AKTUALITET

Tani që e provova vetë, i kuptoj më mirë konviktorët!

15:19 - 31.08.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Nga Fjorda Llukmani

Thonë se ndryshimet janë gjithmonë për mirë, prandaj unë asnjëherë nuk druaj të bëj lëvizje qoftë edhe të pasigurta. Kësaj here vendi për të cilën do ju flas është lagja ime e re.




Në Vjenë ka disa opsione qiraje për studentët. E para është konvikti, pastaj apartamente ku jeton me persona të panjohur dhe ndan ambientet e përbashkëta. Këta të panjohurit të bëhen si familje pasi ndan një pjesë të mirë të kohës.

Për t’u pranuar në shtëpi të tilla duhet t’i shkruash personit që ka publikuar njoftimin online duke përshkruar veten. Nëse të pëlqejnë, të thërrasin për intervistë dhe t’i hedhësh një sy shtëpisë. Mua më ndodhi që 3 persona nuk më pranuan pasi gjoja kishin gjetur dikë tjetër, shkurt fare u jam dukur tip problematik meqë jam vajzë e lirshme. “Ah ta dini çfarë keni humbur”-thosha me vete. Por më në fund gjeta disa goca që më pëlqyen dhe dhoma e re kushtonte 160 euro më lirë se e para. Imagjino çfarë kursimi. Normalisht jo me të njëjtat kushte por s’ka gjë, unë përshtatem kollaj.

Kur kërkoja për shtëpi, u njoha me disa lagje të Vjenës që s’ma priste mendja. Më dukeshin tamam si në Stamboll.

Stacionet e trenave dhe metrove mbanin erë, të papastruara madje me plehra nëpër tokë. Gjatë natës s’kishte këmbë robi e dukej si biçim getto me çuna që edhe ta hedhin ndonjë ngacmim. S’isha ndjerë kurrë aq e pasigurt në Vjenë. Por ja që edhe në një prej qyteteve më të sigurta në Europë, ka përjashtime. Nuk janë aq mirë e bukur sa duken nëpër foto nga turistët.

Tek mblidhja plaçkat e shtëpisë m’u kujtua sa herë flisja me përçmim për të rinjtë që vinin në Tiranë për studime nga rrethet.

Gjoja si gocë Tirone unë me tangërllik që i kam gjetur gjërat gati nga prindërit, rrija e gjykoja jetët e studentëve që mezi ia dilnin të kalonin muajin. Shpeshherë jam bërë pjesë e bisedave ku flitet me përçmim për konviktoret. Por sot që po e kaloj vetë një situatë të tillë, iu kërkoj ndjesë nga zemra. Vetëm ju e dini ç’keni hequr me lëvizjet e shpeshta të plaçkave sa nga një shtëpi në tjetrën. Pa llogaritur që duhet nisur çdo gjë nga e para në një qytet metropol. Imagjino unë në kryeqytetin Austriak që jam fundi i kavallit. Kalova nga shiu në breshër.

Për transportin e rrobave shyqyr erdhi një shok që më ndihmoi se vetë s’i mbaja dot.

Morëm Uber, mjetin e transportit më të kollajtë të mundshëm në Austri.

Madje qëlloi super minivan Mercedez Benz.

Pastaj iu futa pastrimit në dhomën e re që ç’t’iu them! Në përgjithësi femrat e huaja janë super zhulse. Më shkoi gjysma e ditës duke larë me açe e me shkumë. Parvazet e dritareve s’i kishte prek me dorë ndonjëherë, pa folur për merimangat apo pluhurat e kaldajës që dukeshin që kur hyje në derë. Nga të bardha dukeshin gri fare. U bëj një thirrje çunave që të hapin sytë e t’i vejnë gishtin kokës se nuk ka si gocat shqiptare.

Ditën tjetër Edisa, një mikesha ime bloggere shqiptare që jeton në Vjenë, më ftoi për t’më njohur me lagjen. Tani jetoj buzë kanalit të Danubit, e mos kujtoni se nuk ekzistojnë mushkonjat.

Ka nga ato të voglat fare por që të bezdisin dreqin, por s’të hanë shumë. 2 min larg pallatit tim gëlon jeta me njerëz që dalin për vrap, çuna që bëjnë paralele, dikush që nxjerr qenin për shëtitje etj. Fiks për mua që e dua shumë gjelbërimin. Por, Edisa më njohu me anën tjetër të lagjes.

Pasi pimë kafen si lëng gështenjash, vizituam kopshtet e Pallatit të Liechtenstein. Një pallat kaq i bukur ndodhej 5 minuta larg shtëpisë time e unë s’dija gjë. Që prej 300 vitesh e deri më sot është pronë e familjes Liechtenstein.

Tipik klas vjenez! Duke qenë pallat i vogël s’para ka vizitorë turistë. Kryesisht jepet me qira për evente ose ture personale të prenotuara më parë. Shatërvanët, skulpturat, gjelbërimi dhe ikonat…oh nuk mërzitem kurrë duke i parë dhe pse ndonjëherë më duken të gjitha njëlloj. Diku pranë kopshtit gjendej dhe një park lojërash për fëmijë. Vetëm t’i shikoje sa të kënaqur loznin. E si nuk dëgjova një prind të bërtiste “Po hajde këtu se u bëre pis”, “Ki kujdes se do biesh”, “Mos bëj ashtu se na fëlliqe”. Secili për qejf të vet. Aman lërini kalamajtë rehat. Sa më shumë t’i ngacmoni aq më rebel bëhen. Në atë momente mendoja sa me fat janë që kalojnë fëmijëri kaq të bukur në kopshte pallatesh. Pastaj m’u kujtua e imja, nëpër lagjet e Shkozës tek lageshim me zorrë, luanim topa djegësi ose vraponim zbathur në zhavorr. E ça na gjeti ne që u rritëm pa parqe?

Tek largohesha nga pallati mendoja që bëra super zgjedhje për ndërrimin e shtëpisë. Nga sot e tutje më gjeni diku buzë lumit me biçikletë ose shtrirë pa çarçaf në kopshtet e Pallatit të Liechtenstein duke menduar për ndryshimin e radhës. Sepse ndryshimi nuk vjen kurrë duke pritur për të tjerët apo për kohën e duhur./dritare.net

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.