Intervista

Zgjidhja e krizës, Gjosha: Të gjitha partitë të pranojnë 13 tetorin

16:35 - 29.08.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish- ministrja e integrimit dhe ish -deputetja e LSI-së Klajda Gjosha akuzon Kryeministrin Edi Rama për situatën kaotike ku ndodhet vendi. Gjoshta thotë për “Gazeta Shqiptare” se zgjidhja e krizës është dhënë nga Presidenti me datën e re të zgjedhjeve në 13 Tetor. Ajo apelon që këtë  datë duhet t’a pranojnë me përgjegjshmëri të gjitha palët politike. Sipas saj vetëm zgjedhjet e lira dhe me alternativë mund të zgjiodhin krizën e thellë politike. Klajda Gjosha ka bindjen e plotë se zgjedhjet e parakohëshme janë të pashmangshme për ti dhënë frymëmarrje vendit. Zj.Gjosha shprehet se “sa më parë t’i pranojë Partia Socialiste aq më shumë do të ndihmonte edhe vetveten, përvecse gjithë qytetarët shqiptarë”.




Nga Valentina Madani

Zj.Gjosha pse vendi ndodhet kaq gjatë në situatë krize?  

Kemi krizë të tezgjatur sepse fatkeqësisht politika jonë është e pamaturuar për të vetëzgjidhur krizat. Arroganca qeverisëse është shumë e madhe, duke shpërfillur cdo shqetësim qytetarë dhe është për të ardhur keq sepse vendit sot i mungon qeverisja, i mungojnë institucionet! 

Opozita akuzon se politika është e kriminalizuar duke denoncuar edhe me emra konkret të pushtetarëve të lidhur me krimin.  Por si mund tu vihet ‘fre’ personave me rekorde kriminale?

Kjo është një çështje serioze dhe një kauzë e opozitës prej shumë kohësh tashmë. Nuk mund të mendohet që institucionet shqiptare të administrohen nga persona me rekorde kriminale. Ajo ç’ka është edhe më e dhimbshme ka të bëjë me faktin që edhe pse kjo sot është një çështje kombëtare, maxhoranca vazhdon të promovojë figura me probleme nga e kaluara e tyre. Ky është një fenomen që duhet të marrë fund së pari me mekanzima të brendshëm kontrollues të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre mbi integritetin dhe profesionalizmin. Së dyti është çështje e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit shoqëruar kjo me funksionimin e drejtësisë, e cila duhet t’i trajtojë këto raste në mënyrë të pavarur dhe trasparente.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohëshme por duken të largëta pasi kryeministri Rama nuk tërhiqet…Cila do të jetë zgjidhja që ofron opozita në një situatë të tillë?

Mendoj se zgjidhja është dhënë nga Presidenti i Republikës me datën e re të zgjedhjeve në 13 Tetor. Është një datë që duhet pranuar me përgjegjshmëri nga të gjitha palët politike. Vetëm zgjedhjet e lira, të ndershme dhe me alternativë mund të zgjidhin krizën e paprecedentë që ka mbërthyer sot Shqipërinë.

A ka tratativa mes mazhorancës dhe opozitës për bisedime mes palëve me qëllim gjetjen e një zgjidhje…?

Deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim mes palëve dhe nuk mund të ketë bisedime të fshehta. Gjithcka duhet të jetë e hapur për publikun, transparente dhe me çështje që sot janë emergjencë dhe prioritete kombëtare. 

Po me faktorin ndërkombëtar? Cili ka qënë reagimi I tyre ndaj aksionit opozitar?

Faktori ndërkombëtar është ofruar disa herë për të negociuar zgjidhjen e krizës, si përfaqësues të Bundestagut ashtu edhe përfaqësues të OSBE. Ndërkombëtarët nuk komentojnë asnjëherë aksionet e partive politike, përfaqësuesit serioz merren vetëm me çështjet konkrete mbi bazën e të cilave mund të rinisë dialogu dhe që janë prioritete për Shqipërinë europiane dhe për shqiptarët.

Opozita nuk mundi ta rrëzojë me protesta Edi Ramën ndërkohë që do të rinisin sërish në shtator, madje sipas Lulzim Bashës edhe më të fuqishme. Përmes protestave, a do të provokojë sërish opozita zgjedhje të parakohshme për t’i shkurtuar ditët qeverisë ‘Rama”?

Protestat nuk janë thjesht synim për rrëzimin e qeverisë por mbi të gjitha ato janë thelbi i demokracisë për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të sensibilizohen në cështje që i shqetësojnë ata. Mendoj se opozita e ka arritur qëllimin e saj nëpërmjet përgjigjes masive që ka marrë nga qytetarët. Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme në këto momente dhe e vetmja zgjidhje që mund t’i krijojë frymëmarrje vendit.

Si e gjykoni qëndrimin e Presidentit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës? Po e ndihmon zgjidhjen apo po e thellon krizën me vendimet e tij?

Mendoj se Presidenti ka qënë i vetmi përfaqësues që është munduar të krijojë hapësirë për zgjidhje në mënyrë institucionale. Ai shmangu një përplasje civile në 30 qershor dhe unë mendoj se duhet vlerësuar për këtë. Këtu patjetër vlerësim meriton edhe opozita për retorikën paqësore me të cilën shoqëroi protestat e saj.

Z.Meta ka dekretuar 13 tetorin si ditën e zgjedhjeve lokale. Cili do të jetë qëndrimi I LSI-së në këtë rast? A do të hyjë LSI në zgjedhje pavarisht se PD ka deklaruar se nuk do bëhet pjesë e tyre sa kohë që Edi Rama është kryeministër?

Ne e njohim 13 Tetorin si datë legjitime të zgjedhjeve sepse respektojmë të vetmin institucion legjitim në vend që është Presidenti i Republikës dhe dekretet e tij në respekt të Kushtetutës. Fatkeqësisht institucionet shqiptare ndodhen nën urdhërat partiak të mazhorancës dhe gjithcka po rrjedh në krah të kundërt të zbatimit të ligjit. Uroj që kjo të ndryshojë në këto pak javë që na kanë mbetur sepse do të ishte e vetmja shpresë edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe mundësinë e celjes së negociatave.

A është në unison opozita në qëndrimet e saj sa I përket vijimësisë së aksionit opozitar? Kush po tenton përcarjen e koalicionit opozitar?

Mazhoranca është e vetmja që do t’i interesonte përcarja e opozitës por nuk ia ka arritur dot këtij qëllimi. Opozita është sot bashkë sepse vendi ndodhet në një emergjencë kombëtare dhe kërkon unitet për t’i dhënë fund një tranzicioni 30 vjecar që na ka shoqëruar në këto vite. Këto janë prioritete që na bashkojnë cdo ditë e më shumë.

Opozita kërkon dy palë zgjedhje njëherësh, parlamentare dhe lokale. Kur janë menduar ato dhe si mund të realizohen këto zgjedhje kur Edi Rama ka deklaruar se do të mbyllë mandatin e tij në 2021?

Duhet vullnet politik për ta bërë këtë nga të gjitha palët. Sa më parë t’i pranojë Partia Socialiste aq më shumë do të ndihmonte edhe vetveten, përvecse gjithë qytetarët shqiptarë. Ky është një mandat tashmë i marrë peng nga mazhoranca, është jo legjitim dhe si i tillë nuk mund të përfundojë në 2021. Është një mandat që humbi vlefshmërinë që në zgjedhjet e 2017.

Nëse zgjedhjet bëhet brenda vitit, është e gatshme opozita ti fitojë ato?

Kjo ishte mëse e qartë në votimet e 30 Qershorit. Opozita sot është forca më e madhe në vend dhe vazhdon të rritet cdo ditë. Zgjedhjet e ardhshme do ta zyrtarizojnë atë si zgjedhjen e vërtetë të shqiptarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.