KULTURË

LEKË PERVIZI/ Pluku, punishtja e një artisti në internim

12:30 - 17.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli




I pashë fotot e Plukut. Ish-banesa është paraqitur mirë me gjithë rrugën, siç ishte, por jo e shtruar. Pavarësisht se kishte shtesa e rregullime. Ndërsa në atë punishten kam punuar një vit e pak, sepse me hoqën nga ajo punë e me çuen në bujqësi”. Ky është një ndër emailet që Ardita Repishti nga Autoriteti i Dosjeve shkëmben me Lek Pervizin, artistin që shkoi jetën në kampet komuniste në internimit. Konferencat shkencore që përgatiten kanë nevojë për bazën e rrëfimeve të atyre që i jetuan ato kohë, duke njohur Shqipërinë tjetër, atë burgun e ashpër të burgut të madh. Mes shumë rrëfimtarëve, Lek Pervizi, dallon për ravijëzimet që u shton rrëfimeve, ai i lustron për të sjellë imazhet që nuk i pamë e nuk i ditëm, të vendeve e kampeve që sot, janë shkatërruar. Ai sjell dëshmitë e ngjarjeve që pa të nuk do t’ua njihnin skenat. “Punishtja e vjetër ishte si barakë e rrethuar me llamarina, mbuluar me katrama. Aty kam punuar rreth 15 vjet. Ajo mund të quhet punishtja ime. Po çoj një skicë të shpejtë që të formohet ideja, në ç’kushte punoja, ku për ndihmës kisha Prof. Dr. Lazër Radin, që pastaj e hoqën e më sollën një djalë nga Pluku, që më vonë më zëvendësoi, (në punishten e fotos) kur më çuan në bujqësi, më 1979 e deri kur dola në pension më 1983”, shkruan Pervizi. Ai thotë se imazhet e mbërritura, e bënë të kthehej prapa në ato vite, “kur jeta jonë ishte e kufizuar në punë të detyruar, në kushte të këqija e të trajtuar si armiq, pavarësisht se ma kishin nevojën, sepse punës që bëja unë s’i dilte zot askush, e s’bënte dot njeri”. Ai kujton se edhe kur e hoqën dhe e çuan në bujqësi, u detyruan ta merrnin për punë ku s’vinte dorë askush. “Kur dola në pension, refuzova çdo lloj pune që kërkonin të me ngarkonin, deri më 1990 kur u larguam në Belgjike. T’i tregova këto, për të formuar idenë lidhur me fotot që më çove”, thotë Pervizi, duke nisur edhe një skicë të shpejte e punishtes së vërtetë  me kondita primitive.

Në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë dhe Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, kthejnë vëmendjen në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, me aktivitetet “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”. Me ç’rast, sjellim në kujtesë dëshmi të të mbijetuarve në kampe.

FAMILJA PERVIZI

Fisi i vjetër e fisnik i Pervizit të Skurajve të Kurbinit, ishte një fis i njohur e shumë i rëndësishëm. Rrënjët e tij dallohen qartë që nga koha e qëndresës heroike kundër pushtuesit turk, në periudhën e Gjergj Kastriotit, të cilit i ndejti përkrah gjithë kohën e luftërave. Gjeneral Prenk Pervizi kreu shkollën e mesme në Shkodër më 1914, dhe Akademinë Ushtarake në Vjenë më 1918, dhe hyri në shërbim të ushtrisë shqiptare si komandant operacionesh për dëbimin e serbëve dhe qetësimin e vendit nga bandat grabitëse dhe rebelizmi politik. Dallohet në të gjitha detyrat e ngarkuara. Përkrahu Zogun, me të cilin kishte lidhë miqësi qysh në Vjenë, dhe i qëndroi Mbretit Zog pranë që nga fillimi deri në fund të Mbretërisë. Kur sulmoi Italia fashiste, i pa njoftuar nga askush veç nga radiot e huaja, vendosi të organizojë luftën popullore. Por i doli detyrë të mbrojë e të përcjellë Mbretin në Greqi, e me urdhër të cilit u rikthye në Shqipëri. Në kohën e pushtimit qëndroi në dispozicion. Kur ushtria shqiptare u përfshi në Luftën Italo- Greke, mori qëndrim dhe urdhëroi braktisjen e frontit nga ushtria shqiptare, nga i cili veprim italianët pësuan një disfatë të madhe, dhe më pas, nga frika e incidentëve të tjerë më të rrezikshme, e hoqën ushtrinë shqiptare nga fronti, kurse Prenk Pervizin e izoluan në Pukë. U gradua gjeneral me qëllim të zbutjes së acarimit për shkak të frontit grek, gradim formal pa rol komandues. Nuk e njohu lëvizjen e ashtuquajtur nacional-çlirimtare, duke e ditur se udhëhiqej nga komunistë të lidhur me politikën e jugosllave e ruse. Në shtator 1946, u arratis në Greqi. Pjesëtarë të familjes që u dënuan me burgje e internime, ku disa vdiqën dhe të tjerët e kaluan gjithë jetën në dënime. Shuma e përgjithshme e dënimeve, për gjithë familjen dhe fisin e Gjeneral Prenk Pervizit arrin në 750 vjet, shtatë shekuj e gjysmë!

Lek Pervizi, djali i vogël i Gjeneral Prenk Pervizit, i mbijetuar, sot 89 vjeç, në kuadrin e njohjes së krimeve të komunizmit dhe krimet e bëra mbi familjet e mëdha të Shqipërisë, ndër të cilat ajo e Pervizit është ndër më të masakruarat.

Lek Pervizi është nga dëshmitarët e rrallë, është piktori që vuajti internimin në kampin e Tepelenës dhe që me talentin e tij, skicoi planimetrinë e kampit të Tepelenës, tablo-skica të mjedisit të brendshëm të kampit dhe të të internuarve, disa tablo për ngjarjet e rënda të ndodhura në kamp realizuar drejtpërdrejt aty, duke i kthyer ato në një instrument të së vërtetës së hidhur të krimit komunist të mbuluar për vite e vite në Tepelenë. Ky fakt, që piktori ka qenë i pranishëm, pra, bashkëvuajtës dhe që skicat-tablo janë realizuar drejtpërdrejtë kur ka ndodhur ngjarja, ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse ato luajnë rolin e fotografisë së kronikës apo filmimit që nuk mund të ishin të pranishëm. Tablotë -skica të piktorit Lek Previzi janë një dokument unikal në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, që nxorën në dritë kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Pasi përfundoi mbylljen në kampe, ai vijoi internimin në fushat e Myzeqesë, në Pluk të Lushnjës, ku u martua, në 1965, me një vajzë gjithashtu të internuar, Gjuliana Malaj, nga Vermoshi, ish fëmijë- foshnje e kampit të Tepelenës, të cilën, për faktin se shpëtoi për mrekulli nga vdekja, e mbiquajtën dhe vazhduan ta thërresin Beba,- ndër të rrallat bebe që i shpëtoi vdekjes që kositi njëherësh shumë foshnje të tjera. Të gjitha këto shënime janë marrë nga rrëfimi që ka dhënë Lek Pervizi, për botimin “Kampi i Tepelenës. Dëshmitë e të mbijetuarve”.

Lek Pervizi, 40 vjet burg internim, djali i vogël i Preng Pervizit, mbaruar shkollën fillore e të mesme në Romë në periudhën 1936-1944; i dëbuar më 1945-50. Internuar në Porto Palermo, Tepelenë, Lushnje, 1950-1954; izoluar në Shtyllas të Fierit e Kuç të Vlorës, 1954-1958; internuar në Gradishtë e Pluk të Lushnjës, 1958-1990. I përfshirë që në moshën 15 vjeçare në valën e terrorit komunist, fillimisht mbeti në Tiranë. I përjashtuar nga të gjitha shkollat, me prishjen me Jugosllavinë, arriti të futet me konkurs në Liceun artistik, më 1948, ku menjëherë u dallua për talentin e tij të spikatur. Por, kështu nuk mendonte as partia e as qeveria dhe më 1950 arrestohet, e pasi kalon birucat e sigurimit degdiset e mbyllet me gjithë vëllanë e madh, Valentinin, në burgun-kala të Porto Palermos. Pastaj në kampin e Tepelenës dhe në Kuç të Kurveleshit, ku ishin izoluar elita e mbetur gjallë e intelektualëve të fundit shqiptarë të para luftës. Kaloi gjithë jetën në internim deri më 1990, duke u shquar për qëndresë, dallohet, ndonëse i dënuar, si piktor e poet i ndaluar.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Daniel Lezo Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Lek Pervizi, nje shtylle e gjalle e artit dhe jeteses se kombit shqiptar, njeriu qe mendoj mund te perfaqesoje me se miri feniksin ne tmerrin e diktatures, njeriu qe diti te perballoje mjerimin, torturat, urine dhe poshterimet dhe megjithese cdonjera prej tyre linte shenja te pashlyeshme ne trupin dhe shpirtin e tij, nga jashte do te mund te mendoje se Leka sapo ishte kthyer nga pushimet. Cdo gje dukej sikur rreshqiste mbi trupin dhe shpirtin e tij pa lene gjurme dhe kjo habiste e terbonte me teper veglat e sistemit. E kam njohur personalisht Leken, ashtu si edhe Beben, Leonardin trashegimtarin e denje te artit te tij, po ashtu si edhe djemte e tij te tjere, gjate internimit ne Pluk (Lushnje), pas internimit dhe tanime te realizuar ne Bruksel, dhe mund te them se e ndjej veten vertete shume mire kur mendoj se njerez te tille me konsiderojne mik te tyrin. Perqafime nga larg familjes Pervizi.

    Përgjigju ↓