AKTUALITET

Bashkëmoshatari im… Të vramë të gjithë nga pak

12:45 - 24.08.19 Nga Fatjon Gjinaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk e kam për zakon të publikoj në këtë profil imazhe njerëzish që jetojnë në një botë tjetër prej kësaj ku ne llomotisim e dërdëllisim gjithë ditën por që në fund mbase jemi viktima e fundit e krismës së radhës në pabesi, paburrni, pagjyqësi, pa zakon, sidomos të të panjohurish… por brejtja e ndërgjegjes dhe ngulitja në mendje e këtij portreti nuk më linte rehat pa thënë se sa fort më dhemb mungesa e forcës, besimit, shpresës; se sa më dhemb kjo dhembje.
Ky Gusht ishte i përgjakshëm e kushedi ç’gjak largqoftë do të pastrojmë nesër në trotuar, shesh, kafene, kazino, rrugë, kanal, brenda ndonjë kishe a xhamie se tek e fundit kur nuk ka mbetur më asgjë tjetër nga NJERIU edhe ZOTI do jetë zhdukur, e ku ndonjëri prej nesh, që mbase i ka thënë dy llafe për Indritin, do të jetë vetë një “Indrit”.




Mbase do të jem unë e pasnesër, dikush do të zhbirojë në këtë profil e t’i gjejë këto fjalë ku më pas faqet e para të gazetave të mbushen me “ç’farë tha i ndjeri për të ndjerin, lexoni fjalët e ndjera”.

Mbase do jesh ti, po ore po, ti dhe mos u prek as mos u fërko fare, bash ti që hesht, që gërrhet me kokën poshtë jastikut duke lutur Zotin edhe në ëndërr që të mos jesh ti, por e sigurt që ti do të jesh.

Mbase do jetë dikush që do të na e bëjë zemrën copë e jetën ferr, të na dalldis nëpër makthe me lugetër duke lutur vdekjen në dhimbjen sublime me fjalët, “eja më shpëto”.

Mbase do të jesh edhe ti që nuk mendon asnjërën prej arsyeve se mbase një ditë për një arsye të paqenë, mund të jesh.

Por kushdo qofsh, do të jesh NJERI, dhe ne do të vajtojmë mbi trupin tënd, Zot ndjemë, jo më shumë për kobin e ikjes tënde se sa për tmerrin e qëndrimit tonë.

Ai që ne i kemi dhënë emrin shtet, nesër mund ta mbyll këtë çështje duke dhënë shembullin e forcës e jo forcën e shembullit siç premtuan tash e 30 vjet; të shembin një vilë pa leje nën rrënojat e të cilës ka njolla gjaku të një djaloshi të prerë në besë. Dhe historia mbyllet. Dhe njeriu ikën nga kjo botë pa e dëgjuar kurrë nga goja dhe ligji i shtetarit dhe i shtetit fjalën: “Mos vrit o shqiptar”!
…Vrarë në derën e shtëpisë të një shqiptari të ri që po shumohet si fara e dreqit e që nuk ka asnjë lloj lidhje me shqiptarin. Se shqiptari nuk pret në besë, në banesë nuk ka vrarë as hasmin, nuk përballet me kundërshtarin që s’ka me se mbrohet. Shqiptari nuk e vret lulen e rinisë. Shqiptari rininë e kishte Lter’ë, faltore, Zot tek i cili varte armën e shpresës, varte shpresën e armës për të mbrojtur vatanin, nderin, shtëpinë, Atdheun…

Më fal Indrit, moshatari im që sot jo për fajin e meritën tonë gjendemi padrejtësisht në kohën dhe vendin e paduhur. Më fal që nuk vendos dot drejtësi për ty pasi edhe të dal nesër në shesh nuk mundem sepse do t’iu tregoja hienave se sa i dobët jam, sepse i dobët do të isha vetëm qyqe. Por Indrit, as tërrt s’më bën syri sikur krisma e radhës të ndodh njëherësh me frymëmarrjen time të fundit nëse ky është çmimi i të vërtetës: Të kemi vrarë të gjithë nga pak, dhe pjesë e të gjithës ishe edhe vete, njësoj sa ç’pjesë kam unë në vrasjen tënde, ke edhe ti. Po Indrit, ne po vrasim veten pak nga pak.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.