OPINION

Teherani e pranon forcën e rezistencës demokratike të Iranit

20:31 - 17.08.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Giulio Terzi




Ajatollahët e Iranit mund të detyrohen t’i pranojnë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar. Dhe kjo është shumë më e arritshme se ç’mund të mendohet.

Më 5 gusht, zëdhënësi i kabinetit të presidentit iranian, Ali Rabiee, mbajti një konferencë për shtyp ku përmendi në mënyrë specifike konfliktin e vazhduar të regjimit klerikal me armikun e tij nga brenda vendit, Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK). Kjo përfaqëson një ndryshim nga politika normale e qeverisë sipas së cilës ajo hesht lidhur me këtë çështje në mënyrë që të bëjë sikur kërcënimi që MEK paraqet për sistemin teokratik nuk është edhe aq serioz.

E themeluar si një lëvizje kundër regjimit të Shahut në mesin e shekullit të 20-të, MEK ishte një forcë madhore në Revolucionin Iranian por u shkëput menjëherë nga qeveria që po krijohej pas ndryshimit të drejtimit të lëvizjes nga Ajatollah Khomeini. MEK ishte atëherë dhe mbetet tani zëri kryesor për qeverisje demokratike, dhe vizioni i saj është formalizuar në planin me 10 pika të udhëheqëses së opozitës iraniane, Maryam Rajavi.

MEK ka shprehur besim absolut se regjimi aktual po i afrohet rrëzimit, gjë që do t’ia hapë rrugën atij vizioni. Ky ishte ndoshta mesazhi qendror i një tubimi të zhvilluar muajin e shkuar në Ashraf-3, një kompleks i përfunduar së fundmi në Shqipëri ku banojnë 3,000 nga anëtarët e organizatës të cilët janë zhvendosur nga Iraku pasi kishin jetuar për vite të tëra nën kërcënimin e regjimit iranian.

Në tubimin e Ashraf-3 mori pjesë një koalicion i gjerë dhe me influencë qeverish kombëtare dhe vendore, personalitetesh dhe institucionesh nga e gjithë bota, të cilët janë plotësisht dakord me pozicionin e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit që ka për qëllim ta transformojë Iranin në një vend demokratik të udhëhequr nga sundimi i ligjit, respekti për të drejtat e njeriut dhe liria demokratike.

Irani nuk i ka patur kurrë këto gjëra në kuptimin e tyre të plotë. Parimi thelbësor qeverisës i Republikës Islamike është veleyat-e faqih, sundimi absolut i “gardianëve” klerikalë. Lideri Suprem Ali Khamenei thotë fjalën e fundit lidhur me çdo çështje, dhe kandidatët për pozicionet e zgjedhura përjashtohen nëse nuk demonstrojnë besnikëri absolute.

Për këtë arsye, MEK ka punuar për të organizuar bojkotime të zgjedhjeve, mes protestash të tjera. Përpara zgjedhjeve të 2017-ës, aktivistët e MEK morën në sy arrestimin dhe dënimin me burgim të gjatë duke postuar mesazhe në publik dhe online ku i nxisnin njerëzit të “votonin për ndryshim regjimi.”

Popullariteti i mesazhit të nënkuptuar u shfaq i gjallë vetëm pak muaj më vonë kur protestat shpërthyen në çdo qytet kryesor. Pjesëmarrësit thërrisnin me slogane si “vdekje diktatorit” duke i refuzuar shprehimisht të dyja grupimet politike, si ato “konsekuente” ashtu edhe ato “reformiste”. Ky miratim i gjerë për ndryshimin e regjimit e detyroi Khamenei-n që ta pranonte rolin organizativ të MEK-ut dhe të “njësive të rezistencës” që operojnë në mbarë shoqërinë iraniane.

Kjo ishte me shumë mundësi pika e kthesës që e dobësoi pretendimin aq të shpeshtë të regjimit se MEK nuk e ka aftësinë të paraqesë një sfidë serioze për diktaturën klerikale.

Komentet e fundit të Rabiee drejtuar shtypit kombëtar shkuan deri në atë pikë sa gati-gati e pranuan ankthin e regjimit, dhe e njëjta gjë mund të thuhet për komentet e mëparshme të Mostafa Pour-Mohammadi-t, këshilltari i kryegjyqtarit, i cili ka shërbyer si Ministër i Drejtësisë gjatë mandatit të parë të Presidentit aktual iranian Hassan Rouhani.

Pour-Mohammadi u bë famëkeq si në sytë e komunitetit të aktivistëve të Iranit ashtu edhe në sytë e mbrojtësve të të drejtave njerëzore nëpër botë në 2016-ën, kur ai mbrojti incidentin që njihet si “krimi më i madh i Republikës Islamike.” Këto ishin fjalët e Hossein Ali Montazeri-t, një zyrtar iranian që pritej të pasonte Khomeini-n, deri në momentin që e kundërshtoi regjimin lidhur me ekzekutimin sistematik të të burgosurve politikë në 1988-ën. Brenda vetëm pak muajve, llogaritet se rreth 30,000 njerëz u vranë për krimin e pa-besnikërisë, dhe këto vrasje u fokusuan në një masë tepër të madhe tek MEK.

Komentet e mëparshme të Pour-Mohammadi-t i kanë përshkruar këto vrasje si përmbushja e  “urdhrit të Zotit,” dhe intervista e tij më e fundit me median tregoi përsëri mungesën e pendimit të tij duke hequr paralele midis masakrës së 1988-ës dhe situatës aktuale. “Nuk kemi asnjë paqartësi lidhur me MEK,” tha ai. “Jemi në kohë lufte. Tani nuk është koha për bisedime. Tani është koha të luftojmë kundër tyre.”

Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Por një gjë që mbetet e pandryshuar është fakti që MEK është armiku më i madh i Teheranit, dhe jo vetëm që i ka shpëtuar çdo përpjekjeje për ta shkatërruar por edhe është rritur kaq shumë në fuqi e influencë saqë ka mundur të organizojë dhe të udhëheqë një kryengritje mbarëkombëtare vitin e shkuar. Me Teheranin që mban ende plagën e asaj kryengritjeje, është më e vështirë se kurrë për zyrtarët e qeverisë që ta mohojnë vërtetësinë e sfidës me të cilën po përballen. Në bisedimet me homologët e huaj, ata sigurisht që do të vazhdojnë të përpiqen. Por nëse bota i kushton vëmendje asaj që këta zyrtarë thonë brenda vendit, do të bëhet i qartë fakti që janë të frikësuar.

Kjo frikë përfaqëson një mundësi të qartë për komunitetin ndërkombëtar, si dhe për popullin iranian. Ajo thekson saktësinë e strategjisë amerikane të “presionit maksimal,” dhe kërkon që vendet e tjera demokratike të ndërmarrin strategji të ngjashme. Duke bërë kështu, ata do të ndihmojnë në ekspozimin e një dobësie që Irani ka kohë që përpiqet ta mohojë, dhe do t’ia bëjnë të qartë popullit iranian se Perëndimi nuk do të marrë anën e mullahëve por të tijën.

Tani është shumë më e vështirë për mullahët që ta mohojnë faktin e ekzistencës së një alternative ndaj sistemit të tyre teokratik dhe kjo rezistencë popullore është thembra e Akilit për ta.

Ambasadori Giulio Terzi, ish-ministër i jashtëm i Italisë, është anëtar i Bordit Këshilltar të United Against Nuclear Iran (Bashkimit Kundër Iranit Bërthamor).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.