Intervista

Bruno i “Revolt Klan”: Si e prita suksesin e këngës “Të du”, grupi do jetojë gjatë

13:18 - 19.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali




Një rrugëtim i suksesshëm në muzikë, që e ka bërë mjaft të dashur për publikun. Nga orët e gjata në studio, për të vijuar me punën si dijedhënës vjen në një rrëfim ndryshe për “Gazeta shqiptare” këngëtari Bruno Pollogati apo sikurse e njohin të gjithë djali i “Revolt Klan”. Sapo është publikuar kënga “Të du” e shoqëruar me një klip, në të cilën Bruno ka qenë duke kënduar vetëm. Produksioni i fundit është pritur mjaft mirë e këngëtari ndihet i lumtur dhe falënderues ndaj atyre që e mbështesin. Më tej, ai na tregon për hapat e parë në rrugëtimin e gjatë të artit, për t’u ndalur te veprimtaritë, të cilave u kushton pjesën më të madhe të kohës. Përveç terrenit të sigurt që ka krijuar në muzikë, Bruno punon dhe si mësues. Më tej, kur e pyesim për ndonjë krisje të mundshme brenda “Revolt Klan”, ai sqaron një herë e mirë se grupi nuk është ndarë, por kanë vendosur që të bëjnë një pauzë duke sjellë disa këngë si solist, për t’u rikthyer pastaj ashtu siç kanë qenë gjithmonë. Bruno thotë se momentet më të çmuara janë ato kur është pranë familjarëve, se është tip social dhe kur bëhet fjalë për pasionet na përmend sportin, në veçanti palestrën. Pushimet për këtë verë nuk i ka vendosur ende, por një pjesë e tyre do të jenë në Shqipëri e pjesa tjetër përtej kufijve. Për të gjithë ata që e duan muzikën e këngëtarit, pritet që shumë shpejt të vijnë projekte të reja.

Sapo keni lançuar këngën “Të du”. Si është pritur nga publiku?

Deri tani është pritur mjaft mirë dhe komentet janë pozitive. I falënderoj shumë për mbështetjen që më japin çdo ditë dhe më shumë me fjalët dhe komentet e tyre.

Cili është rrugëtimi juaj në muzikë, që nga hapat e parë deri më sot?

Rrugëtimi im në muzikë është shumë i gjatë. Kam pasur eksperienca shumë të bukura, po përfshi këtu dhe vështirësitë, që kam pasur gjatë këtij rrugëtimi dhe kam akoma shumë rrugë për të bërë, pasi siç thonë muzika ka një fillim, por s’ka fund.

Thuhet se grupi “Revolt Klan” është ndarë. Ka pasur ndonjë krisje mes jush?

“Revolt Klan” do të jetojë për aq kohë sa ne do jetojmë. Ne nuk jemi ndarë thjeshtë kemi bërë një pauzë të vogël një ndryshim brenda grupit. Pas 10 vitesh si grup vendosëm të bëjmë një ndryshim, që të këndojmë si solistë, ose të sjellim dhe bashkëpunime (si solist).

Me se po merreni së fundmi? Do ketë projekte të reja?

Së fundmi, jam duke u përgatitur për pushime, pasi shumë kam punuar për projektet. Po patjetër, do ketë projekte të reja dhe besoj se shumë shpejt.

Ç’mendim keni për rrymat e ndryshme që janë futur në tregun muzikor shqiptar? Me cilin këngëtar nuk do bashkëpunonit kurrë?

Në momentin që ajo quhet muzikë, unë nuk kam asnjë arsye pse ta gjykoj. Tregu ka vend për të gjithë, kështu që çdo rrymë përfshinë njerëzit, që e pëlqejnë atë. Me të gjithë ata që janë vërtetë artistë dhe këngëtarë do bëja bashkëpunim. Të bashkëpunosh është gjë shumë e mirë.

Përtej muzikës, si është jeta e Brunos?

Bruno është mësues muzike në një nga kolegjet më prestigjioze në Tiranë, që ndodhet te liqeni, pasi kam mbaruar universitetin për opera dhe masterin për pedagogji muzikore.

Diçka që do ndryshonit nga rrjedha e kohës?

Të ktheja kohën mbrapa për disa gjëra… (qesh) Një moment që e çmoni më shumë se të tjerët? Momenti kur jam pranë familjes, natyrisht.

Në shoqëri jeni selektiv, apo keni shumë miq?

Trimi mirë me shokë shumë. Sigurisht që jam selektiv, por kam edhe miq shumë të mirë.

A keni pasione të tjera përveç muzikës?

Pasioni im është sporti. Ushtroj palestrën 2 orë në ditë. Aty gjej momentin që të relaksohem dhe ndihem rehat.

Sa e vërtetë është shprehja “vlonjatët e rrahin kraharorin kot”?

Unë jam skraparlli me origjinë. Vlonjatët në momentin, që e rrahin kraharorin, e rrahin plot, jo kot. (qesh)

Ku do pushoni këtë verë?

Ende s’e kam vendosur, por besoj se në Shqipëri një pjesë dhe pjesën tjetër në Europë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.