KULTURË

Një natë roje/ Artisti i vetëm në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

13:21 - 21.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Naim Berisha vjen nga Prishtina jep shfaqje vullnetarisht dhe ruan një natë teatrin

Fatmira Nikolli




Muaj më parë aktori nga Prishtina Naim Berisha njoftonte përmes një e-maili ardhjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental me shfaqjen “Artisti i vetëm”. Monodrama ka në qendër një temë aktuale sociale aktuale; trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes së publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale. Atëherë ishte muaji janar, Eksperimentali ishte në funksion, Kombëtari qe transferuar te Arturbina dhe protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar vazhdonte çdo mbrëmje me një grusht njerëzish. Por situata ishte e ‘qetë’ para stuhisë. Të ikurit, bënin ndonjë xhiro te sheshi që kishin braktisur, qëndrestarët vinin gjithnjë e më të vetëdijshëm për barrën që kishin marrë mbi supe.

Kur më 24 korrik artistët e qëndresës e mbrojtën me trup Teatrin Kombëtar, kur Neritan Liçaj u përlot para rrethimit policor, kur dy regjisorët Budina u tërhoqën zvarrë nga policia vetëm se po mbronin teatrin nga shembja, Naim Berisha, pa se në fakt këta ishin artistët e vetëm- vetëm para pushtetit në mbrojtje të vlera shpirtërore e materiale si teatri dhe kujtesa e tij. Atë ditë sindikata e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ku ai është nënkryetar dënoi ashpër dhunën dhe doli në mbrojte të artistëve shqiptarë. Sepse mesazhet e teksteve që aktorët recitojnë nuk i drejtohen vetëm “pushteteve të padrejta diku e dikur”, ato i drejtohen edhe pushtetit që kemi përballë, atij që do që të shembë teatrin. Situata nuk është më hipotetike, ajo është e prekshme, ajo është këtu, atë po e jetojmë dhe jemi vetëm, jemi kaq pak, e prapë jemi kaq shumë. Ndaj kur nisi Festivali për Mbrojtjen e Teatrit, Naim Berisha vendosi të sillte “Artistin e vetëm” të tij, në skenën që tashmë menaxhohet nga ata që po e ruajnë teatrin 24 orë në 24.

Të hënën ai u ngjit në skenë dhe interpretoi para publikut të rezistencës në teatrin e rezistencës. Arti brirë s’ka, arti është ky që del në krahun e drejtë, edhe kur krahu i drejtë është i vetëm, i vogël, i dobët, edhe kur i ka kundër të gjithë. Në fakt pikërisht për këtë është edhe më i madh.Në fund të shfaqjes, kur duartrokitjet nuk reshtnin ai tha se kjo skenë është e shenjtë dhe se në shenjë simbolike do rrinte një natë roje bashkë me artistët e qytetarët e qëndresës. Kanë kaluar 30 netë nga nata e parë që teatri mbrohet 24 orë. Dhe netët janë kaq të ngjashme e të ndryshme në shesh. Pos qëndrestrarëve të përhershëm ka gjithnjë të rinj që vijnë disa orë a disa netë, sipas mundësisë. Ndaj ai shesh është i shenjtë sepse ka mundur të mbledhë këto ditë e netë, ata që e ruajnë të pastër ndërgjegjen e tyre.

Ka kaluar mesnata, turnet janë ndërruar, një erë e lehtë fryn, kur  e pyes Naimin se si u ndje ai sonte në krahasim me shfaqjen e janarit.  “Sonte ‘Artisti i vetëm’ barti një mesazh tjetër. Edhe këta artistë janë lënë vetëm nga kolegët e tyre. Ata të ashtuquajtur kolegë për shkak të interesave, shantazheve dhe konformimit me të keqen. I lënë vetëm kolegët, nuk reagojnë, heshtin. Dhe janë indiferentë; po si mund të jesh indiferent në një situatë si kjo? Se kur je indiferent në një situatë si kjo në fakt je me pushtetin”.Biseda vazhdon disa minuta mbi konformizimin, artistin dhe vendin e tij në shoqëri. Se çfarë mëson nga arti dhe se si arti ka si detyrë, mision, a mënyrë të të qenit denoncimin e padrejtësive e grisjen e propagandës.

I cilëson të tmerrshme postimet e kryeministrit ku përdoren citime artistësh. “Mbi të gjitha artisti ka shpirt rebel. Nuk mund ta shesë rebelizmin e tij ai që e ka. E shet vetëm ai që nuk e ka. Ai që e ka nuk e shet dot. Ata që janë shitur nuk janë artistë. Erdhi një moment që u bë një laborator i madh, u futën të gjithë në të dhe u mor vesh kish është artist e kush nuk është”, thotë Berisha.E pyes nëse deri vonë të gjithë luajtën rolin. “Absolutisht. Ose ata kishin një perde që s’na lejonte t’i shihnim. Unë s’kam mundur të rri indiferent kur ndodhi përplasja. Atë ditë unë mendova çfarë mund të bëja unë? Të vija vetë nuk kishte vlerë sa ç’kishte reagimi i sindikatës”.

I them nëse çështja e teatrit e theu mitin e madh se artistët janë ndryshe, qenie më të përkora, me shpirt idealistësh që nuk stepen, që nuk ndalen. A u thye pra miti? Ata nuk janë ndryshe. Ata janë si ne. Krejt të zakonshëm. Ata kanë një çmim. Ata shiten dhe blihen. “Nuk janë të tillë. Artistët i kanë rrënjët të thella shumë. Pseudoartistët janë të tillë. Shiten si artistë por tregojnë se janë pseudoartistë. Fatkeqësia e madhe që i ndodh dhe Hans Klipit në shfaqje është se kupton që rreth vetes ka më shumë pseudoartistë.  Dramën artistëve ua krijojnë pseudoartistët. Ku ka dramë më të madhe se sa këtu; këtu njerëzit sakrifikojnë, derdhin lotë, pushtohen, zvarriten dhe kryeministri përdor kolegët e tyre dhe ata thonë po ‘ashtu është”, thotë Berisha.Ai thotë nuk duhet menduar se në mbrojtje të teatrit janë pak njerëz e pak artisti, thotë se duken pak por janë shumë në fakt. Kujton se dikur në Kosovë, ka mbetur vërtetë vetëm. Kujton se teatri në Kosovë ishte “shembur nga brenda” sa i ndalua hyrja edhe Bekim Fehmiut.

Personazhi i monodramës, Hans Klip, gjatë prezantimit të fundit të zgjedhur prej tij para publikut rrëfen jetën e tij, momentet kulmore artistike në të shkuarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të tekstit Hans Klip vetlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit. Vepra bën thirrje përmes mesazhit të saj për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës. “Vendosa ta kaloj natën në shesh, në mbrojtje të teatrit, sepse e ndjej. Ka kurtizanë dhe artistë. Unë dua të jem artist”. Biseda vijon me arrivistë e idealistë. Nata është e gjatë dhe kur agu vjen bota është e zhveshur. Shpirtrat e lirë kanë një aureolë drite, ndaj në netë të errta dinë gjithnjë të gjejnë rrugën e drejtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.