KULTURË

Ekspozita “Dinjitet përballë totalitarizmit”, ajo që ndodhi në komunizëm të mos zhytet në harresë

13:54 - 20.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Unë linda në kasolle me damkën e armikut për gjithë jetën”

Gazmend Kapllani




Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 ka marrë një iniciativë shumë të rëndësishme për zbardhjen e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri dhe promovimin e kulturës së kujtesës. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është jetike për rimëkëmbjen tonë morale dhe shpirtërore si komb. Një prej këtyre aktiviteve bëhet sot në qytetin tim të lindjes, në Lushnjë.

Herën e fundit që isha në Lushnjë im at më tregoi sërish dosjen e familjes tonë, që kishte arritur të merrte nga arkivi i sigurimit. Është logjikisht e pamundur të përshkruhen gënjeshtrat e paturpshme dhe të llahtarshme që ishin shkruar në atë dosje për gjyshërit dhe të afërmit e mi, në mënyrë që të përligjej vjedhja me dhunë e pronave të familjes, burgosja dhe torturimi çnjerëzor i gjyshit tim, përzënia nga shtëpia natën si kriminelë (ndërsa gjyshja ime mbante ende zi për vëllezërit e saj të vrarë nga Gjermanët) dhe degdisja në një kasolle në periferi të Lushnjës (në atë kasolle ku kam lindur unë), damka e “armiqve” për gjithë jetën, frika dhe tmerri se në çdo valë spastrimi që bëhej mund të bëheshim përsëri shënjestër e regjimit dhe të na internonin.

Lushnja është një qytet i veçantë, sepse fshatrat përreth ishin përzgjedhur nga regjimi si vendi kryesor i internimeve dhe poshtërimit masiv të individëve dhe familjeve fisnike, për breza të tërë. Kur munda të njoh të internuar bashkëmoshatarë nga Savra apo fshatra të tjerë kuptova se kishte familje që kishin vuajtur dhe vuanin shumë më shumë se familja jonë. Ishte momenti kur kuptova që jetoja në një vend që ishte kthyer ne një burg të madh, ku xhelatët me tekat e tyre absurde dhe primitive mund të bënin çfarë të donin me viktimat e tyre.

Gëzohem që bëhet ky aktivitet në Lushnjë, sepse kam përshtypjen që njerëzit që persekutuan familjen time dhe shume familje të tjera, bënë ç’është e mundur të varrosej në harresë ajo periudhë turpi, dhune dhe krimi masiv – në Lushnjë kam përshtypjen më shumë se gjetkë, sepse ishte pikërisht një qytet i veçantë.

Uroj që shumë bashkëqytetarë të mi Lushnjare dhe bashkatdhetarë në qytete të tjera të vizitojnë ekspozitat dhe aktivitetet. Ai që nuk njeh të kaluarën është si njeriu që jeton pa kujtesë, pa busull morale dhe identitet. Siç kam shkruar edhe gjetkë: “Narrativa mbizotëruese pas rënies së regjimit, se “të gjithë ishim bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, hapi rrugën për barazimin e autorëve dhe viktimave dhe, si pasojë, për nihilizmin moral… Ne nuk ishim të gjithë persekutues dhe të persekutuar. Disa ishin autorë dhe disa të tjerë ishin viktima. Disa ishin ekzekutues dhe të tjerët u ekzekutuan. Sloganet si “Të gjithë jemi viktima dhe autorë krimesh”, në lidhje me të kaluarën totalitare politike, dhe, “Të gjithë jemi të korruptuar dhe viktima korrupsioni”, lidhur me të tashmen politike kleptokratike, qeverisen nga e njëjta logjikë nihiliste. Ata përfundojnë duke eliminuar ndjenjën e përgjegjësisë penale dhe individuale, duke shpërblyer autorët e krimeve dhe duke e kthyer mosndëshkimin në një mënyrë jetese politike. Shqipëria ka nevojë për drejtësi morale dhe institucionale që të pajtohet me veten”.

Përgëzime në veçanti Gentiana Mara Sulës dhe Ardita Repishtit për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë. Një falënderim të veçantë miqve, vëllezërve dhe motrave Lushnjare që kontribuojnë në zbardhjen e të vërtetës. Ju lutem, vizitoni sa më shumë ekspozitën.

Do doja ta mbyllja me vargjet e Primo Levit te libri “Nëse ky është Njeriu”:

“Ju që jetoni të sigurtë

Në shtëpitë tuaja të ngrohta,

Ju, që kur ktheheni në shtëpi mbrëmjeve

Gjeni ushqim të ngrohtë e fytyra miqësore:

Thoni në se ky mund të quhet burr

Që punon në baltë

Që nuk njëh prehje

Që lufton për një krodh’ buke

Që vdes nga një “po” apo një “jo”.

Shqyrtoni në qoftë grua kjo,

Pa flokë e pa emër

Pa fije force për të kujtuar

Të zbrazur sytë e bosh mitra

Si një bretkosë dimrit.

Mendoni thelle se kështu ka ndodhur:

Ju urdhëroj me këto fjalë.

Gdhendini në zemrat tuaja

kur rrini në shtëpi kur shkoni udhës,

kur shtriheni kur zgjoheni;

Përsërituani fëmijëve tuaj.

Nese harroni,

Ju shoft’ vatra,

Ju mbytë sëmundja,

Fëmijët tuaj ju bëfshin hasha…”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.