një film të xhiruar, që janë shumë të realizuar nga Dhimitri, e disa prej tyre jo rastësisht janë nga filmat më elitarë shqiptarë, por edhe vetëm nga skicat e ftohta të hedhura në një letër format A4, ti sheh tipa, karaktere që jo vetëm shpërfaqin gjendjen e tyre sociale, por edhe flasin e komunikojnë.

Heshtje.

– Po Artan! E vetmja gjë që mund të them i bindur tërësisht… Dhimitri me harresën që i bënë njerëzit, bërtiti fort “Njerëz, shikoni… unë nuk jam harresa, por modestia”.

68635919_591569681372451_8057181389700726784_n 68367441_2929771913914163_1040518040057282560_n
<
>

Një minut heshtje për

Gjergj Xhuvanin në sheshin e teatrit

Këngëtari i ri Gjergj kaçinari, djali i Alfred Kaçinarit ka mbajtur dje koncert në Teatrin Kombëtar i cili prej 24 korrikut menaxhohet nga qytetarët e artistët protestues që po e mbrojnë nga shembja. në fjalën e mbajtur, regjisori Edmond Budina tha se Gjergj Kaçinari vjen për herë të dytë për të interpretuar për teatrin. “Ai është biri i një artisti dhe nipi i Vasjan Lamit që mbështet kauzën tonë. Ka edhe një tjetër këngëtar që këndon teatrove, ai është Fabrizio de Andre”, duke e krahasuar Kaçinarin me italianin e njohur që në thelb të muzikës së tij ka denoncimin e dukurive të padrejta shoqërore.

Më tej, Edmond Budina kujtoi regjisorin që u nda nga jeta të mërkurën. “Xhuvani ishte një nga miqtë e mi dhe kam njohur familjen e tij. Ka qenë familje intelektuale. Në këtë familje bën pjesë edhe aktori Sokol Angjeli që mbështet kauzën tonë. Gjergji ka lënë gjurmë të arta në kinemarografinë tonë, brensa dhe jadhtë vendit. Të qoftë i lehtë dheu vëlla”, tha Budina.

RAMA, TËRHEQJE?

Kryeministri i vendit Edi Rama ka postuar dje në faqen e tij një opinion që thotë se i përket Suela Konjarit për çështjen e teatrit. Në një intervistë për GSH në marsin e 2018-ës Konjari thoshte se debati për shembjen e teatrit i kujtojnë kohën kur shembeshin kishat e xhamitë dhe dilte tërësisht kundër prekjes së godinës. Dje, shefi i qeverisë, shkroi se “Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar. Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror”.

Sipas tij, Konjari ka thënë: “Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.