DOSSIER

1970/ Historia e qëndresa e një gruaje që përgjohej nga 7 veta në kamp e në burg

10:50 - 25.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gratë që raportojnë për të nga qelitë dhe miqtë që tregonin bisedat e saj




Nga Fatmira Nikolli

Këta po na përdorin tamam si kafshë, dhe nuk kanë pikë mëshire. Ne që jemi këtu njesoj do të ngordhim si qentë si disa që ndihmojnë komandën dhe kanë privilegje dhe ne të tjerët që s’kemi privilegje”. Janë vitet 1970 kur Tefta Koço Tasi raportohet të ketë thënë këto fjalë. Është e re, e bija e një parlamentari, motra e një artisti dhe gjendet në burgun e Belshit. Vitet e bukura të jetës së saj janë larg. I shënohet çdo fjalë, çdo psherëtimë, çdo ankesë. Por ajo nuk e di. Mbase edhe po. Është një shpirt i lirë i ndryrë brenda kafazëve ideologjike e atyre prej hekuri.

Është dënuar për agjitacion e propagandë dhe këto fraza janë vetëm të njërit prej agjentëve që raportonin për lëvizjet e fjalët e saj. Në total gjenden raportime nga 7 njerëz të ndryshëm për të- edhe kur është në burg.

Në fillim e kanë internuar dhe më pas e kanë dënuar për agjitacion e propagandë. Ata që e spiunojnë janë njerëz si ajo, me gjasë i ka miq, ndaj ajo flet lirshëm, pa drojë. Tefta Tasi nuk e di që sëpata që pret lisin, është prej druri lisi. Ajo, nuk duket se ka zënë mend as në internim.  E gjetur mes një skamjeje të mjerueshme, e mbyllur në një vend pa të drejtë ikjeje e vetmja që i mbetet është shpresa e marrë, të dëgjojë radiot e huaja dhe të mbetet vetvetja. Në kohë shkërmoqjesh të mëdha shoqërore, kur vlerat bien e në fron ngjitet ajo që qe e ulët, ata që ia dalin të qëndrojnë pa u shpërbërë, shenjojnë vetëdijen e një kombi. Tefta këtë duhet ta ketë ditur. Gjithësesi ata që si ajo nuk mposhten nuk bëjnë dot ndryshe. Për ta ka vetëm një mënyrë të qenuri, të jesh lisi i vetëm jo shelgjet bashkë.

Ishte rritur në një familje të mirë. E bija Koço Tasit, parlamentar ishte vetëm një prej grave që kanë vuajtur dënimin në komunizëm për shkak të asaj që mendonin. Të mërkurën në Belsh, Autoriteti i Dosjeve kujtoi disa.

Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i AIDSSH,  bëri një pasqyrë të përndjekjes së Sigurimit në zonë, duke trajtuar materialin arkivor të shfrytëzuar nga Autoriteti për takimin e Belshit. E nisi me një historik të asaj që qe burgu i grave.

Vrioni tha se në vitin 1966 u ngrit reparti i parë për burgun e grave ne Qytetin Stalin, nr.318. Më parë ne çdo burg kishte dhoma te  veçanta per gratë. Ky burg ne vitin 1976 u zhvendos ne Kosove, Belsh dhe shërbeu për gratë deri në vitin 1990. Në burgun e Kosovës shumicë ishin të burgosurit ordinerë dhe në një përqindje minimale gra të burgosura politike.

BURG E SPIUNIME

Në vitin1975 Tefta Tasi internohet ne Grabian të Lushnjës bashkë me familjen. Katër vite më vonë, në vitin 1979 merret nis përndjekja për agjitacion e propagandë. Sipas Vrionit, dosjet pretendojnë se Tefta zhvillonte veprimtari armiqesore në dy drejtime. Gabimi i parë ishte në drejtim të gjendjes ekonomike “sikur ekziston fukarallëk dhe varfëri e plotë” dhe gabimi i dytë ishte dëgjimi dhe komentet e lajmeve që dëgjonte ne radio stacionet e Italisë. Miq me të cilët ajo është shprehur kanë raportuar se Tefta Tase ju ka thënë që “ushqehet me to, din gjuhln mirë dhe dhe në këto stacione ka se çfarë te dëgjosh, ndërsa tek ne dëgjon vetëm këngë për punën, luftën dhe sportin”.

Përtej asaj që vetë Tefta shprehte, duket se nuk kanë munguar provokimet. Kur pseudonimi “Zambaku” e pyeste Teftën a është “Ollivudi qytet i artisteve”, ajo përgjigjej se po dhe se ai qytet “tashmë e ka humbur rëndësinë e vet ne Amerike, nuk më kujtohet emri, është ndërtuar nje qytet tjetër  shumë më i bukur”.

Vrioni tha të mërkurën se pas dëshmive të tilla, më 31 gusht 1979 nis demaskimi i Teftës per veprimtari armiqësore për krimin e agjiacion propagandës kundra partisë e Pushtetit Popullor, në Sektorin e Grabianit. Pak muaj më vonë, më 17 nëntor të vitit 1979 përgatitet arrestimi i Tefta Tases. Dënohet me 8 vjetë heqje lirie. Por burgu nuk qe shpëtim nga përgjimi. Sistemi e vijoi përndjekjen edhe në qelitë e errta të burgut.

Operativët dhe rezidentët në burg raportonin për çdo lëvizje brenda ambjenteve të Burgut të Grave ne Kosove, Belsh për Tefta Tasen. Prej tyre mësohet se Tefta shprehej se i kanë pëlqyer shumë programet televizive duke i ndjekur deri në orët e vona të natës, sidomos ‘Jugosllavi’. Ajo fliste edhe për jetën e grave jashtë vendit duke marrë shembull Italinë. Thoshte se “gratë jashtë shtetit kur arrijnë moshën 50 vjeçaree janë t mbajtura shumë mirë dhe duken si të reja. Kurse këtu në Shqipëri duken të plakura nga puna e rëndë që bëjnë, po kështu në Itali kujdesen shumë për sëmundjen e kancerit dhe çdo grua patjetër vizitohet brenda 6 muajve per një gje të tillë, diçka e tillë nuk bëhet ne Shqipëri” thotë Skënder Vrioni.

Ajo provokohej dhe përgjigjej ndërsa ata që e raportonin shënonin se me deklaratat e saj Tefta bën  propogandë armiqësore në radhët e të dënuarve.

Ankesat e saj kishin të bënin edhe me ushqimin. “Këtu ku jemi, këta na sillen shumë keq si në punë dhe kur vijmë nga puna na japin një gjellë që se  ha as qeni, por sflas me shumë se këta të shtojnë dënimin se gjë tjetër s’kanë se çfarë të na bëjnë, veçse me na marrë shpirtin”.

Mandej biseda e agjentëve sillej deri te politika ndërkombëtare.

Kur një prej tyre i tha Teftës se situata ndërkombëtare  është shumë e ndërlikuar ndaj ekziston mundësia e luftës nga imperialistët, Tefta e kundërshtoi duke thene, “Asnjeri nuk e do luftën, as revizionizmi as imperializmi se dhe ata e kuptojnë shumë mirë, se në qoftë se do të fillojë lufta do të shkatërrohet e gjithë bota, prandaj imperialistët nuk do të shpallin luftën”. Deklarata e saj interpretohej në dëm të saj pasi operativi  shkruante se  Tefta Tase nuk beson në shtypin tonë dhe imperialistët dhe revizionistet sipas saj nuk jane luftenxitës”.

Vrioni në fund të fjalës së tij tha që në formë statistikore janë pesë raportues  e  2 rezidentë që kanë ndjekur dhe kanë dhënë informata për Tefta Tasen vetëm gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në Burgun e Kosovës, Belsh.

Në nëntor të vitit 1982 ajo lirohet nga burgu dhe vendoset me banim në Grabian të Lushnjes gjithnjë duke u përndjekur.

Miq të vëllezërve të saj janë lënë të zbulojnë se ç’mendon Tefta pasi ka dalë nga burgu. Përgjimi i saj është mbyllur vetëm më 11 qershor 1991.

Ajo arriti ta tregonte deri në fund dinjitetin e saj përballë autoritarizmit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.