Homo Albanicus

Gjermanët i shpëtoi psikanaliza, po neve ndaj komunizmit?!

11:40 - 25.08.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Teksa koha kalon, tek të gjithë njerëzit ka në dukje një zbehje reale të efektit të madh psikologjik që la diktatura komuniste. Arsyeja është fare e kuptueshme: njeriu dalëngadalë kalon në një moshë (ata që kanë vuajtur direkt), ku i duhet të mendojë më shumë për përballjen me vdekjen. Në atë stad që është shoqëria shqiptare dhe strukturat që kanë ngritur organizmat qeveritare për shërimin e kësaj plage jo të vogël, nuk ka ndonjë zgjidhje, përveçse deridiku dëmshpërblimit të pakët material. Ndërkohë funksionet e njerëzve direkt të vuajtur nga ana fizike, sociale dhe psikologjike kanë filluar të bien. Përveçse dy-tre datave, ndonjë aktiviteti që i thërret të mbijetuarit e tmerrit komunist të thonë dy-tre gjëra, ata mbeten krejt të harruar. Pas kësaj, syresh fillojnë të kujtojnë ngjarjet e vjetra mes komunitetit të tyre, ku ata ndiheshim plotësisht të pafuqishëm dhe njësoj vazhdon dhe në këtë kohë. Harrimi mbulon gjithçka. Por, me sa duket lehtësimi i vërtetë është harresa dhe pastaj vdekja, kurse për më të rinjtë droga dhe alkooli.

Ata që janë ende të gjallë e konfuzojnë më shumë të gjithën sepse mundohen të tregojnë aspektin “e aventurës” së tyre dhe sesi ata vuajtën por “e mposhtën” komunizmin duke shtuar dhe shumë elementë të paqenë. Të tjerë manipulatorë shtojnë kontributet e tyre kundër komunizmit të cilat nuk i di dhe nuk i vërteton dot askush, pasi nuk ekzistonin realisht desidentët e vërtetë. Koha jonë është e mbushur me kinse të tilla.

Hartmut Radeford, një psikolog gjerman, që është marrë me pasluftën do të shtojë për këtë problem në një intervistë se: “Kur tregohen histori, përmbajtja ndahet nga ndikimi. Individët mund të tregojnë histori nga kohërat e vjetra, por ato nuk kanë më lidhje me atë që ata vetë ndjeheshin në atë kohë”.

Ndoshta me një koeficient mund të hidhet pak dritë për një lidhje të asaj që u bë në Gjermani pas L2B për denazifikimin dhe sot ajo që po bëhet tek ne për dekomunistifikimin. Është e vërtetë që me problemet e mëdha që ka Shqipëria, kjo problematikë ka kaluar në kalenda. Kërkesat e grupeve të interesit për një sërë masash ndaj komunizmit pothuaj janë harruar, ashtu si zhurma e madhe për gjetjen e eshtrave të të rënëve, që u përdorën me aq bujë nga struktura e re e parlamentit, sa i përket të përndjekurve është fashitur.

Gjithsesi, Gjermaninë e shpëtoi përballja me Aleatët, logjika e fshirjes së luftës me elementë realë dhe sidomos vetja e tyre. Mes të tjerëve nuk duhet të harrojmë se disiplina e psikanalizës i ndihu gjermanët kryesisht të gjenin veten në përballjen e vështirë dhe tejet traumatike me të shkuarën naziste. Një libër i asaj kohe, me titullin “Pamundësia për të mbajtur zi”, botuar në vitin 1967 do trandte shoqërinë gjermane por sidomos studentët për të parët e tyre dhe kontributin nazist të familjarëve, që e kishte shpërfytyruar botën. Ai i parapriu deridiku he ngjarjeve gjermane të vitit të stuhishëm’68. Në fakt, dhe kjo u kritikua më vonë, pasi gjermanët besonin se më shumë nga të gjitha të tjerët ata ishin të paralizuar emocionalisht, duke iu referuar me fjalëve të sociologëve të tyre.

Le të kthehemi për një çast te vendi ynë, ku sot janë të paralizuara studimet reale dhe masat që lidhen me kujtesën, kurse nuk duhet të harrojmë se vendi është ende i lëkundur për dekomunistifikimin. Në fakt, nuk mund të ndodhë ndryshe, pasi individë të tij janë ende në fuqi dhe madje në të gjitha partitë politike moderne. Apo të shtojmë kontributin e vetëdijshëm të medias që duke treguar kinse vuajtjet dhe traumat e atyre që e bënë këtë katrahurë kanë bërë as më pak e as më shumë relativizimin e pasojave të vërteta të komunizmit duke na parë të gjithëve njësoj.

Ndaj në këtë tollovi, dekomunistizimi kërkon një angazhim të gjithë shoqërisë dhe një vullnet për ta përmbushur. Është ende i dhimbshëm, por plotësisht i mundshëm për t’u realizuar. Pasojat janë të kudondodhura: Shqiptarët kanë trauma të mbartura prej jetës në komunizëm dhe të gjithë derivateve të tij. Shqiptarët nuk kanë fare besim te vendi i tyre dhe të gjithë ne

jemi të pasigurtë me modelet tona. Me sa duket pas dere është ende i qetë gogoli komunist që gërhet i qetë dhe i patrazuar. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.