Show-Bizz

Shkëndije Mujaj rrëfen ndalesën në muzikë: Prindërve ua ndërtova unë shtëpinë

10:02 - 24.08.19 gsh.al

E mësuar me jetën e bukur të luksit, Shkëndije Mujaj provoi dhimbjen më të rëndë, atë të humbjes së nënës, ngjarja e cila i tronditi qenien. Për këtë arsye, ajo ka ndaluar së bëri muzikë dhe rikthimin do t’ia dedikojë vetëm asaj. Për “Panorama Plus”, ajo rrëfen jetën në showbiz, edhe pse është vajza e një akademiku të njohur në Kosovë, anën e errët të famës dhe çfarë fshihet pas pamjes së saj tërheqëse.



Në muzikë ke qenë e pranishme shpeshherë me projekte vërtet të guximshme. E ke menduar si do të jetë rikthimi yt, duke qenë se gjithmonë ke qenë ndër të parat që ke guxuar?

Pas vdekjes se nënës sime, automatikisht jeta ime mori drejtim tjetër. Kështu, edhe në aspektin muzikor mendoj se do ta konceptoj ndryshe rikthimin, pasi e para këngë pas kësaj humbjeje i është kushtuar nënës.

Me cilin këngëtar shqiptar do të doje të bëje një duet provokues?

Për këtë pjesë është moment jo i përshtatshëm për mua.

Në këtë treg, ku shumë këngëtare tërheqin vëmendjen me perfomanca seksiste, ti si e sheh veten mes tyre?

Origjina e fjalës seksiste ose sexappeal në shpjegim përbëhet nga fjala seks dhe tërheqje. Të dyja fjalët rrjedhin nga latinishtja, me fjalën origjinale “Appellare”, që do të thotë apel. Duke qenë se apeli seksual dhe atraktiviteti bazohen më shumë në perceptime subjektive sesa në fakte objektive, kjo gjë nuk është relevante për mua që të kem një epitet të tillë, kur mbrapa fshihet diçka më shumë.

Cila është ana e errët e personazheve publikë apo të famshëm? Çfarë shkon keq në gjithë atë jetë mes dritash që shkëlqejnë?

Reflektimi i një personi të famshëm ka dy anë, të cilat duhet të dish ose të mësohesh t’i menaxhosh. Së pari, dashuria që kanë njerëzit për ty, ata që ta kanë xhelozi suksesin tënd dhe në vazhdimësi, stresi që përjeton dhe si pasojë, me kalimin e kohës, vërehen dukshëm disa sëmundje, ose në rastin më të mirë fshihen në personalitetin e dikujt që jeton me famën. E, më në fund ,nëse ato nuk trajtohen në mënyrë profesionale, mund edhe të kenë një përfundim të dhimbshëm siç janë: ADHD, Sindromi Zappelphilipp, çrregullimi i mungesës së vëmendjes, çrregullimi obsesiv-komplusiv, depresioni që fillon kur e lë veten pas dore, pra, bëhesh objekt, si robot, duke harruar shpirtin dhe të qenurit njeri. Po ashtu, çrregullimi i ankthit, çrregullim bipolar e të tjera probleme, që shumica përpiqen t’i shmangin me alkool, drogë, tableta, etj.

Nga jeta jote kujton dot ngjarjen më të bukur dhe atë më të dhimbshme?

Ngjarja më e bukur ishte kur arrita t’u ndërtoja një shtëpi të bukur nënës dhe babit tim. Kjo ishte ëndrra e fëmijërisë, pasi ne jetonim në një shtëpi të vogël dhe shumë të thjeshtë. Ngjarja më e hidhur ishte humbja e nënës sime, nga e cila akoma nuk e kam marrë veten e të kthehem si më parë.

Je vajza e prof. dr. Hasan Mujaj, një akademik i njohur në Kosovë. Të ka kërkuar ai që edhe ti të jesh pjesë e një jete më serioze dhe akademike, pram larg showbiz-it?

Zoti më bekoi të jem vajza e prof. dr. Hasan Mujajt. Gjithashtu, një njeri i të gjitha kohërave, pasi më modern është babi im sesa djem të rinj që kanë lindur në shekullin e fundit. E preka këtë fakt pikërisht se serioziteti s’ka të bëjë me veshjen dhe zhveshjen, por pas saj fshihet një intelekt me largpamësinë e të të parit brenda njeriut e  jo çfarë ka veshur ose pse ka një paraqitje ekstravagantenë skenë. Kështu që nga këto komplekse ai është i çliruar, sepse mbi të gjitha me një vajzë si Shkëndije me virtyte njerëzore dhe moral në të tjera aspekte, pyesni babin tim se ç’do ju thotë për mua. Dhe nuk ka mundësi assesi që të mos e gëzojë gjenetikisht inteligjencën ose më mirë të them dashurinë për librin dhe diturinë në vazhdimësi. Por, a do të kem edhe unë shtatë vepra shkencore si babi im? Kjo mbetet të shihet! Sidoqoftë, secili prind i dëshiron fëmijës dijen, sepse është thesar i pashtershëm, që nuk mbaron kurrë, madje edhe pas vdekjes!

Je komentuar si këngëtarja e ekstremeve, pasi përveç ekspozimit të vitheve, të shohim edhe të mbuluar me shami?

Çdo njeri ka faza të ndryshme në jetë që nga fëmijërinë pubertiteti, rinia. Pastaj faza e pjekurisë, ku mund të jetohet sipas mundësisë dhe rrethanave që të ofrohen. Natyrisht, edhe unë, duke pasur të gjitha mundësitë, kam jetuar në ekstreme ose më mirë të them duke menduar se kemi vetëm këtë jetë. Me kalimin e kohës, kur arrin t’i përjetosh të gjitha, fillon dhe mendon: A është kjo e tëra apo ka edhe diçka? Duke u thelluar në mendime dhe shumë pyetje ku nuk gjen përgjigje, fillon e studion mbi universin dhe natyrisht të lindin pyetjet: Ku do shkojmë pas kësaj jete?! E duke qenë se ne nuk u pyetëm kur erdhëm në jetë, e kupton thjesht se ke një afat jete, je i limituar dhe nuk ke shumë kompetenca, përveç një vullneti të lirë për të bërë keq ose mirë. Kur nuk je i udhëzuar, as prindërit nuk janë të udhëzuar, fëmija automatikisht është i humbur. Ekzistojnë mundësitë që madje disa prindër i shfrytëzojnë fëmijët, duke i futur në rrugën e materializmit, gjë që e përjetoi edhe Michael Jackson. Duke u bazuar në burime të sigurta dhe video-materiale të një shokut tim që kishte miqësi private, mund ta shoh si shembullin konkret pse njeriu ka nevojë për një Zot. Kështu që edhe unë fillova duke e kërkuar atë dhe e kam gjetur. Ose më mirë të them, më gjeti mua të humbur dhe më udhëzoi zemrën për të dashur Atë dhe asgjë më shumë.

Paraja të bën të lumtur apo prej saj ke provuar gjëra në jetë, që s’duhet t’i provoje?

Paranë e shpenzon secili sipas mundësisë që ka. Paraja të mundëson të kesh standard më të lartë material, por kurrsesi standard të lartë shpirtëror. Sa më shumë para, aq më shumë do jemi duke lundruar në botën e përkohshme, ku e vetmja gjë e garantuar është vdekja. Të tjerat sot i ke, nesër mund të mos i kesh më. Pra, duhet të mësohemi të jetojmë të sotmen dhe kurrsesi të mos bëhemi robër të së ardhmes, sepse është e panjohur për ne. Secili mund të ketë provuar çdo gjë, të cilën mund ta paguajë. Por, kurrsesi, ajo nuk ta plotëson ndjenjën e brendshme, të cilën nuk mund ta blesh me para, pikërisht lumturinë shpirtërore.

Për ta shijuar jetën plotësisht, çfarë duhet të provosh?

Për ta shijuar më në fund lumturinë, duhet të njohim krijuesin dhe vlerën që na dha. Por edhe të luftojmë e ta mundim lakminë dhe egon, për të kuptuar sa e madhe është vlera jonë, pra, të qenurit njeri e jo t’u ngjasojmë shtazëve që vetëm nga logjika dallojnë prej nesh. Pra, njeriu ka logjikën të mendojë, meditojë dhe ta dijë vlerën e asaj që e bart mbi supe. Asgjë nuk është krijuar shkel e shko, por me një qëllim të caktuar! Pra, thjesht jemi në një udhëtim dita-ditës./Panorama Plus

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *