KULTURË

Kisha e Balldrenit e shek.XIII ose kur një prift mund një shtet

10:24 - 26.08.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Fatmira Nikolli




Unë e kam njohur Dom Nikë Ukgjinin kur ai rrekej të rijetëzonte Kuklin e Ndre Mjedës, kishën dhe muzeun e poetit. Pasi u mblodhën fonde për to një luftë e madhe duhej vetëm për një tabelë në rrugën nacionale ku shenjohej që në ato anë kish jetuar dikur Ndre Mjeda. Në Shqipëri duhet të lëvizësh malet që të dalë dielli, përndryshe në një vend normal dielli ka lindje e perëndim. Ne nuk jemi vend normal.
E mbaj mend që atëherë pa pikën e drojës merrte në telefon orë e pa orë, kërkonte numra telefoni, pyeste, informonte. Dhe mirë ia bënte. Ai e dinte që ne nuk e lëmë diellin të dalë. I vëmë mal përpara.
Mandej u mor vesh skandali i varrezave të Rrmajit. Po vidhnin tokë varresh për ta shitur për varre. Duhej lëviz prapë mali dhe shteti për këtë nuk lëviz gishtin. Shteti merret me shkresa. Nga një zyrë në tjetrën, mandej diku rruga e shkresave humb dhe mali e zë diellin. U deshën edhe për Rrmajin njerëz që shtynin malin që të ndalohej ‘sakrilegji’ i shitjes së varreve bashkë me eshtrat. Mandej erdh një kohë që meshtarë me besim se mali lëviz u morën t’i vinin në mbrotje. E mori në dorë qeveria e dihet si shkoi: u restauruan, u bë ceremoni madhështore dhe në fund u mësua se mes punës së mirë restaurimi i kishte bojatis varret Kolë Idromenos e Marubit.
Tani ka një vit që Dom Nika merret me kishën e Balldrenit. Objekt i shek XII-XIII, monument kulture me murale të mahnitshme e ku thuhet se “Darka e fundit” e mureve të Shën Premtes së Balldrenit është më e vjetër se e Da Vinçit. Kisha po shkërmoqej, shiu që binte jashtë i lante muralet. Për këtë kishë, i njëjti prift, vetëm mua më ka marrë dhjetra herë që të më shpjegojë si është, për se ka nevojë, ose për të më pyetur për njerëz e numra telefoni. Ai nuk ka lënë gur pa lëvizur (jo vetëm ai ka edhe meshtarë të tjerë që rrinë në hije duke i bërë punët pa rënë në sy). Mali filloi të tundej. E panë kishën (çudi si ishte fshehur deri tani) dhe më pas shteti tha: s’kam para. Pra shteti që do të ndërtojë rrugë me 330 milionë euro, shteti ku kompani nafte shkaktojnë dëme që shkojnë 700 milionë euro, shteti që u jep jahteve të multimilionerëve naftë me 0.76$ litrin pa taksa, akciza e tatime, shteti që paguan gjoba të gjykatës së Strasburgut më shumë se 100 milionë euro, nuk ka para për stadium, as për teatër, nuk ka as për kishën monument kulture. Ashtu si shteti as Dom Nika nuk kishte para.
As ipeshkvia e Lezhës jo e jo. Por ja që Dom Nika dhe ipeshkvia i gjetën me donatorë e besimtarë për kishën e Balldrenit, shteti jo. Ja pra një prift që mund një shtet. Le të kuptohemi. Ai prift nuk është hero as shpëtimtar. Ai e çmon këtë kishë dhe bën më të mirën sipas tij, ashtu siç di ai. Ai nuk është as specialist trashëgimie, as arkitekt, as restaurator. Ai nuk po kërkon vota. Nuk del as të mbjellë pemë. Hierarkia e kishës është e tillë që ai nuk e bën këtë as për karrierë, as për medalje, as për t’u dekoruar. Të kuptohemi prapë, ruajtja e kishave me rëndësi historike për Shqipërinë nuk është punë priftash. Përkundrazi. “Puna” e priftit mbaron te mesha dhe famullia e tij. Thënë kjo, ai famulli ka Kuklin e Mjedës jo Balldrenin. Pra Dom Nika nuk është hero, e ruajtja e kishave s’është punë priftash, por ndërsa shteti fle, herë nga pafuqia, herë nga mungesa e vullnetit, herë se s’ka ‘krahë pune’, herë se ska makinë, herë se s’ka naftë, kisha po shembej e dikush duhet ta lëvizë malin. Dhe Dom Nika këtë di të bëjë, të këmbëngulë. Në mënyrën e vet. Në fund të fundit ai bën një punë pa e pasur detyrë, në një vend që detyrën e vet pakkush e bën. (Dhe bashkë me ipeshkvinë e Lezhës kanë nisur mbledhjen e fondeve me donatorë për kishën e Pllanës, po kaq magjepsëse sa e Balldrenit, një ndër shkollat e para shqipe e në po kaq nevojë të dhimbshme për të ndërhyrë te muralet e saj).

Shteti është i mirëpritur në përurim. Me gjasë do ketë ceremoni madhështore. Kur dielli të ketë dalë, prej atyre që nuk lëvizën gishtin për të lëvizur malin video e foto do qarkullojnë për të na uruar mirëmëngjes. Dom Nika do i kthehet ‘anonimatit’ të vet dhe shpëtimi i kishës (nëse restaurimi bëhet mirë) do jetë një nga punët e qeverisë. Kjo e fundit, edhe po nuk u bë mirë restaurimi prapë do ta shesë si sukses. Dhe prapë në kushtet tona shteti duhet falenderuar që hartoi projektin e zgjodhi zbatuesin. Shteti që deri tani flinte më së paku duhet ta supervizojë që duke dashur ta shpëtojnë të mos e zhbëjnë. Mos i ktheni punët në varre (si të Rrmajit).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.